Këtë pyetje, mendoj, se e bën vetëm ai që di të reagojë në çdo situatë dhe logjikon kurdoherë drejt,objektivisht,pavarësisht interesave vetjake apo të shefit. Ata njerëz me të cilët bashkohemi, kuptohemi, respektohemi dhe zemërohemi janë të panumërt sepse e tillë është jeta plot kontradikta që herë pajtohen, herë acarohen deri në zgjidhjen më të arsyeshme ose në zgjidhjen e përkohshme që jep më i forti. Zemërimet janë aq të shumëllojshme dhe po aq edhe pasojat që sjellin ato si lloj marrëdhëniesh. Prandaj shoqëria e çdo lloj forme qeverisjeje, dhe e çdo kohe ekzistence, ka bërë ligje dhe ngulmon zbatimin e tyre. Mirëpo njeriu, si objekt dhe subjekt i një shoqërie të caktuar, ka ndërgjegje dhe di të përcaktojë vendin dhe rolin që luan në atë shoqëri në atë kohë dhe hapësirë që iu dha e drejta për të jetuar e milituar. Puna e kujtdo, në vendin ku i ka caktuar ndarja shoqërore e punës, matet me fjalët që thotë, po ama vlerësohet vetëm me veprat që bën. Kur është rasti për bukën e gojës, i zemëruari nuk lë njeri pa mallkuar duke nisur nga vetja dhe arrin deri atje sa kërkon o të jetojë, o të largohet nga atdheu apo mbi dheu. Kështu po ecin ngjarjet tek ne në rastet më të shumta të këtyre 34 viteve. Kësisoj, zemërimet ndaj një qerrexhiu, apo elektricisti, ndaj një rritësi viçash apo një bibliotekareje, ndaj një edukatore çerdheje apo një maturanti, një shitëseje apo polici, etj, etj, nuk janë aspak të njëllojta me ato ndaj një ministri apo një drejtoreshe. Kur vjen problemi i mbrojtjes, ruajtjes dhe zhvillimit përparimtar të atdheut, të truallit që na kanë lënë të parët tanë, lëvdatat dhe zemërimet drejtohen tek udhëheqësit tanë të çdo kohe të caktuar. Natyrshëm që nuk do të drejtohen ndaj rojtarëve të depove apo të pyllit. Kur një deputet si Noka iu hedh miell e tym syve oficerëve të gardës që janë në detyrë, ai vetngjall zemërim tek të gjithë të pranishmit në sallë dhe shikuesit nëpër glob. Kur deputeti i vë zjarrin karriges së sallës së parlamentit, ai nxit zemërim deri në ekstrem. E si mund të besojmë se ky lloj individi do të bëhet i zoti që të drejtojë një qeveri?Mirëpo parlamenti ynë ose miraton apo ‘zemërohet në heshtje’ me të tillët ose thotë “do të kalojë edhe kjo”! Atëherë si të mos zemërohemi ne votuesit e thjeshtë këtu poshtë me deputetë si ata që mos ua dëgjofshim më deputetllëkun ashtu edhe me vetë parlamentin. A kini dëgjuar, lexuar apo shikuar ndonjë deputet të të dy partive kryesore që të jetë zemëruar e të ketë ndëshkuar botërisht, thelbësisht e sinqerisht të atillat gjeste që ka bërë Noka,Vokshi me pasues të tjerë?Pra ne të thjeshtët që presim ligje dhe jo bukëfiqe nga ky Paralament, kemi plotësisht të drejtë që të zemërohemi me ta, me të 140 të ulurit në ato karrige të asaj salle. Dhe këtë zemërim e shprehim me kulturë në biseda, shkrime , reagime e reflektime duke ruajtur etikën. Po a mjafton kjo? Jo! Duhet të veprojë ligji sa më i rreptë, sepse një seancë parlamentare, në ditët e këtyre viteve është kthyer në një ditë mësimore për tërë shqiptarët e tërë moshave kudo që e dëgjojnë. Të rinjtë tanë të paktë shkolluar, me të drejtë,bëjnë krahasimin e bëmave të tyre me ato të deputetëve. Duke e parë realitetin në sy, po përjetojmë skandale të tjera edhe më të rënda. Kur dëgjojmë nga goja e kryeministrit Edi Rama që të thotë para tërë botës : “Synoj që të ndërtoj një shtet modern, Shqipërinë, një vend që e ka mallkuar historia e që diktatura e kish lënë në errësirë” si të mos zemërohemi? Nuk jam i vetëm që këto fjalë më indinjojnë. Njihem e mbetem i majtë ekstrem kur vjen puna te ndarjet televizive partiake që realisht i urrej, por këto fjalët e mësipërme më gjëmojnë në vesh vetëm si gjyle asgjësuese topi. Krijohet përshtypja e parë sikur ato dalin nga goja e ndonjë lloj hitleriani të ri të çartur , apo ndonjë shqiptaro-amerikan i thekur dhe i djegur që nuk iu realizua ëndrra për të zbarkuar këtu si kryetar shteti. Ma do nevoja, për pak sekonda, që të shprehem jashtë etikës, E si mund të flasësh kështu për Shqipërinë tonë, more kryetari ynë?Po ku të shpie mushka, more kryetar i një grupi njerëzish që ti i quan këshill ministrash (sepse i zgjedh vetë si të të mbushet mendja) ? Kur prej këtij këshilli njërin e fut ligji në burg, tjetrin e marrin në hetuesi, të tretin e pushojnë se ka konflikt interesi; dikush më tutje akuzohet për korrupsion aktiv a pasiv dhe një tjetër është fshehur a ka ikur (ai dhe dikush tjetër e di se ku) , se ka frikë nga prokuroria ? Vallë ky duhet të kuptohet si modernitet? Ti propozon(dhe miratohen sepse i ke votat në atë pallavramentin që porsa përmendëm) ngritje pagash deri në stratosferë për deputetët e qeveritarët aq sa nuk kanë krahasim me nëpunësit e tjerë. Kur ndërkohë në këtë shtet ka mbi 30% të banorëve që jetojnë duke numëruar qindarkat. Edhe ky modernizim na qenka?Ky vend, dhe pse i vogël, por i mrekullueshëm që asnjë herë historia nuk e ka mallkuar, por të mëdhenjtë imperialistë, shovinistë, fashistë, “miq të largët e të afërt”kanë dashur të copëtojnë,dhe e kanë pjesëtuar në gjashtë shtete, madje edhe një komb në dy shtete,vetëm e vetëm se është duke marrë rrezet e diellit që i përkasin aty ku e kanë pasë jetuar të parët e tij? Këtë të vërtetë ti e di fort mirë, përse e anashkalon? E quan veten të zgjedhur unanimisht edhe kryetar të një grumbulli të madh njerëzish pa regjistër të saktë e pa statut të mirëqenë që e ndjell me emrin bukur ‘parti socialiste’ ( sepse ti nuk e ke konceptin se çfarë duhet të jetë partia në mono pushtet e në pluralizëm politik ngase,me keqardhje,ta kanë kapluar shfaqje të dëlirit të madhështisë!?) Dhe kjo, deklaron ti- “është e vetmja forcë”, ‘gjigande tokësore e qiellore’ që po drejton (lexo: shkatërron nga themelet kombin, kulturën, ekonominë,historinë)dhe mund ta &cc
edil;ojë në suksese më të mëdha vendin dhe popullin!?Sikur në këtë territor nuk ka fare njerëz të tjerë,idealistë, demokratë, komunistë, nacionalistë?!Çfarë shteti modern po ndërton more lumëzi, kur truallin e ke shitur, me dëshirë, me imponim dhe me servilizëm të pashoq, tek Amerika, Italia, Greqia; kur shtëpitë dhe ndërtimet jo të pakta të bëra më djersën, gjakun e paranë e shqiptarëve ndër vite e dekada ua ka tregtuar qytetarëve europianë e aziatikë, të ardhur këtu nga Polonia , Italia, deri nga Siria,Filipine,Nepali dhe India!? Shqiptarët nuk të zgjodhën për t’u bërë kryetar i një amalgame Multietnike kombesh ,këtu në buzë të Adriatikut,ku kanë jetuar për mbi dymijë vjet vetëm ilirët dhe pasardhësit e tyre shqiptarët, por të drejtoje ekonominë, arsimin, shëndetësinë, mbrojtjen,zhvillimin e biznesit të vogël e të madh në përshtatje me kushtet tona për tre-katër milionë shqiptarë që ishin këtu para 25 vitesh. Që të ruaje emblemën kombëtare, tërësinë territoriale,historinë tonë. Që të krijoje kushte për t’u ngritur mirëqenia e të gjithëve, gjë që as i je afruar, sepse njerëzit të cilët përbëjnë bërthamën e çdo suksesi -të rinjtë e të rejat- janë larguar në emigracion. Kjo rrugë e juaj,duket hapur që po shpie,larg o Zot, drejt shkrirjes së kombit shqiptar, sepse gjuhën shqipe dukshëm e ke shpërfillur; kulturën dhe traditat e lashta të këtij populli i ke asfiksuar ; veçanërisht Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare të këtij populli dhe gjakun e 28 mijë dëshmorëve, veteranët dhe ata që vijnë pas tyre, as që të shkon në mendje t’i përmendësh e jo më t’i përkujtosh siç e meritojnë madhërisht,nga që është vit jubilar i tetëdhjetë i asaj fitoreje të papërsëritshme të 29 nëntorit 1944! Atëherë, kush e ka lënë Shqipërinë në errësirë, ti e Sali Berisha me qeverisjen tuaj prej hajdutësh e të korruptuarish, që ke futur internetin,ke ngritur goxha ndërtesa, por nuk ke nxënës e nuk ke mësues?Kur shohim çdo ditë e më shumë se edhe ata pak nxënës që janë bullizohen, drogohen, seksohen më shumë se sa arsimohen?! Apo diktatura e proletariatit( që ju nuk kini guxim ta thoni të saktë edhe emrin e saj sepse ajo iu shtypte kokën të këtillëve)që Shqipërinë e mori me 90% analfabet dhe e solli me arsimim të lartë, arsim të mesëm të detyrueshëm, me shërbim shëndetësor realisht falas dhe me drita elektrike e ujë të pijshëm në 2675 fshatrat dhe 38 qytetet e vendit? Dhe popullsia që siguronte tërë çka jetike në vend u bë katër milion!? Në qeverisjen tuaj dhe të Sali Berishës gjithkush e ka parë se kanë zotëruar,siç pati thënë edhe Gj.Fishta shumë vite më parë për çdo lloj qeverie në kapitalizëm:”batakçillëku, dredhia, rrena, intriga,tradhtia”. Por kanë munguar ato që janë kusht i domosdoshëm: atdhetaria, burrëria, urtësia dhe kapitulli i parë i saj, ndershmëria.