Nga Ilmi Qazimi
Vihet re veçanërisht në median e shkruar,por edhe në atë vizive shqiptare, në këto tridhjetë vite demokraci-i thënçin-se ka gjetur përdorim të gjerë termi ‘idiot’, fjalë shqipe, e cila , sapo del nga goja sjell, ndjell e mbjell neveri, antipati deri edhe urrejtje tek të pranishmit për atë që flitet. Aq shumë është lakuar, përgojuar, le të themi”zhvilluar e pasuruar” kjo fjalë dhe kuptimet e saj sa që, jo pak shkrues(në tërësi mendje dëlirë, por midis tyre edhe ndonjë me të dhëna prej idioti), kanë nisur edhe klasifikimin e njerëzve që bëjnë pjesë (vetfuten apo i fusin) në këtë kategori gjuhësore. Numërohen, hë për hë, idiot funksional, idiot i dobishëm, idiot i domosdoshëm,idiot politik, idiot i çmendur dhe idiot sharlatan. Natyrshëm që kështu do të ndodhë kur lejohet që çdo gurmaz të nxjerrë një avaz dhe këtë ta publikojë ku, kur e si të dojë. Mbase, pa ngrënë kohën e askujt, e vlen të themi se gjuha e begatë dhe tepër e pasur shqipe për fjalën-emër-cilësor ‘idiot’ në fjalorin bazë të saj shpjegon sa vijon. Me zanafillë si term mjekësor, përcakton “një njeri me zhvillim mendor të mangët që nga lindja. Në jetën praktike kjo fjalë përdoret,për të cilësuar një individ të trashë nga mendja, që flet dhe vepron si i tillë!” Dhe me tej thuhet se “ tërë ato veprime, punë, sjellje të një njeriu të tillë quhen idiotësira.” Erdhi rasti që ta themi se është botërisht i njohur libri”Idioti” i shkrimtarit 59 vjeçar rus Fjodor Mihajlloviç Dostojevskij, (autor i 30 librave në gjinitë roman e novelë) që e botoi në vitin 1869- përkthyer në shqip- dhe është i vlerësuar sikur doli dje nga shtypi. Për të është shkruar shumë dhe në krye të tyre qëndron eseja e papërsëritshme e Stefan Cvajgut e vitit 1928 e përkthyer në shqip më 1998. Por ne na intereson të flasim për idiotët tanë të ditëve plot idiotësira që po jetojmë. Mirëpo nga që njerëzit e paktë shqiptarë dhe ata të shumtë të huaj që kanë ardhur këtu për të jetuar,nuk ia dinë saktësisht kuptimin”idiotit”dhe kjo është përsëri e natyrshme,e përdorin këtë fjalë kaq keq tingëlluese me vend e pa vend. Si mund të quhet një idiot ‘i dobishëm’? E shumta mund të thuhej se është i pranishëm shumëkund. Po qe se është fjala për metaforë,idioti nuk e meriton kurrë këtë ‘nder’ mbasi ai është vetëm idiot. Po si mund të klasifikohet idioti si’i domosdoshëm’ xhanëm? Mund të thuhej që idiotët janë një prani individësh në shoqëri herë-herë me rol ndihmues sepse tregojnë se ku, si dhe kë duhet të ndreqim apo të heqim’qafe’ për të na shkuar punët sa më mirë. Për t’i niveluar sadopak gjërat, le të themi si fillim se idiotët ekzistojnë objektivisht dhe na duhet të merremi me ta,ngase janë të sëmurë. Në qoftë se do të flisnim për figura letrare, shumëçka mund t’iu atribuohen idiotëve, pa i fyer apo denigruar, sepse e meritojnë për rolin kryesisht vetëm negativ që luajnë në ecurinë e sotme shoqërore. Po çfarë t’u bëjmë atyre idiotëve -që janë shtuar shumë në vitet e demokracisë sonë- që bëjnë veprime idioti pa qenë të lindur të tillë!? Këta të dytët janë shumë të rrezikshëm-ky cilësim u përket dhe iu përshtatet mbasi ata, vetë sistemi shoqëror që i pjell e kultivon, ika vendosur në poste të atilla që kanë diçka në dorë dhe o të bëjnë ‘derman’, o të bëjnë ‘hatanë’.Të tillët shumë lehtë kalojnë në cakun “idiot të çmendur” duke kapërcyer hekura e duke shqyer porta,duke thyer karrige në sallën më të lartë ku ligjërojnë ligjvënësit, duke hedhur bomba’ molotov’ në ndërtesat e bashkisë,duke përmjerrë në dyert ndërtesës së qeverisë,apo duke futur bombat tymuese në kuti buzëkuqi femrash, etj, etj. Po atyre protoidiotëve që shprehen; “e ç’më duhet mua se çfarë bën vartësi im i drejtpërdrejtë lidhur më punën tonë që na imponon funksioni? Ai e ka vetë kokën mbi supe!?”-çfarë t’i themi?! Termi “idiot politik” mendoj se nuk shkon, as të cilësohet e as të shkruhet,sepse vetë politika, në sistemin ekonomiko-shoqëror të kapitalizmit dhe tani në fazën më të lartë atë të imperializmit, është fusha e veprimtarisë njerëzore që nuk ka asnjë moral, asnjë kufi, asnjë ligjësi, por vetëm idiotësira të përziera me të vërteta, gjysmë të vërteta dhe mashtrime të të gjithë llojeve,duke e emërtuar të gjithë këtë konglomerat thjeshtë, biznes. Quhen sipërmarrje biznesi ku malli më i rëndomtë është njeriu për të përfunduar te kafshët, ku marifetet mafioze për superfitime, krime, mashtrime janë nga më të sofistikuarat falë edhe teknologjisë. Kjo gjendje është e do të jetë, madje e vlerësuar si tejet e moralshme, përderisa sundimtarët bosë të dollarit, për të mbajtur këtë sundim sa më gjatë,përdorin, siç thoshte Gjergj Fishta,dhelpërinë, dredhinë, intrigat, batakçillëkun, rrenat dhe tradhtinë. Ky termi modern”idiot funksional” më duket se ka të bëjë me ata që janë të zgjedhur apo të emëruar në funksione politike e qeveritare. Shpesh herë e lehura e tyre është më e hidhur se sa kafshimi i mundshëm. Realisht ne kemi jo pak njerëz, drejtues të lartë e të mesëm( se me të tjerët , nga dollapi e poshtë-nuk merret kush veç atij që e ka në vatër) që janë kthyer në idiotë. E them me keqardhje këtë,por është e përjetuar. Shumë syresh kanë uzurpuar kryet e partive,organizatave, shoqatave,shoqërive, kuvendeve,bashkësive dhe realizojnë mrekullisht objektivat e tyre përçarëse, thikngulëse me mashtrime e manipulime gjithëfarëshe. Madje prej këtu kalojnë deri në idiotë të nivelit sharlatan. Siç dihet,sharlatani është një njeri me dije të cekëta që përpiqet të mashtrojë të tjerët duke u hequr si i ditur e i zoti, ose që shfrytëzon mirëbesimin a padijen e të tjerëve, mashtrues ,i paturpshëm, batakçi, i pandershëm. Hidhini një sy ministrave, ministreshave, drejtorëve të niveleve e llojeve të caktuara dhe posaçërisht kryeministrave që kemi kaluar mbi kokën tonë për vitet 1990-2024, a nuk gjeni jo pak të tillë?Ja, ku është fundi i një farë S.Berisha, i një tjetri me emrin I.Meta,-në derë të… atje ku mos pafshim njeri! Janë lënë krejt në harresë të tjerët si F.Nano. A.Meksi, P,Majko, etj. Një nga arsyet më kryesore, me keqardhje e themi, ka qenë se u kthyen,kush më shumë e kush më pak, në idiotë sharlatanë. Edhe fundi i këtij që kemi tash 12 vjet në krye,Edi Rama, i tillë do të jetë. Këta tipa janë munduar që të tërheqin vëmendjen e gjithë shikues-dëgjuesve, gjasme masave të popullit, duke krijuar një imazh të veçantë, euforik, ‘i mrekullueshëm’,i zoti deri te Zoti, që nuk trembet nga skandali, nga gjykata,që shkëlqejnë shumë më tepër se sa ata që ka pranë vetes. Këta tipa që ne kemi pasur e kemi në krye nuk mendojnë thellë se çfarë është e mirë e çfarë konsiderohet e keqe, çfarë i mungon vendit dhe përse lëngon populli, boll që ai si kryetar të fitojë famë! Ata kanë kuptuar, sidomos Edi Rama e S,Berisha, se është më mirë që të përgojohesh e kritikohesh se sa të shpërfillesh. Ata shohin se fuqi u sjell jo vetëm paraja (domosdo e vjedhur ose e përvetësuar në mënyrë mashtruese e të pa drejtë), jo vetëm eskorta apo maska e kaska e postit, por edhe çasti kur ti bën një gjë që të jep nam, famë,emër! Nën shembullin e tyre kanë ecur edhe ca ‘vocrrakë’ e ca ‘vogëlushe’ me sjellje prej idioti, që duan të duken se çoç janë! Në thelb, idiotët sharlatanë ne shqiptarëve të këtyre 35 vjetëve na bënë dëme të pallogaritshme sepse e shitën, e gremisën, e shkërmoqën vatanë! Kuptohet që atje ku vuri këmbë imperializmi amerikan nuk ngre dot krye i vogli, i dobëti, i vonuari, por ama , kur stani ka çoban edhe amerikani matet dhe bën aq sa mban. Duhet ta themi me guxim se që në çastin kur votuam për një sharlatan, intelektualët e tjerë , thuajse pushuan së menduari, së gjykuari dhe zgjodhën që të mbyllin gojën. Mirëpo historia ka treguar se zjarri atdhetar, kombëtar shqiptar mund të goditet, venitet, zbehet, por kurrë nuk humbet, nuk zhduket,nuk zhbëhet; ai ringjallet në një formë më të re e më të fuqishme. Sharlatanët do lëvrijnë si ngjalë, por Shqipëria do të mbetet përjetësisht e gjallë.