Me vizitën e kryeministrit Edi Rama dhe gjysmës së kabinetit të tij në Ankara për Këshillin e Bashkëpunimit Strategjik mes të dyja vendeve, Shqipëria dhe Turqia pohuan nisjen e një etape të re bashkëpunimi strategjik në fushën e ekonomisë. Në tre dekadat e fundit, Turqia na ka ndihmuar me bujari të jashtëzakonshme në periudhat më kritike të historisë së vendit tonë dhe ne si popull e qeveri i jemi mirënjohës popullit dhe qeverisë turke. Në vitin e mbrapshtë 1997, ndihmat turke ishin shumë të rëndësishme. Në janar 2021, në mes të pandemisë së Covid-19, kur të gjitha shtetet e Evropës Perëndimore kishin hallet e tyre me sigurimin e vaksinave, ishte shteti mik turk dhe Presidenti i tij që na mundësuan të furnizoheshim me një milion vaksina kundër pandemisë. Në tërmetin shkatërrues të 26 nëntorit 2019, të nesërmen më 27 nëntor, ndihmat e para për të mbijetuarit erdhën pikërisht nga Turqia. Ky vend dhuroi 70 milionë dollarë për të ndërtuar 500 apartamente në Laç për familjet që kishin humbur shtëpitë nga tërmeti dhe në pak kohë e realizoi premtimin. Brenda tre muajve, në mes të pandemisë, shteti turk dha pjesën më të madhe të 70 milionë eurove të ndërtimit të spitalit rajonal modern të Fierit. Në konferencën për shtyp me kryeministrit Rama, Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan deklaroi se “Me përpjekjet e sektorit tonë privat, do ta arrijmë shifrën 2 miliardë dollarë shumë shpejt. Turqia është një prej 5 investitorëve të huaj më të mëdhenj në Shqipëri, me 3.5 miliardë dollarë. Do të vazhdojmë të punojmë në mënyrë reciproke, për të rritur investimet”. Sipas të dhënave të INSTAT, në fund të vitit 2023, vëllimi tregtar mes të dyja vendeve zbriti nga 1 miliardë e 160 milionë euro që ishte në vitin 2022, në vetëm 870 milionë euro. Duhen analizuar qartë arsyet e rënies me një të tretën të marrëdhënieve tona tregtare brenda një viti. Megjithatë, partnerët dhe miqtë tanë turq janë optimistë dhe kjo është shumë e rëndësishme. Investimet e kapitalit turk tek ne dhe shkëmbimet tregtare midis Shqipërisë dhe Turqisë kanë ardhur duke u rritur me kohën. Që nga viti 2005, ato shënuan një shtim progresiv, me 10 ose 15 përqind vit pas viti. Në fillim kanë mbizotëruar makineritë dhe pajisjet që ne kemi importuar nga Turqia, duke qenë se makineritë dhe pajisjet e prodhuara në Turqi kanë çmime më të favorshme se ato të prodhuara në Evropën Perëndimore. Pas vitit 2013, kur u rritën ndjeshëm investimet vendase tek ne në infrastrukturë dhe ndërtim, në vend të parë të importeve tona nga Turqia kaluan materialet e ndërtimit dhe metalet. Pesha specifike e ushqimeve të importuara nga Turqia erdhi duke u ulur, për t’u zëvendësuar nga tekstilet, lëkura, plastika dhe kimikatet. Ndërkohë, vendi mik është investuesi i tretë më i madh në vendin tonë, pas Italisë dhe Holandës. Investimet turke në 9-mujorin janar-shtator të vitit 2023 ishin 126 milionë euro. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, investimet turke vetëm përgjatë tremujorit të tretë të vitit 2023, pra në korrik-shtator 2023, arritën vlerën e 58 milionë eurove, në rritje me 3.6 përqind, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Referuar të dhënave historike që nga viti 2014-të, kulmi i investimeve u regjistrua përgjatë tremujorit të dytë prill-qershor 2022, me rreth 61 milionë euro. Sektorët me prani të ndjeshme të kapitalit turk tek ne janë kryesisht sistemi bankar, industria e rëndë, sektori i ndërtimit dhe energjetika. Në energji, kapitali turk është pronar dhe menaxhon dy hidrocentralet mbi lumin Fan, atë të Ulzës dhe Shkopetit, si dhe hidrocentralet Butrinti 1 dhe 2. Kompanitë turke janë të pranishme në shumë ndërtime në infrastrukturë dhe në turizëm. 49 përqind të investimeve në ndërtimin e Aeroportit të Vlorës i takojnë kompanisë turke që gjatë pandemisë ndërtoi në tre muaj Spitalin modern të Fierit. Sipas kryeministrit Rama, numri i turistëve nga Turqia gjatë vitit 2023 u rrit me 30 përqind. Janë të gjitha kushtet që tregtia, marrëdhëniet tona ekonomike dhe investimet turke të rriten ndjeshëm gjatë këtij viti dhe në vitet e ardhshme. Lëvizja e dy qeverive shqiptare me mbledhjen e Këshillit të Bashkëpunimit Strategjik në Ankara pardje, erdhi në kohën e duhur.
Spektakël në koncertin e Noizy-t, reperi surprizon në mënyrë të veçantë fansin e tij, video-ja bën xhiro në rrjet
Reperi mjaft i dashur për publikun, Noizy është gjithmonë në qendër të vëmendjes sa i përket këngëve dhe koncerteve të...
Lexo më shumë