Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (ANEA) dhe OKB ditët e fundit kanë dalë me disa njoftime të reja që kanë krijuar shqetësime në opinionin publik botëror, lidhur me situatën tashmë tejet të vështirë që është krijuar në centralin bërthamor të Zhaporizhias,Ukrainë, të pushtuar nga rusët dy vjet më parë. Forcat pushtuese ruse, duke thyer në mënyrë tepër brutale rregullat më elementare të punës normale në një central bërthamor të vendosura nga ANEA, kanë detyruar personelin ukrainas të centralit të punojnë në kushte krejtësisht të papërshtatshme dhe nën një tension të rëndë psikologjik. Që prej pushtimit rus të gjashtë blloqet e centralit u detyruan të ndërpresin punën për prodhimin e energjisë elektrike, Vetëm një bllok i centralit (blloku 4) u mbajt në punë me fuqi të reduktuar për të prodhuar avull (dhe jo energji elektrike) për nevojat e centralit dhe ngrohjen e banesave të qytetit fqinjë të Energodarit. Ajo që e ka bërë tepër alarmante situatën në centralin bërthamor është rreziku i ndërprerjes së plotë të furnizimit të tij me energji elektrike. Kjo ndërprerje sjell ndër të tjera mosfurnizimin me ujë të centralit, i cili është i domosdoshëm për ftohjen e karburantit bërthamor (Uranium-235) në brendësi të zonës aktive dhe të karburantit bërthamor të konsumuar në ruajtje. Me ndërprerjen e furnizimit me ujë fillon rritja e temperaturës së karburantit bërthamor deri në shkrirjen e tij dhe më tej ndodh çlirimi në mjedis i lëndëve radioaktive, si Jod-131, Cezium-137 etj., duke krijuar një situatë emergjence bërthamore. Situata që mund të zhvillohet në centralin e Zaporizhias do të ishte e ngjashme, në vija të përgjithshme me aksidentin bërthamor që ndodhi në Fukushima (Japoni, 11 Mars 2011). Përpara pushtimit rus ky central, si objekt i rëndësisë së veçantë, furnizohej nga dhjetë linja elektrike. Deri në ditët e fundit të muajit Mars 2024 centrali furnizohej nga dy linja dhe që nga ditët e para të prillit ai furnizohet vetëm nga një linjë, që në rast ndërprerje mund të çojë në krijimin e situatës emergjente. Që prej fillimit të luftës në Ukrainë, në territorin e centralit bërthamor të Zaporizhias kanë ndodhur vazhdimisht shpërthime municionesh, që kanë rrezikuar integritetin e funksionimit të tij. Por sulmi me dron që ndodhi disa ditë më pare, duke shënjestruar centralin bërthamor, krijoi një precedent tepër të rrezikshëm. Pas këtij sulmi ekspertët e ANEA konstatuan copa të dronëve në territorin e centralit si dhe disa djegie sipërfaqësore në pllakat e betonit që mbulojnë kullën e bllokut 6, por pa cënuar sigurinë bërthamore të centralit. Situata e ndërlikuar që mbizotëron në rajonin e luftimeve bën të mundur që grupet terroriste të shtrijnë aktivitetin e tyre në këtë zonë. Ndonëse shteti rus ka shprehur një dakordësi të imponuar për supervizimin e sigurisë bërthamore të centralit nga ekspertët e ANEA, forcat pushtuese në shumë raste kanë ndaluar forcërisht hyrjen e këtyre ekspertëve në zonat e centralit që paraqesin rrezikshmëri të lartë. Nga ana tjetër autoritetet e qytetit të Energodarit prej datës 1 Prill 2024 kanë vendosur mbylljen e sistemeve ngrohëse të qytetit, duke nxitur centralin e Zaporizhias të shqyrtojë situatën lidhur me bllokun 4. Pavarësisht vendimit që do të merret, situata e sigurisë bërthamore në centralin e Zaporizhias vazhdon të jetë kërcënuese.