Amnistia penale është në thelb një akt human përmes së cilës shoqëria i jep një mundësi atyre që kanë gabuar të përfitojnë nga ligji për t’iu ulur një pjesë e dënimit. Çdo shtet bën amnisti, jo thjesht në sistemin demokratik, por edhe në diktaturë. Amnistia nuk është baraz me riciklim në shoqëri të atyre që kanë bërë faje, as ka qëllim të rehabilitojë individë me precedentë të rënda penale. Nuk është baraz me bamirësi, as mëshirë kristiane. Ligji për amnistinë pohon, por edhe mohon fuqimisht, kush duhet të përfitojë ulje dënimi, cili do të shkojë në shtëpi dhe cilat janë kriteret që duhet të plotësojë. Amnistia nuk është baraz liri për të gjithë. Përkundrazi realizohet përmes filtrave ligjorë, duke analizuar nominalisht të gjithë ata që plotësojnë kushtet dhe kanë garanci se nesër në liri nuk do shndërrohen në recivist apo kriminel serial. Përjashtohen në mënyrë kategorike veprat për krime të rënda, të dënuarit e përjetshëm dhe mbi të gjitha ata që janë përfshirë në korrupsion të rëndë. Dhe dihet se korrupsion kanë bërë ata që kanë mundësi, që zotërojnë firma e vula, tendera apo kanë në duar fondet publike. Shkurt zyrtarët e shtetit pa përjashtuar edhe ata që e vënë biznesin në funksion të qëllimeve, jo vetën për të përfituar pasuri, po për të zhvatur shtetin. Kanë përfituar duke shfrytëzuar pushtetin apo që kanë lidhje me këtë pushtet. Në këtë kuptim, funksionarët shtetërorë që kanë shkelur ligjin nuk përfitojnë nga ligji për amnistinë. Ne jemi një vend i vogël dhe sigurisht nuk mund të mos ketë qoftë edhe deputetë që kanë një lidhje apo marrëdhënie me individë me precedentë që për një apo disa arsye gjenden në burg. Këtu nuk ndahen në deputetë të mazhorancës dhe opozitës. Pikërisht rreth këtij motivi po përplasen interesa të individëve deputetë, por edhe në emër të partive edhe pse u negociua mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës ditën e enjte nuk u gjet dakordësia për të arritur në konsensus dhe ligji për amnistinë u tërhoq në momentin e fundit. A ishte ky dështim i mazhorancës? Edhe kështu mund të cilësohet sepse për një kompromis të madh nuk u investua fuqishëm siç ka ndodhur vite më parë kur 140 deputetë u detyruan të ngrejnë kartonin për të miratuar reformën në drejtësi. Po për këtë arritje ishte presioni amerikan dhe ndikimi i fort i ambasadorit Donald Lu. Negociatat këtë herë ishin made in albania në një situatë kaotike kur në opozitë fatkeqësisht ka shumë qendra vendimmarrje dhe jo qëndrim të unifikuar qoftë edhe refraktare. Kur një pjesë e opozitës deklarohet mbi të bien rrufetë nga qielli i egërsuar i pjesës tjetër dhe menjëherë etiketohen bukëshkalë e tradhtarë. Ka shumë faktorë që nuk e bënë të mundur arritjen e kompromisit. Veç mungesës së investimit agresiv të mazhorancës për t’u marrë vesh me opozitën e moderuar, pjesë zyrtare të PD drejtuar nga Lulzim Basha po edhe partive përtej “Rithemelimit”drejtuar nga Berisha. Votat e deputetëve nuk gjuhen si të shkosh në gjueti në pritje të daljes përballë të gjahut për ta shkrepur çiften. Kjo kërkon dialog dhe natyrisht edhe lëshime pa shkelur parimet dhe normat që mbajnë në këmbë demokracinë. Më pranë kompromisit në arritjen e dakordësisë për amnistinë në realitet ishin deputetët e PD zyrtare. Natyrisht edhe ata votën nuk mund ta jepnin fare qyl. Kërkuan koncesione. Iu premtua po në fund u dështua. Në realitet amnistia nuk është një e drejtë ekskluzive e qeverisë dhe as ndonjë program zhvillimor për politika të ditës dhe përfituese e vetme të jetë mazhoranca. Është një vendim që u përket të gjithëve se tek e fundit përfitues janë qytetarë shqiptarë, që nuk përkthehet automatikisht në vota për njërën apo tjetrën palë. Amnistia mund të arrinte në një kompromis të madh. Po këtu nisën pazaret. I tillë u quajt amendamenti i socialistëve që u interpretua si përpjekje për të shpëtuar zyrtarët e qeverisë. Dhe u thelluan kur çdo parti hyri në diskutime me parafabrikate si të fitonte më shumë. Askush nuk çau kokën për ata që janë në qeli apo nën hetim. Negociatat nisën për të përfituar individë të veçantë. Si të shpëtohej autori i Babales, Salianji?! Për atë u bë edhe një amendament specifik. Pastaj protestuesit e të gjitha viteve, jo ata që dalin në rrugë dhe kërkojnë më shumë të drejta, po ata që armatosen me molotov dhe shkatërrojnë pasurinë e përbashkët. Amnistia u konsiderua nga palët politike si një shans i fatit. Deputeti i “Rithemelimit”, që është postmbajtës në këtë grupim, Edmond Spaho deklaroi se ne e jepnim votën në se mazhoranca pranonte të na jepte bashkëkryetarin e reformës zgjedhore. Pra më jep të gjithën të lëshoj ca thërrime. Pazare më të pista dhe më të hapura sipas parimit trafikant, më jep të jap nuk mund të gjenden askund. Jo vetëm kaq. Partitë po. Deputetët individë, ata që bëjnë sekserin apo tagent edhe avokatin dhe ndërmjetësin kërkonin secili përfitimet e veta. Në këtë pazar të madh humbësit janë ata që përfitojnë nga amnistia, të cilët kanë tretur vështrimin nga baballarët e kombit, deputetët tanë, që nga përfaqësues u kthyen në tregtarë. Është fiks të thuhet dhe të pranohet si aksiomë: E bukur amnisti me pazarexhi!
Spektakël në koncertin e Noizy-t, reperi surprizon në mënyrë të veçantë fansin e tij, video-ja bën xhiro në rrjet
Reperi mjaft i dashur për publikun, Noizy është gjithmonë në qendër të vëmendjes sa i përket këngëve dhe koncerteve të...
Lexo më shumë