Miqësia e deklaruar në konferencën për shtyp të kryeministrit holandez Rutte dhe të kryeministrit tonë tre ditë më parë, polli një ide interesante, një nismë hollandezo-shqiptare për komunitetin politik të Evropës, në sfondin e propozimit të Presidentit francez Makron. Duhet të kuptojmë se edhe pse, si Maqedonia e Veriut, edhe ne, jemi ndër vendet evropiane ende ndër më entuziastet për integrimin në familjen e madhe evropiane, respekti dhe dashuria për Bashkimin Evropian është një shteg i vështirë dhe plot të papritura. Mjafton të shikojmë protestat e dhunshme në Shkup dy ditë më parë, në reagim të propozimin të Makron për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit për Maqedoninë e Veriut. Ndërkohë, procesi i integrimit të Shqipërisë në BE gjatë 8 viteve të fundit ka ecur në një rrugë të vështirë dhe me plot zhgënjime. Jo vetëm nga Brukseli, por edhe nga Tirana. Edhe pse, për të rinjtë tanë ngjan sikur rrugën për në Bashkimin Evropian, Shqipëria e ka filluar dje, kjo nuk është e vërtetë. Rruga ka filluar në vitin 1992, plot tre dekada më parë. Ky rrugëtim nuk është garë midis shteteve, hyn ai që arrin i pari në finish! Parimi bazë, i vjetër, i palëvizur i BE-se është merita e secilit kandidat. Ky është kriteri bazë, mbi të vlerësohen kandidatët. Nuk ka asnjë kriter tjetër të shkruar për merita grupi“, “grup shtetesh“ apo që „shtetet hyjnë në grup“. Anëtarësia në strukturat euro-atlantike ka qenë interesi dhe objektivi kryesor, i palëzivur, politik, gjeostrategjik, kombëtar i Shqipërisë që nga viti 1992. Në këtë garë me BE-në, ka qenë NATO që ka fituar! Negociatat e 35 kapitujve me BE-në, me Komisionin Evropian, do të jenë mjaft të vështira, të komplikuara, të gjata. Korpusi legjislativ, tërësia e ligjeve-direktiva të Bashkimit Evropian është disa qindra mijëra faqe. Ai rrok gjithë paketën e një shteti, të gjitha sferat e jetës. Edhe pse tani ngjan sikur topi është i gjithi në fushën e Brukselit, kjo nuk është e vërtetë. Pavarësisht detyrave të bëra të shtëpisë, shumëçka do të varet nga ne: sa të qartë, të kuptueshëm do tregohemi që kjo ndërmarrje e madhe ia vlen për popullin tonë. Ajo shprehja e famshme e labit që i kumton dashurinë vajzës së tij të ëndrrave “Të dua qene!” shkon shumë në këtë kuptim. Do varen shumë gjera se sa të mirëkuptuar do të jemi me Evropën e Bashkuar dhe ndryshkjen e zemberekëve të saj të zgjerimit. Se sa të mirëkoordinuar, të përkushtuar, profesionistë, seriozë dhe të fokusuar do jemi në bisedimet me negociatorët e Brukselit. Kërkohet doemos organizim i fortë, i dedikuar, për të qenë sa më të efektshëm! Dhe jo rrëmujë përpara porte, alla shqiptarçe. Shtyllat kryesore për anëtarësim janë: forcimi dhe stabiliteti i institucioneve demokratike, respektimi i të drejtave themelore, shteti i së drejtës, forcimi i ekonomisë funksionale të tregut dhe një numër jo i vogël fushash të tjera, shpërndarë në 35 kapituj bisedimesh. Pra rruga është e gjatë, e vështirë, e komplikuar, me ngarkesa, intensitet shumë herë më të lartë se deri tani. Shqipëria ka paraqitur kërkesën për anëtarësim në BE në prill 2009. Në tetor 2013, Komisioni Evropian rekomandoi që Shqipërisë t’i jepej statusi i kandidatit për anëtarësi, në varësi të disa masave që duheshin në kuadrin e reformave kyç që duhej të ndërmerrte vendi. Dokumenti i Strategjisë të Zgjerimit i Komisionit Evropian 2013-2014 identifikoi pesë prioritete kyçe për t’u adresuar, përpara se mund të hapeshin negociatat e anëtarësimit. Në maj 2014, Qeveria e Shqipërisë miratoi një plan konkret ecurie për të strukturuar përpjekjet e Shqipërisë për të përmbushur këto pesë prioritete. Në qershor 2014, Qeveria miratoi Planin Kombëtar të Integrimit Evropian për periudhën 2014-2020. Shqipërisë iu dha statusi i kandidatit ne BE më 27 qershor 2014. Në prill 2018 Komisioni Evropian theksoi rekomandimin që të hapeshin negociatatat e anëtarësimit me Shqipërinë. Kjo u bë realitet dy vite më vonë, më 26 mars 2020, 11 vjet pas aplikimit. Udhëheqësit evropiane, më në fund, miratuan vendimin për të hapur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë. Komisionit Evropian iu kërkua të paraqiste një raport mbi një numër kërkesash që duhej të adresoheshin nga Shqipëria para mbajtjes të Konferencës së parë Ndërqeveritare. Kjo do të jetë hapja e shumëpritur teknike e negociatave me BE-në. Kërkesat Shqipëria i plotësoi të gjitha, përfshirë: Gjykata Kushtetuese mori funksionalitetin e plotë, Gjykata e Lartë dhe Byroja Kombëtare e Hetimit po ashtu, institucionet e posaçme për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar prej afro dy vitesh janë plotësisht funksionale dhe kanë rekorde, arritje të larta, të dukshme. Procesi i vetingut përparon, reformat në drejtësi dhe më gjerë po ashtu. Po ecet pa asnjë ulje ritmi. Në tetor 2020, Komisioni Evropian miratoi paketën e zgjerimit. Por Maqedonia e Veriut u bllokua nga Bullgaria. Për rrjedhojë, fatkeqësisht, nga kjo është bllokuar edhe Shqipëria. Prandaj, një vit e gjysmë pas bllokimit të Maqedonisë së Veriut dhe disa ditë pas propozimit të parrezistueshëm të Presidentit francez Makron, i themi të gjithë njëzëri fqinjëve tanë maqedonas të veriut: pavarësisht protestave të dhunshme në rrugët e Shkupit, thojini dhe ju Evropës së Bashkuar “Të dua qëne!’, siç po i themi ne. Pranojeni këtë dashuri të ashpër.
Spektakël në koncertin e Noizy-t, reperi surprizon në mënyrë të veçantë fansin e tij, video-ja bën xhiro në rrjet
Reperi mjaft i dashur për publikun, Noizy është gjithmonë në qendër të vëmendjes sa i përket këngëve dhe koncerteve të...
Lexo më shumë