Nga Bardhyl BEJKO
Qytetarët e veriut të Shqipërisë janë të barabartë me tërë popullsinë e çdo treve të atdheut tonë. Kush gjykon t’i nënçmojë apo neglizhojë se janë veriorë armiqësohet me tërë shqiptarët. Qeveritë që mund të kenë prirje për t’i ndarë aq më keq t’ia kundërvënë veriun pjesëve të tjera gjeografike, atyre që jetojnë në lindje apo perëndim të Shqipërisë bëjnë krim të pafalshëm dhe absolutisht të dënueshëm. Përdorimi i ndarjes veri – jug apo lindje -perëndim është akti më i rëndë që mund t’u bëhet shqiptarëve. Jemi të gjithë shqiptarë nga Vermoshi në Konispol. Në deje na rrjedh i njëjti gjak. Jemi bij të kësaj toke. Kemi lindur, jetojmë dhe do vdesim këtu. Në këto troje kemi varret stërgjyshore. Asnjë ndarje nga njeri -tjetri. Kur politika ka dashur të na kundërvëjë ndaj njeri -tjetrit në përpjekje për të ruajtur pushtetin apo forcuar atë ka dështuar me turp. Se jemi një e të pandarë, jemi të gjithë shqiptarë. Gjatë tërë historisë tonë kur ka krisur pushka në veri nga pushtuesi serb apo në jug nga deti, shqiptarët janë bërë bashkë pa përjashtim. Aty ku rrodhi gjaku i veriorit atje u derdh edhe gjaku i jugorit. Poetët tanë të mëdhenj, mendimtarët e shquar, patriotët e njohur kanë demonstruar përmes krijimeve dhe heroizmit të tyre bashkim vëllazërimin. Kurrë nuk ka patur konflikte mes shtresave shoqërore dhe trevave mes shqiptarëve. Ndryshe nga shumë vende, afër e larg nesh, fatkeqësisht janë përfshirë në konflikte të armatosura që u kanë kushtuar jetë njerzore. Shumë plagë. Përpjekje të politikës për të shfrytëzuar ndarjet dhe fryrë urrejtjes ka patur edhe tek ne. Në momente të veçanta janë bërë përpjekje për të përdorur individë me banim në veri kundër jugut, siç ndodhi fatkeqësisht gjatë trazirave të 1996-ës. Falë ndërgjegjes së thellë kombëtare dhe pjekurisë të qytetarëve, kjo veprimtari dështoi me turp. Edhe pse historia jonë shekullore flet për bashkim të popullit për të mbrojtur trojet shqiptare dhe qytetarët e këtij vendi pa ndasi sipas zonave kanë lidhur besën mes tyre dhe kanë qëndruar të bashkuar. Mësimet e historisë të kombit tonë janë të provuara dhe mesazhet e dhëna kanë mbajtur shoqërinë në një kohezion të pacënueshëm. Këta jemi ne shqiptarët. Larg urrejtjes dhe cmirës, të afërm pavarësisht nga krahinat, zakonet apo fetë. Po çfarë po ndodh sot edhe pas shumë vitesh jetesë në demokraci? Nuk është nevoja të jesh aktiv në politikë. As të bësh pjesë në parti të caktuara, të mbash një tesër dhe të kesh bindje politike për të evidentuar përpjekjet për ndasi mes krahinave të vendit. Vite më parë u ndërtua “Rruga e Kombit”, një vepër domethënëse kjo pasi simbolikisht është një gjetje që duhet komplimentuar. Buxheti i shtetit në këtë rrugë të rëndësishme investoi miliona euro. Detyrimisht duhej të vihej, si në tërë botën e ekonomisë së tregut, pagesa për çdo përdorues mjeti. Në realitet, qeveria nuk kontaktoi paraprakisht grupet e interesit dhe nuk zhvilloi dëgjesa publike. Pa asnjë konsultim serioz me qytetarët u vendosën sportelet e pagesave. Opozita e shfrytëzoi këtë fakt për rrjedhojë protestat të drejtuara nga përfaqësues opozitarë, sportelet u dogjën demontrativisht. Argumenti? Po diskriminohej popullsia e zonave veriore. Realisht, ky diskriminim ishte fantazi e atyre që nuk kishin shkelur asnjëherë në këtë segment që na lidh me Kosovën dhe më tej përmes saj më tutje. Ky segment duhej mirëmbajtur aq më tepër që nuk ishte përfunduar dhe i kishte kushtuar ekonomisë kombëtare më shumë se 1.5 miliardë euro. Kjo shifër ishte gjysma e buxhetit të shtetit të një viti. Mirëmbajtja kërkonte shpenzime të papërballueshme për një ekonomi si jona. Për këtë u vendos një pagesë minimale në hyrje të saj. Kjo masë u quajt diskriminim i veriut të vendit. Me këtë logjikë u la mënjanë rruga e kategorisë autostradë, ku do kalojnë mijëra mjete në ditë dhe u sulmua egërsisht qeveria se vendosi një taksë pagese në sportele, siç veprohet në gjithë botën. Atentat kundër popullsisë së veriut të vendit e etiketoi opozita dhe figura të larta të opozitës udhëhoqën protestën e dhunshme. Në këtë segment udhëtojnë mbi 90 përqind qytetarë të zonave të tjera dhe të huaj, të cilët e njohin prej lindjes së tyre,tanët këtë praktikë e quajnë diskriminim të veriut. Ditë më parë një tjetër segment i rëndësishëm u përurua si pjesë e autostradës blu, Milot- Kashar. Autostradë që në të ardhmen do zgjatet drejt Hanit të Hotit dhe jugut të vendit. Sapo kaloi mjeti i parë, Sali Berisha doli në dritare dhe lëshoi akuza të rënda kundër qeverisë sipas tij, pagesa e taksës në këtë segment është kundër veriut të vendit, diskriminim ndaj qytetarëve të veriut. Dhe më tej akuzoi se ndëshkohet kjo zonë e vendit se qeveria nuk e do veriun?! Edhe ky segment u shërben të gjithëve dhe nuk është ndonjë masë diskriminuese ndaj veriut, po pagesë për të shlyer investimin, i cili është bërë me konçesion dhe paratë e hedhura duhet të kthehen mbrapsht dhe rruga kërkon mirëmbajtje. Si në tërë botën, përdoruesi i rrugës duhet të paguajë. Ai që nuk dëshiron mund të përdorë rrugët dytësore, alternative për këtë segment. Komentet e drejtuesve të mjeteve që përshkojnë këtë segment shprehen të kënaqur dhe e vlerësojnë si zgjidhje të shkëlqyer. Asnjeri prej tyre nuk u ankua për taksën. E konsideron normale sepse kursen karburant dhe kohë. Tek e fundit ky segment nuk është varianti i vetëm rrugor, kush do, mund të zgjedhë segmente rrugore të tjera. Këtu udhëtojnë nga tërë vendi dhe turistë nga tërë bota. Ku është diskriminimi këtu? Askush nuk diskriminohet, përkundrazi është i vlerësuar. Për rrugët, të gjithë përdoruesit e mjeteve duhet të kontribuojnë. Diskriminimi në këtë rast është në realitet pozitiv pasi janë investime të rëndësishme zhvillimi. Është luks të përdorësh rrugë të cilësisë së tillë. Dhe diskriminimi është thjesht në mendjen e atyre që kërkojnë të bëjnë politikë përmes përçarjes. Veriu është në prioritetet e qeverisë dhe duhet të mbetet në strategjinë e zhvillimit të balancuar për njëmijë arsye. Jo thjesht si pozicion gjeografik,po së pari se atje jetojnë denbabaden shqiptarë, vëllezërit e jugorëve dhe veriorëve, lindorëve dhe perëndimorëve, pjesa vitale e kombit. Meriton shumë kjo trevë pasi veç të tjerave është destinacion i çmuar turistik. Është treva ku lulëzon turizmi dhe po ndryshon jeta e kësaj treve, e cila meriton të jetë në qendër të politikave zhvillimore, ashtu siç vërtetë po ndodh me paketat e zhvillimit dhe investimet në rrugë arterie kombëtare dhe zonale. Realisht, ky është diskriminim më pozitiv i veriut të vendit. Negativ është investimi politik për të përçarë shqiptarët dhe mbjellë urrejtjen mes tyre. Shqiptarët janë një dhe të pandarë dhe nuk bien pre e propagandës përçarëse dhe urrejtjes. Përkundrazi mbeten përjetësisht bashkë në udhëtimin drejt të ardhmes në shekujt që vijnë të këtueshmit dhe shqiptarët përtej kufijve të Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi,Maqedonisë, Preshevës dhe kudo që ndodhen.
Kishin përplasje brenda shtëpisë së BBV3, dy ish-banoret tani shijojnë pushimet bashkë
Roza Lati dhe Françeska Murati duket se po kalojnë pushimet me njëra-tjetrën, me dy ish-banoret e BBVIP 3 që duket...
Lexo më shumë