Shqiptarët janë lodhur me sherret, jo vetëm midis forcave politike, po së pari me grindjet dhe skenat e dhunës mes deputetëve të ngjyrave të ndryshme politike. Askush nuk pretendon që deputetët e copëzave të opozitës, foltoristëve, bardhistëve, shahistët, bashistët pra katër opozita të shuajnë luftën, të humbasin identitetin, duke shkrirë kufijtë mes tyre për një unitet fallco. Pluralizmi politik, demokracia funksionale presupozon diversitetin dhe debatin, opozitarizmin dhe betejat për pushtet. Këto sherre, brenda caqeve demokratike në rrafshin e ideve, programeve dhe nismave apo aksioneve drejt rrugës për pushtet dhe alternimit përmes votës nga opozitë në mazhorancë është prirja për të marrë pushtetin që mbetet qëllimi kryesor i çdo opozite. Ky synim apo objektiv nuk presupozon dhunën e egër dhe luftën për asgjësimin e palës kundërshtare. Vërtetë janë palë kundërshtare, po kurrsesi kjo nuk justifikon përleshjet në sallën parlamentare, duke i vënë flakën apo ndezur flakadanët dhe zhurmimin përmes një dyzinë birbilash që të çajnë timpanin e veshëve. Ashtu siç nuk mund të tolerohen sjelljet gati halabake të shkatërrimit të punës së komisioneve parlamentare, duke zënë demostrativisht karriget e kolegëve deputetë për të mos zhvilluar asnjë analizë aq më tepër mos diskutimin e reformës zgjedhore. Është e tmerrshme që pas tri dekadash parlamentarët tanë kalojnë nga ekstremi i dorëzimit totalisht të mandateve, siç ndodhi vite më parë, akt kulmor ky që nxori jashtë sistemit opozitën dhe e bëri gati të pa qenë për t’i lënë vendin kaosit dhe pastaj akuzave se në Shqipëri u instalua diktatura dhe monizmi. Zhurmë kjo pa asnjë sens pasi deputetët e opozitës braktisën gjithçka duke mos fituar asgjë. Braktisja e parlamentit u shoqërua me veprime edhe më ekstreme për të mos marrë pjesë fare në zgjedhjet administrative. I dorëzuan 61 bashki dhuratë mazhorancës së majtë. Gjatë muajve të fundit kjo lojë luftërash u shndërrua në skenar shkatërrues. Jeta parlamentare u kthye në teatër absurd ku kemi pare, jo vetëm flakadanë, po edhe përdorim të muskujve dhe forcës, një turp ky që nuk i ka hije “baballarëve” të kombit që sillen si çetë bashibozukësh në emër të mbrojtjes së kushtetutës e të lirisë apo pluralizmit politik. Deklaratat mes palëve tingëllojnë si urdhrat në fushëbetejë, ku jo pak deputetë marrin poza dhe shndërrohen në gjeneralë deputetë, të cilëve u mungojnë vetëm rrobat ushtarake, gradat dhe armët. Të gjitha këto i kanë zëvendësuar me ca armë prehistorike siç janë flakadanët,bilbilat, zjarri dhe grushtat. Duket se parlamentarëve tanë u ka ikur pini dhe sillen si gladiatorë dhe muskëtierët larg qytetarisë dhe kundër demokracisë. Beteja e debateve është shndërruar në betejën e ashpër të luftës mes palëve dhe me sjelljen brutale duket se gjaku do shkojë deri në gju. Jo pak deputetë gjeneralë bëjnë protagonistin në emër të popullit. Flasin si të ishin jo qytetarë të kulturuar, intelektualë të mendimit po ushtarë të zbritur në frontin e luftës me moton: ose të zhduk ose të mposht ose të hedh në det ose të shpartalloj me gjithë çfarë ke. Në këtë situatë e vetmja që mungon është Shqipëria, demokracia dhe liria për të bërë politikë. Përditë teatri shton akte force duke u bërë kështu tragjikomik. Ultimatume djathtas, dënime majtas. Dhunë nga deputetët e copëzave opozitare masa drastike nga deputetët e mazhorancës. Komisioni i etikës me kamxhik në dorë ndëshkon deputetët dhunues të flakadanëve dhe fishekzjarrëve, ata që kacavirren nëpër fasada e ngjiten nga dritaret duke zëvendësuar akrobatët e cirkut kombëtar. Shikon si ngjiten mureve për të arritur tek sallat e komisioneve dhe të ngjajnë si sulmi mbi seli në tetë janarin e dy viteve më parë. Dhe deputetët akrobatë të ngjajnë si njeriu merimangë që kacavirret nëpër lartësi, jo për të shpëtuar individët në nevojë, po për të shkatërruar jetën dhe aktivitetin e parlamentit. Në këtë betejë shquhen deputetët e foltores dhe të Gazmend Bardhit, si mesore në tavolinën egostisë apo sanuiç mes partizave të tjera të cilët sillen sikur do pushtojnë botën apo do luftojnë për të shpëtuar mëmëdhenë nga sulmet e ushtrive armike. Nuk jemi në kushtet e luftës. Nuk jemi të pushtuar. Jemi në sistemin demokratik edhe pse në gjendje latante me demokraci të munguar. Në top listën e deputetëve që i vënë zjarrin parlamentit qëndron pas arrestit në shtëpi të Berishës, deputeti Flamur Noka si një nga katër administratorët e partisë, Ervin Salianji dhe ylli në ngjitje, komandanti i mbrojtjes së votës, juristi Gazmend Bardhi. Kuptohet nuk mbeten edhe të tjerët jashtë këtij rreshtimi si në frontbeteje. Kjo është beteja në Tiranë. Kjo situatë nuk i shkon fare përshtat parlamentit shqiptar. Në atë sallë ka intelektualë të spikatur që nuk ndezin zjarre po debate. Fatkeqësisht në hije pa zë përballë deputetëve të revolucionit blu. Kjo situatë nuk është e pranueshme nga aleatët tanë strategjikë si SHBA dhe BE, të cilët kanë tri dekada investim permanent për ta sjellë vendin tonë në shinat e demokracisë. Me të gjitha mënyrat. Nga reforma në drejtësi. Modernizimin e shtetit dhe institucioneve deri tek thellimi i luftës anti korrupsion. SHBA, si vendi që mbështet përparimin dhe zhvillimin në vendin tonë për t’i dhënë një dimension të ri demokracisë dhe jetës parlamentare ftuan këto ditë në Kongresin Amerikan deputetë nga të gjitha palët. Është një veprim që ka ndodhur historikisht. Ftesë kjo jo për qoka, as për shëtitje po për të diskutuar si të braktiset ky lloj revolucioni dhe për t’u rikthyer jetës normale parlamentare. Në Amerikë nuk shkohet për turizëm, as për kafe apo vizita a për kureshtje. Kështu edhe me grupin e deputetëve gjithëpërfshirës. Në Uashington, Gazmend Bardhi e të tjerët të grupit të deputetëve që është pozicionuar mes dy fronteve opozitarë flasin për demokracinë dhe sjelljen politike si normalitet duke zbutur tonet. Në SHBA , Gazmend Bardhi ishte gati të puthej me Gjiknurin e Pandeli Majkon. N&e
uml; Amerikë deputetët tanë bëjnë sikur përqafohen dhe merren vesh sikur janë luajalë dhe gati për marrëveshje dhe kompromise, në Tiranë bëjnë duelin e gjelave. Shkurt në Uashington bëjnë sikur përqafohen në Tiranë janë në përleshje gati të shqyhen e të nduken. Dhe janë të njëjtët deputetë po me sjellje krejt të ndryshme. Në Tiranë luftojnë me trimëri në Uashington luftojnë me hipokrizi!