Si qytetar dhe punonjës i sektorit të kulturës, parimisht e mbështes Peticionin e profesorëve të Akademisë së Shkencave, veçanërisht për afirmimin e figurave me kontribute të shquar, sikurse prof. Eqrem Çabejt, nga i cili veç kulturës së tij të thellë, kemi mësuar të ndjehemi krenarë për kulturën e popullit tonë. Personaliteti i prof. E. Çabejt, si një nga përfaqësuesit më të shquar të shkencës dhe të kulturës shqiptare, përveç fushës së gjuhësisë, është evidentuar edhe në fushën e historisë së letërsisë, kur kjo degë e albanistikës ishte në fillimet e saj. Prof. Çabej do të ndërmerrte dy prej studimeve të tij më themelore për letërsinë, hartimin e tekstit “Elemente të gjuhësisë e të literaturës shqipe”, botuar më 1936, dhe të studimit sintetik “për gjenezën e literaturës shqipe”, përfunduar në vitin 1939. Interesat e tij shkencore si filolog, e çuan në studimin e letërsisë së vjetër shqiptare, me monumentet e hershme të shkrimit të shqipes dhe me letërsinë e arbëreshëve, e cila duke pasqyruar një fazë të caktuar të zhvillimit të shqipes, i dha atij lëndë për studimet e veta. Gjithë kjo punë, e rreshton prof. Çabejn si një nga korifejtë e shkencës sonë kombëtare, misionin i së cilës ishte të nxirrte në dritën e së vërtetës vlerat historike kulturore të kombit, t’i vërë ato në shërbim të përpjekjeve për afirmimin dhe mbrojtjen e identitetit kombëtar të popullit të vet. Njohja e rolit të faktorëve historikë e shoqëror në zhvillimin e letërsisë, duke përfshirë në to traditat dhe mjedisin në kuptimin e gjerë të fjalës, i krijuan Prof.Çabejt bindjen, se kultura shpirtërore “rron jetën e saj organike, shkon pas frymës së kohës dhe nderon bashkë me të”. Nga kjo premisë buron mendimi i tij se rrethanat historike kanë gdhendur fytyrën e veçantë të popullit tonë, shprehur në poezinë e tij artistike. Ndikimin e rrethanave të veçanta të jetës historike të shqiptarëve në letërsinë e tyre prof. Çabej e sheh në përmbajtjen e saj atdhetare, në faktin se për krijuesit e kësaj kulture është karakteristik tipi i këngëtarit luftëtar, bartës e përhapës i idesë nacionale… të shprehur në historinë, në gjuhën, zakonet, kostumet, në folklor dhe në mbarë kulturën e tij materiale dhe shpirtërore, si rezultante historike: në formimin e etnosit e të kombit shqiptar, të gjuhës e të kulturës së tij. Është theksuar nga studiues seriozë, se në studimin e tij “Për gjenezën e literaturës shqipe”, prof Çabej ka bërë një hap përpara, krahasuar me M. Lambercin. Duke shkruar për literaturën shqipe, prof. Çabej ka theksuar: “Trajtat e përbashkëta që na shfaqen te kjo nuk janë nga asgjëja: Është shtresa e lashtë shqiptare, e mbetur kaq kohë latente, ajo që shpërthen më në fund në një jetë të re. Njësia letrare ka qenë e gjallë që në fillim, ajo rronte në personalitetin dhe në temperamentin e shqiptarëve.” “Kjo shtresë e qëndrueshme, – ka theksuar Prof. Jorgo Bulo, – para së gjithash, në bazën e saj ka jetën dhe botën shqiptare të pasqyruar në kulturën shpirtërore të popullit tonë, ka atë “tradicion sedentar dhe të paprerë që nga koha e vjetër” që i jep kulturës shqiptare fizionominë e saj të veçantë. Në këtë trashëgim me rrënjë të lashta bën pjesë edhe krijimtaria popullore, folklori me pasurinë dhe freskinë e tij të përjetshme, që rrjedh si një rrymë e nëndheshme në damarët e kulturës e të letërsisë shqiptare, duke vepruar si një traditë e gjallë dhe si një forcë njësuese. Vetëm në këtë kontekst mund të kuptohet interesi i gjallë dhe i pandërprerë shkencor që tregoi prof. Çabej për folklorin, për rolin e tij në ngjizjen e letërsisë shqiptare dhe në zhvillimin e saj artistik.”. Prof. Çabej nuk iu kthye problemeve historiko-letrare dhe nuk mund të ndiqte rrjedhat bashkëkohore të letërsisë shqiptare, sepse ishte i preokupuar nga një problematikë shkencore, siç qe gjuhësia historike, së cilës i kushtoi jetën. Por gjithmonë prof. Çabej, ka evidentuar vendin e veçantë që zë folklori në jetën dhe në kulturën shpirtërore të popullit shqiptar. E mirëkuptojmë dhe e aprovojmë shqetësimin e profesorëve të Peticionit për gjuhën shqipe, por nuk e kuptojmë indiferencën e tyre për kulturën shpirtërore të studiuar prej prof. Çabejt, veçanërisht për folklorin. Si mund të firmos, luftën kundër sharlatanëve, një sharlatan, si akademiku Vasil Tole, i cili e ka tjetërsuar Polifoninë Shqiptare deri në UNESCO? Akademia e Shkencave në vitin 1997 ka botuar librin: “Çështje të Folklorit Shqiptar” nr. 5. Në të është përfshirë kumtesa e prof. Beniamin Krutës për vendin e Polifonisë shqiptare në polifoninë e Ballkanit”: “Polifonia shqiptare, mbulon një territor të gjerë, që shtrihet që nga hapësirat veri-lindore përreth Strugës, krahut lindor të liqeneve të Ohrit dhe Prespës, rrethinave të Kosturit dhe krejt Jugun e Shqipërisë, deri në thellësi të Çamërisë.”(Çështje të Folklorit shqiptar, Tiranë 1997, f. 179-191). Si mund të injorojë Akademia e Shkencave, vet Akademinë e Shkencave,që ka botuar këtë studim dhe ta tjetërsojë Polifoninë shqiptare, duke propaganduar “iso-polifoninë” e sirenave greke si djepin e polifonisë shqiptare?! Përse Akademia Shqiptare mban qëndrim të diferencuar, duke mbrojtur prof. Çabejn në aspektin gjuhësor dhe e injoron atë në aspektin e kulturës shpirtërore? Si mund të mbrohet prof. Çabej dhe të injorohen profesorët e Institutit të Kulturës Popullore: Ramadan Sokoli, Beniamin Kruta e të tjerë studiues të Polifonisë Shqiptare, rezultatet shkencore të të cilëve u asgjësuan, sepse u tjetërsuan në UNESCO si “iso-polifoni” e sirenave greke?! Mosvallë prof. Çabejn e ka lindur nëna dhe prof. Ramadan Sokolin, Beniamin Krutën dhe profesorët e tjerë të Polifonisë i ka pjellë lopa?! Ata e kanë studiuar krijimtarinë shpirtërore të popullit shqiptar, si Polifoni Popullore Shqiptare të krijuar në Shqip&
euml;ri nga ky popull, të shpallur qysh në Konferencën e I të Albanologjisë në vitin 1962, ndërsa akademiku Vasil Tole e ka falsifikuar si “iso-polifoni” me origjinë nga sirenat greke!
Asgjësimi i Polifonisë shqiptare
Asgjësimin e Polifonisë shqiptare, akademiku Vasil Tole e ka shpallur botërisht në UNESCO: “Polifonia do të mbetet gjithnjë një këngë magjike e sirenave.”( Faqja zyrtare e UNESCO-s,: videofilmi në linkun: “archives/multimedia/document-610”) shih tirat në minutazhin 1.41-1.53 të videofilmit! Linku- “albanian-folk-iso-polyphony-00155”). Si mund ta pranojnë këtë devijim antikombëtar, firmëtarët e shqetësuar për gjuhën shqipe dhe u janë zënë sytë të shikojnë sesi akadamiku Tole ia ka faturuar përjetësisht këngën polifonike shqiptare sirenave greke?! A mund të lejohet përbaltja e popullit shqiptar që e ka krijuar nëpër shekuj këtë Polifoni, si dhe e studiuesve shqiptarë që e kanë studiuar atë nëpër fshatra dhe stane nga Jugu në Veri, duke e grumbulluar në arkivin e Akademisë së Shkencave? Përse nuk konsiderohet edhe Polifonia, një çështje kombëtare shumë serioze dhe një problem që përcakton, krahas gjuhës, identitetin kombëtar, sikurse edhe gjuha?! Në dy botimet e akademikut Tole, përveç sirenave dhe kuajve, mbizotëron mbretëria e vdekjes, Hadi dhe Lumi i Vdekjes, Akeroni, tek të cilat përpiqet ta lokalizojë territorin ku formohet shtrati muzikor i “iso polifonisë”: “Pavarësisht se, vajtimi për të vdekurit ndjek kudo të njëjtat ligje, nuk do të lihet pa përmendur fakti, se Lumi i Vdekjes – Akeronti – dhe Hadesi- mbretësia e vdekjes, lokalizohen si të tilla në rajonin e maleve të Sulit”.(V. S. Tolie, Pse qajnë kuajt …vep. e cit. f. 53) Sikundër shihet, akademikut Vasil Tole, i intereson territori i Çamërisë si territor i Greqisë politike!“Ashtu siç formohet Akeronti prej bashkimit të lumenjve më të vegjël…në të njëjtën mënyrë edhe zërat e ndryshëm të iso-polifonisë vajtimtare, krijojnë një shtrat muzikor të ngjashëm me këtë lumë, i cili kur i vdekuri është ende mbi tokë, qëndron aty për të bërë lidhjen e këtyre dy botëve…”(Përse qajnë kuajt e Akilit…f.46) Kjo është çmenduria e radhës e akademikut Tole, e cila buron nga metodologji metafizike. Ai i pasaportizon sirenat në Epir: “Ne i përmbahemi idesë, se vendndodhjen e sirenave mund ta lokalizojmë pranë brigjeve të sotme shqiptare…”63Pranë brigjeve të sotme shqiptare, pra në Çamëri! Si e aprovojnë firmëtarët e peticionit këtë diversion të akademikut Vasil Tole?! Është Çamëria, vendbanimi i sirenave greke?! Profesor Çabej ka shkruar: “Lokalizimi i mitit të Odiseut në Itakë do të thotë se Odiseu është më tepër një hero i Greqisë veriore, pra i një vendi që ka qenë në kontakt të përhershëm me fiset Iliro-shqiptare. Paul Kretschmeri në veprën e tij “Hyrje në historinë e gjuhës greke”, është i mendimit se ata që shpunë emrin e Odiseut në Itali kanë qenë fiset Ilire… Odiseu kishte një orakël te Eyrytanët që nuk ishin grekë; mbi lidhjet e të ngushta me Thesprotët dhe mbi rolin e rëndësishëm që duhet të ketë luajtur rolin i tij në Epir të brendshëm… Lufta midis origjinës së errët të mitit të Odiseut, është ndezur rishtazi në në polemikë të ashpër midis Siegmund Feistit dhe Rudolf Much. I pari e deklaron Odiseun një hero Ilir, i dyti lufton për origjinën helene. Ne theksojmë vetëm këtë se, teoria e Feistit nuk na duket absurde, po të marrim parasysh zotësinë e madhe të frymës greke në të përkulur, të përvetësuar, të helenizuar të kulteve të huaja. Sidoqoftë një lidhje e afërt e kësaj figure me fiset ilire të Epirit nuk mohohet. Një provë janë edhe paralelet që besojmë se zbuluam midis Odiseut dhe Kostandin – Ymer Agos”.( Eqrem Çabej, Studime gjuhësore, Prishtinë 1975, f. 99-100)
Dhe më poshtë prof. Çabej vazhdon: “Në artikullin e tij “Gjendja e sotme e studimeve ilire”, Karl Keren, shënon se prehistoriani gjerman Carl Schuchardt shikon te Odiseu “Ilirinë e vërtetë”, sepse ky mbretëron mbi ishuj që janë të sferës ilire dhe dallohet “me urtësinë dhe e me gjakun e ftohtë të tij” prej heronjve të tjerë të Iliadës: Gjithçka te Odiseu është detari, gjithçka lot në Mesdheun perëndimor, gjithçka është mënyrë jetese dhe legjendë ilire”. (Eqrem Çabej, Studime gjuhësore, Prishtinë 1975, f. 100). Në përfundim, prof. Çabej konkludon: “Dijetarë të disiplinave të ndryshme e kanë marrë në sy origjinën ilire të heroit të Homerit. Na vjen mirë të shënojmë, se edhe poezia popullore shqiptare mund të kontribuojë në zgjidhjen e disa problemeve homerike”. (Eqrem Çabej, Studime gjuhësore, Prishtinë, Rilindja, 1975, f. 100) Prof. Çabej i referohet territorit të Greqisë etnike, jo Greqisë Politike, të përcaktuar prej Fuqive të Mëdha pas Konferencës së Ambasadorëve të vitit 1913 në Londër. Në studimet e tij prof. Çabej ka konstatuar: “Edhe grekët e Epirit këndojnë me melodi labe disi të ndryshuara. Pjesa dhënëse këtu janë shqiptarët, sepse arumunët, grekët, që nuk rrojnë pranë shqiptarëve, nuk i njohin këto melodi”. (Eqrem Çabej , Studime Gjuhësore… f.131). Sikurse shihet, prof. Çabej konkludon, se në Epir, grekët këndojnë melodi labe, sepse grekët që rrojnë larg shqiptarëve nuk e njohin polifoninë labe dhe çame. Pjesa dhënëse janë shqiptarët, sepse shqiptarët janë autoktonë në Epir, jo grekët. Si mundet të heshtin profesorët firmëtarë, kur akademiku Vasil Tole e poshtëron prof. Çabejn, duke e konsideruar polifoninë e Epirit si “iso-polifoni” të sirenave greke?! Si mund të shkelë akademiku Tole brutalisht mbi studimet folklorike të prof. Çabejt?! Prof. Çabej ka theksuar: “Është interesante që kënga e Çamëve të fundit jugor të Shqipërisë u përngjajnë këngëve të Toskëve… për të cilat flet Holger Pederson, të cilit iu paraqitën masa çame, psh: “Se ç’t’arç nga porta/ Dolla nga divani” Shohim kështu se si këngët popullore janë në gjendje të lëshojnë dritë dhe në historinë e fiseve tona.”(E. Çabej, Studime gjuhësore, Prishtinë 1975, f. 101). Profesor Çabej ka shkruar për këngën shqiptare në Epirin shqiptar, ndërsa akademiku Tole ka shkruar për këngën “iso-polifonike” të sirenave në Epirin grek?!Përse firmëtarët e peticionit nuk e marrin në mbrojnë prof. Eqrem Çabejn edhe në këtë kontribut të tij kombëtar, por lejojnë një sharlatan si Vasil Tole, ta injorojë dhe ta konsiderojë Epirin grek dhe Polifoninë Shqiptare “iso-polifoni” të sirenave greke?! Ish sekretari i Akademisë së Shkencave të Republikës Franceze, Akademiku Moris Drynon, ka pohuar: “Shqiptarët u përkasin atyre popujve që janë më të vjetër se sa vetë historia. Stërgjyshërit e tyre kanë marrë pjesë në Luftën e Trojës. Ata kanë pasur udhëheqës Akilin dhe mbretin Pirron”. (Spektër 1999, nr 7) Sikurse shihet akademiku i madh francez e konsideron Epirin si territor shqiptar. Për Epirin si etnitet Ilir, ka shkruar edhe prof. Shaban Demiraj: “Mendimi i disa dijetarëve, sidomos grekë, që ata flisnin një dialekt të greqishtes nuk del i mbështetur. Përndryshe do të duhej pranuar që stërgjyshërit e banorëve shqipfolës të kësaj zone, kanë zëvendësuar një popullsi të mëparshme greqishtfolëse, çka nuk mbështetet as historikisht dhe as nga rrethanat e njohura. Mund të pohohet, se gjuha amtare në të ashtuquajturin Epir gjatë shekujve, duke përshirë edhe periudhën e lashtësisë, nuk ka qenë e ndryshme nga ajo e stërgjyshërve shqiptarëve në përgjithësi.” (Shaban Demiraj, Epiri-Pellazgët, Tiranë 2008, F. 93-94. Përse akademiku Tole të ketë preferenca për Epirin grek, me vendbanim të sirenave?! Në botimin “Odiseja dhe sirenat grishje drejt viseve iso-polifonike të Epirit”, duket qartë, sharlatanizmi i akademikut Vasil Tole, i cili i paraqet sirenat, jo qenie imagjinare, por qenie frymore që bëjnë përpjetë Epirit!Në ç’vise kanë banuar sirenat para se të grishnin drejt viseve të Epirit? Ç’duan sirenat drejt viseve të Epirit, përse nuk kanë qëndruar në viset e tyre atje në Greqi, po kanë vërshuar drejt viseve të Epirit?! Ku e pa akademiku Vasil Tole, vrapin e sirenave drejt Epirit, kur nuk ka asgjëkundi sirena?! Epir dhe sirena janë dy etnitete të ndryshme! Ti vendosësh sirenat imagjinare greke në Epir, në kohën e antikitetit, do të thotë ta trajtosh territorin e Epirit si territor grek, sepse janë dy të kundërta: ose Epiri do jetë i Ilirisë, ose Epiri do të jetë i sirenave, të cilat prej akademikut Tole, konsiderohen qenie mitologjike greke. Ç’duan qeniet mitologjike greke në territorin Ilir? Si e vërteton Akademia e Shkencave, se Polifonia Popullore Shqiptare e ka prejardhjen prej “iso-polifonisë” së sirenave greke?! Nëse nuk e vërteton dot këtë çmenduri të akademikut Tole, përse nuk e korrigjon? Në Dosjen e UNESCO-s akademiku Vasil Tole ka pohuar: “Zëri i Sirenave nuk ishte i veçantë për shkak të bukurisë së tij në vetvete, por, më e rëndësishme, ai ishte i veçantë për shkak të teksturës vajtimore iso-polifonike të tyre, veçori të cilën ende sot e gjejmë tek iso-polifonia labe, në ish trojet e Epirit të dikurshëm antik.”( V. Tole, Odisea dhe Sirenat… f. 24-25). Sikundër shihet, “iso-polifonia” labe, teksturën vajtimore e ka marrë nga zëri i Sirenave, jo nga krijimtaria shpirtërore e popullit shqiptar, pra “Iso-plifonia”, na qenka greke, sepse greke janë sirenat: “Në mitologjinë e lashtë greke sirenat paraqiteshin si qenie gjysmë zogj dhe gjysmë gra.” (Vasil S. Tole, Odiseja dhe sirenat…vep e cit. f. 10) Nëse prof. e Peticionit e kanë dëgjuar zërin e sirenave, kanë të drejtë ta përkrahin akademikun Tole, por nëse ende nuk e kanë dëgjuar “iso-polifoninë” e sirenave, duhet ta denoncojnë këtë sharlatan që i ka vënë këmbën, jo vetëm Akademisë së Shkencave, por tërë popullit shqiptar. Lind pyetja, si e huazoi populli shqiptar traditën e këngës polifonike nga sirenat greke?! Në cilin shekull?
! Pavarësisht shkarjes racionale, Vasil Tole ka qenë i vëmendshëm, që në “zbulimin“ e tij “iso-polifonik”,t a vendos zërin e sirenës “Peisoines”, “isos”, të katërtin te kori i sirenave greke. Ndërsa në polifoninë shqiptare, Tole e ka vendosur “ison”, në vendin e parë, ndërkohë që nuk ka asnjë rast të tillë në traditën e këngës folklorike!
Pëllumb Xhufi dhe Lisien Bashkurti
Akademiku Pëllumb Xhufi ka hulumtuar mijëra dokumente që dëshmojnë etnicitetin arbëror të krahinës së Çamërisë në Epir: “Me emrin Vageneti kuptohet pjesa e Epirit klasik nga Gjiri i Prevezës deri në Delvinë. Është i rëndësishëm pohimi i “Kronikës së Toccove”, se në të gjithë shtrirjen Pargë-Paramithi Janinë,-Artë, banonin popullsi shqiptare”. (P. Xhufi, Arbërit e Jonit, Tiranë 2018, f. 340). Pavarësisht seç shkruajnë personalitetet e ndritshme të Kulturës Shqiptare, akademiku Vasil Tole ka futur në UNESCO një tezë shoviniste: “Dy zona të mëdha gjeografike dallohen në këtë territor gjeografik: Toskëria dhe Labëria. Gjysma jugore e këtij vendi ka qenë quajtur Epir dhe ajo veriore është quajtur Iliria”..A mund ta aprovojnë profesorët e peticionit këtë diversion të akademikut Tole, se Jugu i Shqipërisë nuk quhet Iliri, por Epir?! Akademiku Tole depoziton në UNESCO kulturën e shtetit grek: “Me të drejtë thuhet se arti i Greqisë së lashtë kaloi nga ideja e kaosit tek ideja e botës harmonike … Iliada dhe Odisea përbëjnë burimin e parë historik, monumentin e parë të shkruar, i cili përshkruan aktet e trimërisë së parahelenëve në këtë epokë”.(V. S. Tole “Odisea dhe sirenat, grishje drejt viseve isopolifonike të Epirit… f. 65). Sikundër shihet, poemat “Iliada” dhe “Odiseja”, akademiku Tole i konsideron Pjesë të artit Grek, ndonëse Homeri ka shkruar se Trojanët janë Dardanë! Në poemën “Odisea”, gjenden sirenat, pra edhe ato janë greke, rrjedhimisht, sharlatani Vasil Tole, edhe kënga “iso-polifonike” e sirenave mbetet të jetë greke!Përse nuk bëjnë profesorët e peticionit një peticion kundër “iso-polifonisë” së sirenave dhe kundër Ministrisë së Arsimit, e cila ka programe muzikore në shkolla për studimin e “iso-polifonisë” nga nxënësit?! Nuk i shqetëson ky realitet profesorët firmëtarë?! Më 16 gusht 2016, prof. Lisien Bashkurti denoncon prof. Panajot Barkën:“Kam qenë ambasador në Këshillin e Europës në Strasburg, kur udhëtonim me Drejtorin e Përgjithshëm të UNESCO-s, dr. Frederiko Major, për në Shqipëri për të parë Beratin…ndër të tjera më tha: “A këndojnë edhe banorët e kësaj krahine me polifoni?…Shqipëria është e tëra një muze thesari botëror …por polifonia është hyjnesha e saj”. Mirëpo na del një qytetar yni i vetdeklaruar minoritar grekë që sulmon polifoninë shqiptare. Ky njeri është arketip fobik injorant që don të rrëmbejë edhe këtë vlerë me barkën e tij e ta degdis nëpër ishujt helenë apo nëpër monopatet e Malit Athos”. Akademiku Vasil Tole, me një gjuhë antishkencore, sikurse është vetë ekzistenca e sirenave, përmbysi gjithçka që ishte arritur për një kohë shumë të gjatë,nga studimet albanologjike. Këtu hyn në fuqi thënia e Peticionit: “Padia mbizotëroi mbi dijen”. Duke lexuar në Peticionin e Profesorëve “druajtjen“për konflikte ndëretnike, druajmë se këtu fle lepuri!Qarqet reaksionare greke përvehtësuan flamurin e krishterimit dhe e vunë në flamurin e tyre dhe nuk pati konflikte etnike: Qarqet reaksionare greke na vranë mësuesit e gjuhës shqipe dhe nuk pati konflikte etnike. Patriarkana e mallkoi Gjuhën e Shenjtë Shqipe dhe nuk pati konflikte etnike. Propaganda greke na rrëmbeu Trojën e Dardanëve, të cilën na i ka dhënë Homeri, dhe nuk pati konflikte etnike. Qarqe politike greke na vranë oficer e ushtar në Postën e Peshkëpisë dhe nuk pari konflikte etnike, klanet shoviniste kërkojnë Detin dhe Himarën si provincë greke dhe nuk ka konflikte etnike.