Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken vizitoi vendin tonë, në një kohë kur investimet e shtetit të tij janë trefishuar brenda pak viteve tek ne. Ai cilësoi se bashkëpunimi ekonomik mes te dy vendeve ka potenciale të mëdha për të diversifikuar burimet shqiptare të energjisë, përmes investimeve në energjinë hidrike, eolike dhe diellore. Kompani globale të energjitikës, si Bechtel, Voltalia, Eni, Shell apo Statkraft po investojnë fort tek ne. Pavarësisht se vizita e tij nuk ishte ajo e një emisari të interesave të investuesve amerikanë në Shqipëri, ajo sërisht i ndihmoi shumë interesat ekonomike amerikane. Shpresa më e madhe është projekti për Skavicën. Bechtel, ndër kompanitë më të mëdha të ndërtimit në SHBA dhe në botë, me xhiro vjetore mbi 36 miliardë dollarë, është kontraktuar nga qeveria jonë, për të kryer studime dhe për të bërë propozime për digën e Skavicës, e cila do të jetë në pronësi publike. Bechtel ka ndërtuar digën më të madhe në botë, Digën Hoover. Projekti i qeverisë sonë për ndërtimin e Hidrocentralit të Skavicës ka gjetur mbështetjen e qeverisë federale amerikane, e cila ka shprehur angazhimin e drejtpërdrejtë, për të mbështetur Shqipërinë në këtë iniciativë kaq të rëndësishme. Në kuadër të Memorandumit të Bashkëpunimit Ekonomik për Projektet dhe Blerjet mes qeverisë shqiptare dhe Qeverisë Federale të SHBA-ve, ZvKryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe përfaqësuesi i kompanisë Bechtel, Justin Siberell, President i Rajonit të Europës dhe Lindjes së Mesme për Bechtel, nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit për Bashkëpunimin në lidhje me Projektin e Hidrocentralit Skavicë. Në dokumentin e nënshkruar theksohet rëndësia e projektit, si një projekt me interes kombëtar, i cili do të mundësojë që Shqipëria të krijojë pavarësi të plotë nga importi i energjisë dhe do ta pozicionojë vendin tonë si qendër energjie për rajonin. Memorandumi vlerëson përvojën unike dhe të zgjeruar të Bechtel në projektimin dhe zbatimin e zgjidhjeve inxhinierike novatore si dhe të financimit të nevojshëm për realizimin e këtij projekti kompleks, zgjidhje të cilat nuk janë zbatuar ende në Shqipëri. Projekti pritet që ta kthejë Shqipërinë në eksportuese të energjisë neto në rajon. Ndërkohë investimet amerikanë tek ne janë shtuar ndjeshëm. Nëse investimet amerikane në Shqipëri, në vitin 2019 ishin vetëm 80 milionë dollarë amerikanë, në vitin 2022 ato praktikisht u trefishuan. Viti i kaluar shënoi po ashtu rritje për nëntëmujorin janar-shtator 2023 me 17.5 përqind. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, investimet amerikanë në vendin tonë kapën vlerën e 220 milionë dollarëve në vitin 2022, nga 161 milionë dollarë që ishin një vit më parë. Një shtim prej 37 përqind. Pas pandemisë së Covid-19, këto investime erdhën duke u zgjeruar, edhe pse shifrat e mësipërme janë nën potencialin e dy vendeve tona. Firmosja gati tre vite më parë e marrëveshjes të qeverise sonë me kompanitë e mëdha amerikane të energjisë Exxon Mobil dhe Excelerator ka hapur një perspektivë të re. Stoku kumulativ i investimeve nga SHBA-të, në fund të tremujorit të tretë të vitit 2023, arriti në 259 milionë euro, ose në rritje me 29 përqind. Investimet amerikane janë të përqëndruara në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë sonë, si në energjetikë, tek gazi i lëngshëm natyror, në sistemin financiar, etj. Reforma në drejtësi që po zbatohet tek ne, ka dhënë garanci tek investuesit amerikanë dhe jo vetëm, për siguri dhe trajtim të barabartë të investimeve të huaja në vend. Kjo nuk kishte ndodhur në tre dekadat e fundit. Ndërkohë që bumi i dy viteve të fundit në turizëm, zhvillimi i teknologjisë së informacionit dhe digjitalizimi i shërbimeve publike dhe i sistemit bankar në Shqipëri, po tërheq akoma dhe më fort investitorët e huaj, duke përfshirë edhe ata amerikanë. Plani për investimin ushtarak të NATO-s (para së gjithash, amerikan) në bazen e vjetër ajrore të Kuçovës, i ka siguruar edhe më tej investuesit nga SHBA-të. Biznesi amerikan është më i përfaqësuari në Shqipëri. Dhoma Shqiptaro-Amerikane e Tregtisë ka të rregjistruar si anëtare të saj 240 kompani me të ardhura vjetore deri në 3 miliardë dollarë, të cilat punësojnë rreth 4 mijë punonjës. Kjo dhomë është një zë i rëndësishëm i biznesit në Shqipëri dhe ka kontribuar me mendimet dhe sygjerimet e saj në shumë nisma me vlerë për përmirësimin e klimës së biznesit tek ne. Biznesi amerikan, edhe me ndihmën dje të Blinken, është në shtrirje të plotë në Shqipëri dhe në rajon.
Spektakël në koncertin e Noizy-t, reperi surprizon në mënyrë të veçantë fansin e tij, video-ja bën xhiro në rrjet
Reperi mjaft i dashur për publikun, Noizy është gjithmonë në qendër të vëmendjes sa i përket këngëve dhe koncerteve të...
Lexo më shumë