Nga Ilir Hunçi
Kam plot gjëra që nuk i kuptoj dot në këtë absurdin tonë shqiptar. Por atë që nuk e kuptoj dot më shumë dhe e di që është e kotë të përpiqem ta kuptoj e shpjegoj,është kjo, DALLDISJA KOMBËTARE për ndeshjet e futbollit të ekipit tonë përfaqësues! Futbolli është vërtet një lojë argëtuese,nga më populloret. Por që ta shohësh futbollin si kulmin e përfaqësimit të një populli dhe ta kthesh këtë lojë argëtuese në një arenë të demonstrimit kulmor të krenarisë, dinjitetit dhe patriotizmit ekstrem kombëtar……nuk është gjë tjetër vetëm një kompleks inferioriteti përzier me katundarizëm, deri në kufijtë e qesharakes. Në ngjarje sportive të tilla është normale festimi në rrugët e qytetit apo stadium,me flamur e brohoritje për skuadrën. Ama,që të shohësh bashkëkombësit e tu, që mbushin rrugët e qyteteve me përkrenaret e Skënderbeut në kokë,ku dikush vishet dhe shfaqet po si Skënderbeu duke shqyer gazit jo vetëm të huajt por dhe shqiptarët vetë,ku një masë valvid flamurin kombëtar me shqiponjën rrethuar nga inicialet e UÇK-së,e ku një pjesë këndojnë këngën e “flamurit më të bukur në botë”, (megjithëse një hymn për flamurin e kemi),e një pjesë këndojnë këngë për Adem Jasharin …… e ç’të them e ç’të shkruaj, kjo i kalon kufijtë e absurdit qesharak. As futbolli nuk mund të jetë demonstrim i epërsisë kombëtare të shqiptarëve dhe as Skënderbeu me Adem Jasharin luftuan e u vranë për futbollin. Sa qesharake do ish p.sh.(as që konceptohet dot),por, sikur italianët të shfaqeshin nëpër rrugët e qyteteve gjermane me fotot apo veshjen e Xhuzepe Garibaldit,bërësit të Italisë së bashkuar,apo francezët të shfaqeshin me fotot dhe veshjet e Bonapartit?E të këndonin për Xhuzepen dhe Bonapartin?E kështu me radhë anglezët, gjermanët, etj? Apo kanë më pak histori e njerëz të mëdhenj se ne shqiptarët?! Mirë po ec e fol me dalldinë shqiptare. Me dalldinë dhe me pafytyrësinë e ca politikanëve që nuk shohin kurrë futboll,por që sakrifikojnë duke u shfaqur në stadiume me shalla të kuq dhe nxjerrin përfitime politike nga kjo dalldi! Prandaj këtu, siç thosh F.Noli i madh, më mirë mbyll gojën,ri e bëj sehir e luaj budallanë që s’kupton,se sa tu thuash të vërtetën shqiptarëve. Se ndryshe e pëson keq!