Në fshatin Prell të Matit, gjatë punimeve për ndërtimin e një HEC-i, u zbuluan disa eshtra dhe qeramika, që i përkasin periudhës romake (shek. lV-Vl pas l.k). Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Shkodër dhe Sektori i Kulturës Kombëtare Dibër kanë publikuar edhe fotot dhe lajmin vetëm një ditë pasi u evidentuan këto gjetje. Specialisti i sektorit Dibër, Festim Hoxha, pasi shkoi në vendngjarje tregon se disa metra me tej ndodhej edhe një mur fortifikues, që i përkiste po të njëjtës periudhë. Ndërkohë, DRKK Shkodër sqaron se së bashku me specialistin e Dibrës, shkuan në vendngjarje edhe dy specialistë të ASHA, Klejdi Zguro dhe Arjol Porja. Dy arkeologët e ASHA vërtetuan se kjo zonë ka potencial të madh arkeologjik dhe po përgatisin një relacion për t’ia paraqitur Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë.
Sakaq, Sektori i Kulturës Kombëtare Dibër thekson se është në çdo moment në gadishmëri për evidentimin e gjetjeve arkeologjike në këtë zonë. Edhe më herët nga arkeologët krahina e Matit është pohuar si një muze i vërtetë arkeologjik dhe djep i lashtë i kulturës ilire. Aty janë zbuluar objekte prej ku dhe dalin të dhëna për të gjithë periudhat historike të zhvillimit kulturor jo vetëm të trevës së Matit por edhe më gjerë, Mati është bërë tani i njohur jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë Shqipërisë, si një krahinë arkeologjike e rëndësishme me vlera të veçanta, sidomos për gjurmimin e studimin e kulturës ilire”. Në vitin 1952 në fshatin Bushkash nisën studimet e tre kodër varreve ilire ose siç quhen në gjuhën arkeologjike tumave. Në vitin 1952-1960 u zbuluan dhe u gërmuan edhe 35 tuma të tjerë ilire ku pjesa më e madhe e tyre i përket periudhës së parë të hekurit. Në vitin 1971-1984 u zbuluan e u gërmuan dhe 18 tuma të tjera, duke çuar numrin e tumave në 53.
Kultura e tumave e varreve në Mat përfshin periudhat e bronxit të mesëm e deri në shekujt e parë të erës sonë. Përveç studimeve të kodërvarreve janë studiuar dhe disa vendbanime shpellore që ndodhen në veri të fshatit Bruç si dhe vendbanimi shpellor i Blazit, Këputës, Pëllumbave dhe Nezirit. Gërmimet e ndryshme arkeologjike kanë zbuluar gjurmë material që nga periudha e paleolitit të mesëm, në neolit e më pas. Ato hedhin dritë mbi ritet, doket e ilirëve, e arbërve, nivelin e zhvillimit ekonomik e kulturor që shprehet në vendbanimet e tyre.