Është më se e vërtetë se në disa prej shkrimeve të mia një nder preokupimet dhe temat më të prekura kanë bënë ato që trajtonin problemet e gjuhës. Kjo ka qenë rrjedhojë edhe e rëndësisë kaq të madhe që prek për çështjet me rëndësi kombëtare që ka zënë e zë ky problem në ekzistencën e një kombi. Dihet gjithashtu që çdo komb kudo ku është e në cilido cep të botës mbështetet në tri shtylla bazë:- ATDHEU, FLAMURI GJUHA. Ndaj edhe unë e trajtoj përsëri këtë temë me shumë shqetësim e me shumë preokupim. Populli ynë ka një shprehje të vjetër që thotë: “Ku dhemb dhëmbi vete gjuha.” Edhe për mua si një njeri si ish- mësues dhe si një intelektual i thjeshtë, por i shqetësuar mendja më shkon në këtë problem kaq të rëndësishëm e madhor. Po t’i kthehemi historisë së deritanishme të popullit dhe vendit tonë nuk ka se si mos t’na shkojë mendja tek ato ngjarje tragjike që na kanë shoqëruar. Shumë hordhi të huaja na kanë shkelur na kanë djegur, na kanë shkrumbuar na kanë prerë e na kanë vrarë në mënyrë të pamëshirshme. Për fatin tonë të keq ne kemi qenë e jemi edhe tani aktualisht të rrethuar nga fqinj shumë tinëzarë armiq të betuar që kanë synuar copëtimin ndarjen e aneksimin e trojeve tona të lashta. Për t’ i realizuar këto ata nuk janë ndalur para asnjë veprimi, duke i përdorur të gjitha format e mjetet që nga ato të fshehurat e deri në luftëra të shpallura e të pashpallura. Ata kanë synuar në asimilimin e popullit tonë duke u përpjekur të zhdukin gjuhën tonë shqipe doket zakonet tona kulturën tonë gjithçka që ne na ka dhënë e na jepte identitetin tonë si komb. Mjafton t’i referohemi për ilustrim, njërës prej krijimeve poetike të shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare. Në një nga vjershat e tij të titulluar “Gjuha shqipe”, ai shprehet :
Kjo gjuhë martire
Lehonë e përjetshme,
Që lindi mes dhimbjes
Art i të pavdekshmëve.
Ishin kohë të errëta. Ishin kohët e ekzistencës dhe mos ekzistencës së një kombi nga më të lashtët e më të vjetrit në Europë dhe në botë. Një popull që s’e .mbushte barkun me bukë, por i duhej që t’i shikonte horizontet vetëm nga shënjestra e pushkëve. Ata luftuan dhe kurrë nuk reshtën kurrë nuk ndalën. Amaneti që u lanë fëmijëve në vazhdimësinë e brezave qe: -atdheu gjuha dhe flamuri. Për këto simbole u derdh gjaku i tyre duke vaditur çdo pëllëmbë të këtij vendi. Ndaj ai ka qenë dhe vazhdon të jetë për secilin prej nesh një tabu e shenjtë dhe do të mbetet i tillë sa të kemi jetë njerëzore. Njerëzit më të shquar të këtij kombi, ata që kanë luftuar për ta ruajtur si sytë e ballit trashëgiminë dhe çdo gjë të vyer të shtrenjtë të qenies sonë na kanë lënë si asete krijimet e tyre të mrekullueshme. Ata na lanë si amanete ato vjersha ato krijime, që edhe sot e kësaj dite janë me vlera të jashtëzakonshme. Nuk ka se si t’mos kujtojmë një poet të madh të veriut te etiketuar si ” Homeri shqiptar”, Gjergj Fishta, i cili i ka blatuar një nga krijimet më të ndiera gjuhës shqipe një vjershë monument, – do të thosha unë të titulluar “Gjuha shqype ” :
Porsi kanga e zogut t ‘ verës,
qi vallzon si blerim të prillit,
porsi i ambli flladi i erës,
qi lmon gjit’ e drandofillit
porsi vala e bregut t’ detit,
porsi gjama e rrfesë zgjetare,
porsi ushtima e një tërmeti
ngjashtu a ‘ gjuha e jonë shqiptare
Edhe poeti tjetër i veriut Dom Ndre Mjeda po në një vjershë tjetër me të njëjtin titull shkruan :
Përmbi za që lëshon bylbyli
Gjuha shqype m’ shungullon,
Përmbi erë qi nep zymbyli
Pa da zemrën m’ a ngushëllon.
Ndër kombe tjerë e ndër dhena tjera,
Veç për ty m’ rreh zemra e mjera,
E prej mallit derdhim lot,
Nji kto gjuhë qi jam tui ndie,
Janë të bukura me temel,
Por prap kjo, si diell pa hije,
Per mue t’ tanave ju del.
Nuk ka se si mos të përmendim këtu vargjet e mrekullueshme të poetit tonë të jashtëzakonshëm Naim Frashëri i cili midis të tjerave shkruan :
Gjuha jonë sa e mirë!
Sa e ëmbël sa e gjerë !
Sa e lehtë sa e lirë !
Sa e bukur sa e vlerë!
Dikush nga lexuesit e mi, nga shokët e miqtë e mi. do t’më pyeste : Këto gjëra që po shkruani dhe këta poetë që po citoni dihen pse pa na i përsëritni ?
– E drejtë, – do të shtoja unë, -dihen por ja që ne jo vetëm i kemi lënë në harresë këshillat dhe amanetet e tyre të shenjta,jo vetëm nuk i mësojmë më nëpër shkolla por edhe kur na dalin para syve i largojmë dhe i harrojmë me indiferentizëm e me mendjelehtësinë më të madhe. Sot ka ardhur koha kur shitet e blihet çdo gjë, përfshi edhe idealet me rëndësi kombëtare. Ata që përmenda unë më lart por edhe shumë e shumë të tjerë që përbëjnë një konstelacion yjesh me vlera e me rëndësi të pamata e të paçmuara, janë e do të mbeten aseti ynë më i shtrenjtë. Ç’ka ndodhur e po ndodh këto 35 vitet e fundit në shoqërinë tonë postkomuniste, me ne shqiptarët e viteve të demokracisë? Po ndodhin çudira mbi çudira . Po ndodhin hata të paimagjinueshme që do të jenë me pasoja fatale për të ardhmen e kombit tonë në se nuk marrim masa urgjente për t’ i venë në vendin e duhur gafat e pafalshme që po bëjmë. Pse po them kështu? Pse ky alarm? Pse ky shqetësim? Le t’i kthehemi edhe një herë shkurtimisht se çfarë ka ndodhur këto 35 vite në shoqërinë shqiptare bashkëkohore. Le t’i hedhim edhe një herë dritë asaj errësire të paimagjinuar të jetës e të asaj që po i ndodh gjuhës shqipe shtyllës bazë të identitetit tonë kombëtar. Ashtu siç edhe e kemi analizuar edhe një herë me parë, do të përpiqemi të ndalemi shkurtimisht në atë që i ka ndodhur dhe po i ndodh këtij fenomeni e dukurie me rëndësi të paçmuar. Ka shumë vite që nga tekstet e nxënësve te ciklit parauniversitar janë hequr pothuajse në masën 80 – 90 % e poetëve dhe krijuesve tanë më të mëdhenj te Rilindjes Kombëtare e më gjere. Ata që na mësuan dhe edukuan me dashurinë për dheun e të parëve, me bëmat e heronjve të luftërave për liri e pavarësi. Ata që na edukuan me ëmbëlsinë bukurinë dhe dashurinë për gjuhën amtare. Ata që na treguan rrugën e dashurisë për natyrën dhe mrekullitë e vendit tonë, pothuajse janë lënë në harresë, janë vënë në muze. Në vend të tyre fëmijët nëpër shkolla mësojnë vjersha e copa letrare pa kokë e pa bisht të disa autorëve dhe poetëve modern, që duan t’na thonë diçka pa kuptim pa lidhje. Në fakt ato janë disa ligjërime të stërholluara që kanë vetëm formë,por aspak përmbajtje. Ato nuk na mësojnë lëre për të edukuar asgjë. Sot mësohen disa krijues shqiptarë që, për t’i marrë vesh, duhet t’i përkthesh shqip- shqip. Pastaj vjen një shpikje tjetër, që gjuha shqipe ne ciklin 9 vjeçar është katandisur në dy orë pasi rilindasi ynë i kohërave moderne me gjenialitetin dhe largpamëmësinë e tij prej udhëheqësi bashkëkohor na shtoi orët e fizkulturës .Për të qeshur e për te qarë, do të thosha për të ulëritur. Pse ore, fizkultura e zhvilluar me topa leckash e pa palestra do t’ua mësojë gjuhën amtare këtyre fëmijëve? Po t’i analizojmë pastaj cilësitë e mësimdhënies dhe mësim nxënies kushedi se ku do të dalim . Ka 30 e ca vite që portat e Shqipërisë janë hapur si hani i Bishtanakes. Këtu janë futur e futen lloj- lloj speciesh e racash nga cilido cep i botës. Po kështu edhe ne nga brenda të mbetur në mes të rrugës. Me qindra e mijëra shqiptarë morën rrugët në fillim në Greqi për shkak edhe të afërsisë territoriale, e mandej morën detin në sy, duke u hedhur në Itali e gradualisht preken edhe vendet e tjera të Europës, duke shkuar edhe në Amerikë, Australi Angli e me tej. Ky është një nga eksodet më të mëdha që do të mbahet mend e do të shkruhet në historikun e vendit tonë. Në bazë të statistikave të deritanishme zyrtare e jo zyrtare, janë të paktën mbi një milion e pesëqind mijë shqiptarë që jetojnë e punojnë me gjithë familjet e tyre në këto vende që përmendëm pak më lart. Çfarë ka ndodhur e ndodh aktualisht me këto familje ? Pjesa më e madhe e tyre janë përshtatur e janë sistemuar duke gjetur mundësi punësimi, banimi dhe jetese. Ata janë përshtatur e janë ambientuar edhe me kushtet kërkesat rregullat dhe zbatueshmërinë e ligjeve në këto shtete ku jetojnë aktualisht. Një pjesë e familjeve krahas kryefamiljarëve kanë rregulluar në punë edhe pjesëtarë të tjerë të tyre duke përfshirë edhe gratë . Fëmijët e mitur ndjekin çerdhe kopshte. Të tjerët me të rritur vazhdojnë shkollat në gjuhën e vendit ku janë akomoduar. Kuptohet që shumica e tyre bëjnë punët më të rënda e më të vështira. Ju duhet që për të mbuluar shpenzimet e familjeve të tyre të punojnë me orare shumë te zgjatura deri edhe 10- 12 orë në ditë. Çfarë ka ndodhur me fëmijët e tyre? Një pjesë që kanë lindur në Shqipëri dhe kanë qenë me të rritur e kanë melësuar gjuhën shqipe dhe atë e flasin edhe në mjediset e tyre familjare e më gjerë. Pjesa tjetër që kanë lindur në emigrim, ka qenë më shumë në duart e nënave që i kanë lindur. Ka pasur prej tyre tepër te për kushtuara që, pavarësisht vështirësive nuk janë ndalur, por ua kanë mësuar gjuhën shqipe. Unë si person do t’u thosha: – Mirënjohje! Jeni nëna heroina! Por ka dhe për fat te keq jo pak, që as nuk e kanë marrë mundimin që t’ua mësojnë këtë gjuhë. Janë justifikuar se kanë qenë të zëna me punë dhe nuk e kanë pasur kohen e duhur për ta bërë këtë gjë. A është justifikim ky ? Kur nuk e kanë bërë nënat, që bashkë me qumështin e gjirit, duhet t’u kishin dhënë këtyre fëmijëve edhe gjuhën amë, kush duhet ta bëjë tjetër ? Ky veprim prej injorantësh është me pasoja katastrofike për të ardhmen e fëmijëve të tyre. PSE ? Këta fëmijë do bëhen shtetarë të mirë të vendit ku jetojnë, por kurrë nuk mund te jene e të quhen shqiptarë. Shumica prej tyre emrat i kanë të huaj gjuhën shqipe nuk e njohin. Nuk dijnë pothuajse asgjë për vendin e të parëve të tyre. Si mund të quhen shqiptarë fëmijë te tillë ? Po fëmijët e tyre çfarë do të jenë? Mund te jenë çdo gjë por shqiptarë jo e jo ! Po sikur të vepronin realisht statistikat e të arr
ihej një regjistrim i gjithë familjeve shqiptare që jetojnë jashtë çfarë xhevahiresh do të dilnin? Sa prej fëmijëve nuk dinë shqip ? Do te dilnin disa te dhëna që do t’ na luanin tepelekun e kokës. Kush e mban përgjegjësinë për këto familje që kanë mbushur oborret e Europës dhe te botës? Cilat duhet të ishin përgjegjësitë e shtetit amë? Çfarë duhet te bënim ne si shtet Ministria e Jashtëm dhe Ministria e Arsimit? Unë do të thosha që duhet të ketë marrëveshje dypalëshe me këto shtete. Në këto marrëveshje duhen sanksionuar e ligjëruar pikat kyçe si:
– Hapja e shkollave në gjuhën shqipe ne vende me komunitete te pranueshme.
-Sigurimi dhe dhënia e teksteve ne gjuhën shqipe dhe jo. ndarja si lëmoshë e disa copë abetareve
-Sigurimi i kontingjentit të mësueseve në gjuhën shqipe.
-Ndjekja e domosdoshme e këtyre shkollave deri sa te përfundonin ciklin elementar( fillor)… Do të ishte e nevojshme përcaktimi i detyrimeve reciproke si dhe sigurimeve të buxheteve për pagesën e mësueseve, mjeteve didaktike si edhe e teksteve mësimore. Këtu duhen përcaktuar se nga do të sigurohen këto fonde? Nga shteti pites? Nga vendi amë? Nga komuniteti shqip folelës? Duhet të bëhet regjistrimi i detyruar i tyre nga shteti ynë në bashkëpunim me shtetin pritës. Kështu siç e kemi zënë po shkojmë drejt zhdukjes kombëtare . Ky nuk është një alarm i kot fals . Jo, jo jemi përpara një kolapsi të papare e të paimagjinuar me pasoja që do t’na çojnë drejt nje katastrofe kombëtare. Ndërsa fqinjët tanë te nderuar vijnë zyrtarisht edhe marrin masa për shkollimin e minoriteteve te tyre, duke na kërkuar asprën e duke u mbështetur në konventa ndërkombëtare, ne heshtim e bëjmë sehir se si po ia bëjmë gropën vetes. Ne po ia dorëzojmë me duart tona atdheun, Shqipërinë e shenjtë që na i kanë lënë amanet të parët tanë atyre që e kanë pasur ëndërr ndër shekuj për ta gllabëruar atë armiqve të betuar. Lëre se ç’po bëjmë këtu në vendin tonë! Gjithë mediat tona elektronike dhe nje lukuni gazetarucësh e analeshër (analistë) që nga mëngjesi e deri në darkë mbeten duke turtullosur vetëm me fjalë e shprehje te huaja. Na ka mbetur që kur ndjekim nje emision kur na flet nje politikan, të mbajmë nga një fjalor të gjuhëve të huaja që ta marrim vesh se çfarë na ligjërojnë. Duke mbyllur këtë shkrim do t’ju drejtohesha të gjithë bashkatdhetarëve të mi që jetojnë e punojnë në vende të tjera me vargjet e Fishtës :
Pra mallkue njai bir Shqiptari,
qi ketë gjuhë të Perëndisë,
trashëgim që na la i Pari,
trashëgim s’ia lë fëmisë.