Bashkëpunimi Berisha-Rama, PD-në në opozitë, Rama në 2025 dhe Veliaj në 2029 Kryeministër?!
Nga Qamil Gjyrezi
Bashkëpunimi Berisha-Rama është në vazhdën e politikës së vjetër në Shqipëri dhe synojnë që me ‘marrëveshje kulisash’ 34 vjeçarë, ta mbajë sa më gjatë këtë skemë duke e trashëguar tek fëmijët dhe besnikët e tyre. Qëllimi i kësaj skeme është fshehja e korrupsionit, aferave dhe e pazareve e skandaleve politike edhe disa vite të tjera për të shpëtuar nga SPAK. Berishës ia kanë kundërshtuar, trashëgimin e PD-së fëmijëve që në vitin 2007-2008, ish-anëtarë të kryesisë. Kurse Rama ka lojë tjetër, duket se Veliaj do ta trashëgojë PS-në, por Rama as që e ka sot ndërmend largimin, por pretendon mandatin e 4-të që ka shumë gjasa që do ta fitojë në 2025. Ditët e fundit po lexoj për ‘optimizmin’ e Sali Berishës, Argitës, por jo të Gaz Bardhit dhe deputetëve pa ‘shtyllë kurrizore’ për fitoren e zgjedhjeve në 2025?! Bardhi ka në mendje një kandidaturë anonime, që Argita nuk ia pranon. Nëpërmjet mediave të tyre, lozin me ndjenjat dhe emocionet e shqiptarëve, që kërkojnë largimin e Ramës, që bën propagandë me detyrimet që ka një qeveri në shërbim të qytetarëve, duke justifikuar skandalet qeveritare. Mbështetësit e Berishës, stafi i afërt arrijnë deri në atë pikë absurde, me broçkulla politike dhe deklarojnë se do të zgjedhin Kryeministrin Berishën, me referendum mbas fitores në zgjedhje? Deklarata të tilla, para-politike dëgjohen vetëm në një forcë politike që është kthyer në shërbim të politikës familjare, personale duke përdhosur misionin që ka një forcë opozitare. Edi Rama është i interesuar për një situatë e tillë në PD, që të ketë kundërshtarë në 2025 Sali dhe Argita Berishën, me mbështetësit e tyre dhe grupin e Gazit, për të fituar mandatin e 4-të në tavolinë ose në median e tij Digitalb. Po e shkruaj që në fillim, që Berisha dhe familjarët e tij non-grata që sulmojnë drejtësinë SPAK, duke e quajtur Dumanin ‘faqezi’, nuk kanë asnjë shans të fitojnë në zgjedhjet e vitit 2025. ‘Optimizmi i tyre fallco’, ka vetëm një objektiv dhe janë shumica në ethet e një karrige në Parlament dhe një pjesë presin largimin e Berishës, për marrjen e PD-së të mbajtur peng për qëllime personale e familjare. Biles Argita Malltezi po i bën presion grupit të Gazit, që të marrin pjesë në protestën për lirimin e Berishës, protestë që bie ndesh me politikën amerikane dhe vendimet e DASH për non-gratat. Në këtë protestë diçka është e sigurtë, që garantohet pavarësisht propagandës, që Rama do të jetë Kryeministër, kurse PD e Berishës në opozitë. Kjo marrëveshje që filloi me kthimin në Kuvend të Foltores, ligjin për amnistinë e të dënuarve për korrupsion nga GJKO, vula e PD-së, mandati i Berishës, listat e mbyllura dhe disa ligje që kërkojnë shumicë të cilësuar, kundër SPAK në favor të klientëve të qeverisë për të mbrojtur korrupsionin galopant. Të gjithë këta individë pa bosht politik, e dinë mirë se pa firmën e Berishës dhe Argitës nuk do të jenë në listat për deputet në 2025. Një situatë absurde opozitare, që gjoja do të rrëzojnë Edi Ramën, shkatërron PD-në si forcë opozitare, i siguron Ramës mandatin e 4-tët dhe automatikisht i jep shanse mbas 4 vitesh që Erion Veliaj të pretendojë për Kryeministër në 2029 ose përpara. Opozitarët ‘berishistë’, mbajnë vulën selinë dhe kërkojnë imunitet në ‘opozitë fallco’ dhe të humburit janë shqiptarët të rinjtë që po largohen çdo ditë nga vendi të pa shpresë. Prandaj demokratët euroatlantikë dhe Lulzim Basha dhe PD Euroatlantike, duhet të bashkëpunojnë të gjithë spektrin politik që kërkon ti japin fund tranzicionit 34 vjeçar dhe marrëveshjes së Katovicës. Demokratët euro-atlantikë duhet të konkurrojnë në zgjedhjet e vitit 2025 për të parandaluar këtë skemë që edhe mund të realizohet dhe është me afatgjate për 30 vitet e ardhshme!? Demokratët euroatlantikë, duhet të përfaqësojnë të djathtët të çliruar nga Katovica, siç deklaronte Z. Basha mbrëmë në media. Politika në Shqipëri në 34 vite, ka menduar shumë pak për njerëzit, prandaj çdo ditë dëgjojmë skandale në mjekësi, dogana, korrupsion në pushtetin lokal, tendera dhe një situatë që e bën të ardhmen të pasigurtë për të gjithë. Edhe në protestat para Bashkisë së Tiranës, ka dorë ky bashkëpunim, që i intereson Ramës, për ti bërë presion Erion Veliaj, që në 2025 është Rama Kryeministër dhe PD e përçarë me deputetë pa shtyllë kurrizore në parlament si opozitë. Politika amerikane duhet të jetë e vëmendshme për marrëveshjen, që edhe në të ardhmen do të jetë problematike për politikën amerikane në rajon dhe Shqipëri me simptomat 34 vjeçare, ish-komuniste. Zoti Kostelancik, besoj se do ta kuptojë këtë lojë, që nuk ka të bëjë me të ardhmen e shqiptarëve, interesat amerikane, por me politikane të zhytur në afera korruptive, që pengojnë integrimin dhe mbajnë në pushtet Ramën, Erionin, në opozitë Argitën dhe miqtë e saj, politikë që ka shpopulluar Shqipërinë në 34 vite.