E themi qysh në fillim se dizinformimi nuk duhet ngatërruar me gabimin në informim, i cili nuk është i qëllimshëm. Kështu, për shembull, në rast se një person apo një agjenci lajmesh përhap një informacion për të cilin nuk e di me siguri nëse është i vërtetë, por beson se është i tillë, nuk kemi të bëjmë me një dizinformim të mirëfilltë. Për këtë arsye shpesh herë dizinformimi trajtohet si një gabim në informim. Por, nëqoftëse qëllimi i një veprimi të tillë është mashtrimi i përdoruesve të tij, ose kur dizinformimi luan rolin e asgjësimit të besueshmërisë së atyre që do ta përhapin (sidomos agjencitë e lajmeve), duhet këqyrur si i tillë, pra si dizinformim i mirëfilltë.
Pikërisht me anën e dizinformimit të qëllimshëm, Moska orvatet, ndër të tjera, të minojë mbështetjen e SHBA për Ukrainën duke pasur si pikënisje nevojat e Kievit për armatime, njoftonte këto ditë “The Washington Post” fill pasi analizoi dokumentet e brendshme të Kremlinit, të siguruara nga një shërbim informativ evropian. Këtë e pohoi edhe organi i shtypit “Kiev Independent”. Rusia po ve në punë metoda të reja dizinformimi online. Ndihma e SHBA prej 60 miliardë dollarësh për Ukrainën vazhdon të shtyhet qysh në vjeshtën e vitit 2023, ndërkohë që versione të ndryshme të një projekt-ligji ndihmash janë bllokuar për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me sigurinë e kufijve të brendshëm të SHBA. Në shkurt të këtij viti një paketë ndihmash prej 95 miliardë dollarë për Ukrainën, Izraelin e Tajvanin u adoptua nga Senati amerikan, ndërsa kryetari i Dhomës së Përgaqësuesve Mike Johnson ka refuzuar deri tani ta përfshijë në rendin e ditës këtë problem. Rusia ka një strategji dizinformimi dhjetëvjeçare. Fushata më e freskët e dizinformimit të Rusisë bën pjesë në një strategji të Kremlinit që synon „të fuqizojë zërat e politikanëve populistë, anti-establishment, të cilët i kundërvihen rolit global të SHBA” thekson „The Washington Post”, duke cituar analistë dhe ish- zyrtarë të lartë amerikanë. Strategët politikë kanë shkruar mijëra artikuj me lajme të trilluara, postime nërrjetet sociale dhe komente, që promovojnë idenë e izolacionizmit amerikan. Fushata e dizinformimit e Rusisë ka gjithashtu si qëllim „ngjalljen e frikës lidhur me sigurinë e kufijve të SHBA dhe shtimin e tensioneve ekonomike e raciale në SHBA”. The Washington Post” ka vënë në dukje se një nga strategët politikë instruktoi një rus të postonte komente prej „jo më shumë se 200 gërma e shënja me emrin e një rezidenti me banim nëperiferi të një qyteti të rëndësishëm”. Amerikani fiktiv duhej, gjithashtu, t’i cilësonte politikat e Presidentit Joe Biden si „në kolaps”, të kundërshtonte ndihmën ushtarake shtesë për Ukrainën e të këmbëngulte që „të hollat të shpenzohen në kufirin e Amerikës jo të Ukrainës”. Në këtë kontekst të theksonte që „vëmendja duhet përqendruar në numrin e emigrantëve që kalojnë kufirin midis Meksikës e SHBA. Siguria e kufirit të jetë prioritare ndaj çdo ndihme për Ukrainën”. Dhe, më më në fund, por jo për ngarëndësia, të akuzohej Presidenti i Ukrainës Volodimir Zelenski si i korruptuar. Gjithnjë sipas “The Washington Post”, fushata ruse e dizinformimit i ka përshkruar „amerikanët e bardhë” si “humbësit kryesorë” dhe „Rusia i ka fuqizuar operacionet propagandistike si pjesë të një fronti të dytë për të cilin zyrtarët dhe ish-zyrtarët e lartë perëndimorë kanë thënë që është bërë për Moskën pothuajse njëlloj i rëndësishëm si fushata ushtarake në Ukrainë”. Propaganda ruse është bërë objekt diskutimi edhe në vetë Kongresin e SHBA. Para tri ditësh politikani republikan Mike Turner, kryetari i Komisionit të Përhershëm për Informacionin i Dhomës së Përfaqësuesve,deklaroi në një intervistë për CNN se propaganda ruse ka marrë përmasa të gjera në radhët e disa prej kolegëve të tij dhe ia ka dalë mbanë madje „të përmendet edhe në seancën plenare të Dhomës. Shohim që po vijnë drejtpërdrejt nga Rusia mesazhe anti-Ukrainë dhe pro-Rusi, disa prej tyre bash në seancën plenare të Dhomës”. Më tej, ai shtoi: „Ka anëtarë të Kongresit, të cilët ende shprehen në mënyrë jokorrekte sot që për konfliktin e tanishëm midis Rusisë dhe Ukrainës shkaktari është NATO, gjë që, natyrisht, nuk është e vërtetë”. Faktet flasin se, nga momenti i invadimit të Ukrainës nga Federata Ruse, krahas ballafaqimeve në fushën e betejës, zuri fill një luftë informacionale e mirëfilltë. Ky është konflikti i parë i armatosur në atë rajon që ka gjetur pasqyrim në televizion dhe në rrjetet sociale, ndërsa imazhet e trukuara, deklaratat e rreme, shifrat e manipuluaradhe propaganda masive janë bërë pjesë e arsenalit. Vlen të theksohet që kanë ndryshuar edhe metodat ruse të dizinformimit. Prapa një propagande gjoja patriotike, proukrainase, fshihet prirja për të krijuar konflikte të brendshme në Ukrainë, të nxitet urrejtja, të nxiten përplasje të ashpra ndërmjet partive të kahjeve të ndryshme, midis qeverisë dhe opozitës. Kështu, për shembull, e shtyjnë partinë e ish-Presidentit Poroshenko t’i kundërvihet partisë së Zelenskit. Gjithashtu bëhen orvatje për të ngjallur konflikt midis organizatave ushtarake dhe organeve qeveritare; konflikte gjuhësore, fetare etj që ukrainasit të mos jenë tëbashkuar si komb, por të ndeshen mes tyre, jo me armikun e jashtëm të përbashkët. Mjeti më i efektshëm për të luftuar dizinformimin është propagandimi në mediat e shkruara e pamore i së vërtetës që opinioni vendës e sidomos ai i huaj, tashmë i ndërgjegjësuar për drejtësinë e luftës mbrojtëse të popullit ukrainas, të ushqehet me sa më shumë materiale të freskëta, të transmetuara drejtpërdrejt nga fronti. Kësisoj protestat anembanë globit, në mbrojtje të kauzës ukrainase, do të amplifikohen e do të ndikojnë gjithnjë e më shumë për fitoren e Ukrainës duke u shërbyer luftëtarëve të lirisë si burim i pashtershëm frymëzimi dhe inkurajimi.
Duke iu rikthyer edhe një herë dezinformimit, ky mund të jetë edhe pozitiv kur bëhet në emër të lirisë e demokracisë. Shembull klasik në këtë drejtim është dizinformimi që u krye gjatë Luftës së Dytë Botërore, i cili çoi në zbarkimin në Ditën Z, kur shërbimet e informacionit britanik arritën t’i dizinformonin nazistët gjermanë duke i bërë të besojnë se shumica e forcave zbarkuese gjendej në Kent (Angli), nga ku do të kalonin nëpër Kanalin e La Manshit. Në të vërtetë, zbarkimi u bë në Normandi. Metoda të tilla po përdorin hera herës me sukses tani, në dëm të agresorëve rusë, edhe shërbimet e inteligjencës ukrainase.