Duket si një ftesë sa për të larë gojën dhe për t’u shitur si të moderuar në marrëdhënie me pjesën opozitare zyrtare të kryesuar nga Lulzim Basha. Bamirësia e Gazmend Bardhit si të ishte një babaxhan që shpërndanë dhurata e ftoi Bashën të marrë pjesë në nënkomisionin e ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar. Propozuesi ishte i bindur se PD zyrtare do ta refuzonte këtë ftesë e cila nuk ishte në radhë të parë e sinqertë. Pasi siguroi pozicionin e vet në krye të grupit parlamentar, si të ishte babagjyshi i vitit të ri, nisi të shpërndajë dhurata për katet e tjera të ngrehinës opozitare. Sipas logjikës pas kërbaçit i erdhi radha kulaçit. Ftesa e parë iu drejtua deputetëve të PD-së për të zgjedhur një deputet nga radhët e tyre,përfaqësues i cili do ishte në grupin e opozitës për të diskutuar e marrë vendime për ligje të cilat kërkojnë domosdoshmërisht votat e të gjithë pjesëmarrësve në kuvend. Pas betejës së stërzgjatur dhe kthimin e sallës së kuvendit në teatër absurd, dialogu me socialistët u shpëtoi nderin e humbur foltoristëve dhe kuptohet i solli në parlament si përfaqësues të popullit, detyra e të cilëve nuk është djegia dhe flakadanët, po debatet dhe diskutimet për të gjetur zgjidhjet më të mira në interes të qytetarëve shqiptarë. Për vite me radhë, ky mision u harrua dhe deputetët opozitarë përqafuan nisma të cilat i dërguan në fund të humnerës,siç ishte dorëzimi i mandateve dhe akti ekstrem i mospjesëmarrjes në zgjedhe, veprim ky që i la pa përfaqësim në pushtetin lokal dhe pas katër vitesh në zgjedhjet lokale në humbje katastrofike. Tani, Gazment Bardhi kërkon të joshi deputetët e Lulzim Bashës me një vend në nënkomisionin konsultativ, ku ai ndihet zot për vendimmarrje dhe i aftë për tu imponuar në zgjedhjen e kandidaturave sipas shijeve të tij. Në se deputetëve të grupimit të Bashës i takon një vend në këtë nënkomision apo kudoqoftë ata nuk kanë fare nevojë për shkuesi. Çfarë u jep ligji, u takon dhe bamirësit le ti kursejnë qokat se janë të uritur për vete. Ftesa e Bardhit i ngjanë hedhjes së një guri në pus. Zuri vend, mirë, iku në drejtim të paditur nuk mbajnë përgjegjësi. Në këto rrethana, ftesa është fiktive dhe jo dashamirëse. Ngjanë më shumë si një fyerje sikur PD zyrtare ka nevojë për lëmoshë. Realisht,grupimit të Bashës i takon një vend në këtë nënkomision se është realitet politik dhe ka gjithë të drejtën të kërkoj vendin e vet, jo nga Bardhi, po nga Kuvendi i Shqipërisë. E drejtë kjo që buron nga realiteti i kauzës dhe i numrave në parlament. Pavarësisht nga lëvizjet e deputetëve nga PD zyrtare te Rithemelimi, grupi Basha mbetet faktor i rëndësishëm në jetën politike të vendit. Ku qëndron hilja e ftesës së Bardhit dhe përse kjo është hipokrizi e pastër? Nuk analizojmë akrobacitë e shumta të deputeteve deri dje në rresht me Bashën të cilët kapërcyen ylberin dhe u konvertuan ne pëdëisto- foltoristë. As betimet apo akuzat nga më të rëndat adresuar njëri -tjetrit, po tek filozofia që ndanë këto dy grupime të cilat janë sot një realitet i prekshëm. Në se Basha do thoshte, ok, po dërgojmë përfaqësuesin të tek grupi i “Rithemelimit” e gjithë kauza e ndërtuar deri tani nga deputetët e Bashës do rrëzohej si një ngrehinë pa themele. Deputetët e Bashës kanë deklaruar dhjetra herë se nuk do kenë bashkëpunim me foltoristët dhe këtë e lidhin me qenien e Berishës në krye pasi pozicionimi i PD zyrtare, është, pro SHBA, pro BE, pro SPAK. Nuk mund të ketë pajtim mes këtyre dy grupimeve edhe pse kanë patur të njëjtën shtëpi dhe kanë qenë nën të njëjtën çati. Sot shumë rrethana kanë ndryshuar. Kreu i foltoristëve është pezulluar nga partia pas shpalljes non grata nga Basha. Aksionet e tij kundër pjesës tjetër i provuan tërë metodat. Deri tek dhuna e ashpër e qysqive, levave, gazit lotsjellës. Ky veprim nuk është toleruar asnjë moment nga deputetët e Berishës. Përditë, ata poshtë dritares në manifestimet pro liderit, deklarojnë se do bëjnë gjithçka të çojnë në liri liderin e tyre. Luçiano Boçi deputet i foltoristëve shpalli devizë të partisë, lirinë e Berishës dhe nuk është i vetëm. Shumica prej deputetëve betohen përditë për lirinë e tij,duke e kthyer në kauzën më të rëndësishme politike. Krejt objektiva të tjera kanë deputetët e Lulzim Bashës, ata duan politik të pastër dhe janë afishuar plotësisht me perëndimin dhe mbrojnë fuqimisht drejtësinë e re. Në këtë vështrim PD zyrtare, ajo e vulës dhe siglës nuk mund të pranonte apriori ftesën e helmatisur të Bardhit e cila është më shumë cinike se realiste. Është pikërisht ky koncept dhe këto parime të cilat e detyruan Bashën t’i thoshte jo ftesës së Bardhit. Në se PD i takon një anëtar në këtë organizëm, atëherë i takon kuvendit ta ftoj dhe t’i krijoi tërë aksesin për të dhënë kontributin e vet për ligjet, politikën, vendimmarrjen dhe mbi të gjitha të dëgjohen për mendimin e tyre që janë vlerë në një demokraci funksionale. Mospranimi i ftesës nuk është qëndrim refraktar as mungesë bashkëpunimi aq më pak me qëllim përçarje. Nuk është fodullëk. As arrogancë. Përkundrazi është parimësi, seriozitet dhe guxim për të ecur në rrugën e progresit drejt perëndimit, duke qenë forcë politike që kërkon të ketë personalitet dhe prosperitet në lidhje me tërë spektrin politik të Shqipërisë. Ftesës si hipokrizi, PD iu përgjigj me dinjitet dhe largpamësi. Në se do thoshin lepe peqe nuk do ishin alternativë, po thjesht bisht i partisë dhe monument i hipokrizisë!
Spektakël në koncertin e Noizy-t, reperi surprizon në mënyrë të veçantë fansin e tij, video-ja bën xhiro në rrjet
Reperi mjaft i dashur për publikun, Noizy është gjithmonë në qendër të vëmendjes sa i përket këngëve dhe koncerteve të...
Lexo më shumë