Sa herë themi Muri i Berlinit, na vjen ndërmend Lufta e Ftohtë apo Lufta midis dy qytetërimeve, atij perëndimor dhe atij lindor, por që shpesh thuhet një luftë pa shkrepur asnjë armë kundër njëri – tjetrit. Na vjen ndërmend një ndër ngjarjet më të rëndësishme të historiografisë moderne botërore, e cila është 3 Tetori i vitit 1990, ku të dyja Gjermanitë, Republika Federale Gjermane dhe Republika Demokratike Gjermane, u ribashkuan dhe krijuan Republikën Federale Gjermane duke i dhënë njëherë e mirë fund ndarjes së Evropës dhe kontinentit në dy pjesë, asaj që rëndom quhet “Perdja e hekurt”. Kjo ngjarje riktheu qetësinë dhe status quo normale dhe largoi armiqësitë në marrëdhëniet midis vendeve evropiane, atyre lindore me ato perëndimore, duke larguar ndasitë dhe dallimet midis tyre. Kjo ktheu ngrohtësinë dhe qetësinë në marrëdhëniet midis dy armiqve të betuar, SHBA-së dhe BS-së (Sot ndasitë dhe armiqësitë midis këtyre aktorëve të rëndësishëm të marrëdhënieve ndërkombëtare janë thelluar dhe kanë arritur një pikë kulminante, ku për pak mund të ketë përplasje midis këtyre të dyve). Në këtë ditë të madhe kujtojmë dy figurat kryesore të këtij ribashkimi, kancelarin e ribashkimit Helmut Kohl-in dhe arkitektin e ribashkimit Hans – Dietrich Genscher. Janë ata, që bënë të mundur përpilimin dhe zbatimin e Traktatit 2 + 4 ose Traktatin për zgjidhjen përfundimtare në lidhje me Gjermaninë. Por për të arritur deri në këtë pikë më 31 gusht u nënshkrua Traktati i Unifikimit midis RFGJ-së dhe RDGJ-së, sipas të cilës Republika Demokratike Gjermane do të shpërbëhej dhe Bundeslandet e saj do të unifikoheshin me Republikën Federale Gjermane. Me këtë u arrit uniteti gjerman. Më interesantja është fakti, që kur ky traktat iu paraqit parlamenteve respektive, Dhomës së Popullit të RDGJ dhe Bundestag-ut të RFGJ-së, pati edhe vota, të cilat ishin kundër këtij unifikimi. Diçka vërtet e pazakontë! Kur për gati 50 vjet qytetarët gjermanë ishin ndarë nga të afërmit e tyre dhe nuk kishin mundësitë për të takuar dhe përqafuar njëri –tjetrin. Traktati Dy-Plus-Katër është një traktat ndërkombëtar ndërmjet Republikës Federale të Gjermanisë dhe Republikës Demokratike Gjermane dhe 4 Fuqive të Mëdha, SHBA-së, Britanisë së Madhe, Bashkimit Sovjetik dhe Francës, e cila i hapi rrugën ribashkimit të të dyja Gjermanive. Qeveritë e katër fuqive deklaruan dhe komunikuan përfundimtar zyrtar lidhur me të drejtat dhe përgjegjësitë e këtyre katër fuqive ndaj të dyja Gjermanive. Gjithashtu RFGJ-ja dhe RDGJ-ja deklaruan njohjen e kufirit Oder-Neisse të shprehur në marrëveshjen e zgjidhjes, sipas të cilës Gjermania e bashkuar do të hiqte dorë përfundimisht nga territoret lindore të ish-gjermanëve dhe në këtë mënyrë ato hiqnin dorë nga rreth një e katërta e ish territorit kombëtar gjerman. Duke qënë, se nuk kishte një “Konferencë të Katër Fuqive për Gjermaninë”, por pa pjesëmarrjen gjermane, kjo shihej si njohje e të drejtës së gjermanëve për vetëvendosje. Prandaj, Traktati Dy Plus Katër konsiderohet zgjidhja përfundimtare e paqes me Gjermaninë pas Luftës së Dytë Botërore dhe kështu shënon fundin e periudhës së pasluftës. Madje ky traktat njihet botërisht si një kryevepër e diplomacisë ndërkombëtare, sepse për një kohë shumë të shkurtër ai zgjidhi problemet që kishin formësuar dhe kishin etiketuar një epokë të tërë të mbushur me plot ngjarje dhe ndodhi, që ngjanë në kontinentin tonë plak, Evropën. E njëjta gjë, që u ndodhi gjermanëve, u ka ndodhur edhe shqiptarëve, veçse territoret dhe populli shqiptar është ndarë në shumë shtete, në territoret e të cilave janë krijuar shtete artificiale dhe kjo ka ndodhur sipas dëshirës dhe orekseve të shteteve evropiane gjatë shekujve dhe dekadave të kaluara, të cilat për të kënaqur interesat e njëri – tjetrit arritën në këtë pikë, ku ndodhemi sot. Kjo Evropë duhet të na kthejë reston, ç`ka do të thotë, kontinenti plak duhet të na dëmshpërblejë dhe të na japë hakun tonë. Ashtu siç ajo veproi me ribashkimin e Gjermanisë, duhet të fillojë ë ndërmarrë hapa për ribashkimin e popullit shqiptar dhe të territoreve shqiptare në një të vetme. Atëherë kjo do të quhej mrekullia e dytë e diplomacisë ndërkombëtarë, që do të vinte në vend nderin e cënuar prej shekujsh të shqiptarisë, sepse kjo Evropë i ka kombit shqiptar një mal me borxhe, të cilat nuk mund të shlyhen të gjitha, por shumicën prej tyre ajo e ka për detyrë, sepse kjo Evropë jo vetëm ka punuar në të kaluarën në dëm të interesave shqiptare, por ajo vazhdon ende sot të punojë kundër shqiptarëve këndej dhe andej kufirit shtetëror. Sepse kjo Evropë hipokrite vazhdon të gënjejë, kur flet. Ajo nuk e mban fjalën e dhënë dhe ka qenë dhe është shumë e pabesë ndaj kombit shqiptar. Ku duhet ta gjejë shpresën populli shqiptar për zgjidhjen e çështjes së vet? – Ndoshta nga përtej detit. S`e di, le të presim, siç jemi mësuar deri më sot.