Ora 19 : 30 . Televizioni jep lajmet. Festë e madhe. Një nga bankat festonte me madhështi rezultatet e fitimit. Punë e shkëlqyer e stafit drejtues. Falenderime nga titullarët. Shkëlqenin fytyrat e punonjësve për këtë rezultat të arritur. Fitimi ishte i mrekullueshëm. Të mrekullueshme janë edhe shpërblimet në fund të vitit, pse jo edhe kur merr asistencën një vjeçare ! Për rrogat nuk bëhet fjalë nga 1 milion e përpihet. Po, po të kënaqet shpirti kur shqipton fjalinë: ky punon në bankë,ky është bankier! Po pse mua dhe ndoshta me qindra si unë nuk u qeshte fytyra? Edhe ne kemi qenë e jemi anëtarë të kësaj banke, apo një banke tjetër si depozitues të atyre parave,të cilat na kanë tepruar, sepse fëmijët, që robtohen në mërgim na i dërgojnë për të jetuar, por ne i kursejmë, por edhe atij biznesmenit të vogël nuk i qesh fytyra. Ndërsa atij fshatarit, i cili piqet në diell, duron të ftohtin në dimër dhe plot peripecira që të jetoi, atyre punëtorëve në fasoneritë, që u hapen shpatullat,apo u ngrijnë nervat nga era e mastiçeve, jo vetëm që s’u qeshet,por u bëhet propagandë, u shfaqen çdo natë reklama se si të depozitoi ato pak lekë në banka,sepse na paska fitim. Shikonim me habi, unë plakën e plaka mua. Duke shikuar e duke menduar. Nga mendimet vijnë edhe kujtimet. Kujtim,që mu kthye këtu e gjashtëdhjetë vjet më parë, kur isha duke kryer detyrimin ushtarak. … -Do vish nesër në X repart t’më shkruash disa etiketa- më thotë kapteri i batalionit. Ashtu bëra. Në mëngjes u nisëm së bashku me një ushtarë tjetër,po i togës sime. Unë shkruaj në etiketa: emrin e zboristit, numrin e pushkës… , ndërsa shoku i ngjiste dhe sistemonte materialet. Kapteri nuk thoshte ” u lumshin duart,faleminderit,por përsëriste vazhdimisht shprehjen:” Puna juaj,nderi im !”Ju punoni unë lavdërohem!”…. Ç’lidhje ka ky kujtim me bankat!? Ka si s’ka! Paret tona( djersa jonë) fitimi i bankave ( pa djersë). Le ta konkretizojmë. Një zonjë, apo zotëri ( në kuptimin jo si dikur që me këto ofiqe thirreshin të pasurit, por për respekt,ashtu si thirren sot në demokraci) ka depozituar në bankë një shumë prej 10 milion lekë të vjetra. Ato i ka depozituar me një interes 1 %. Nga këto 10 milion zonja apo zotëria fiton 100 mij lekë të vjetra në vit. Po Banka? Kjo e jep këtë 10 milionësh ( të vjetra),të cilat janë lekët e zonjës , apo zotërisë, një kredimarrësi…. me 15 % . Fitimi 1.500.000 lekë në vit. Nga ky fitim heq 100.000 lekë për zonjën apo zotërinë. Fitimi bruto 1.400.000 lekë.???!!! A nuk duhet të thonë si ai kapteri, i cili thoshte :” Puna juaj,nderi im”, kurse bankat duhet të thonë: “Paret tuaja, fitimi ynë”? Që bankat duhet të dalin me fitim dihet dhe nuk do të kishte kuptim, por si thotë populli: ” Gjella me kripë,dhe kripa me karar” Duke u nisur nga shembulli i mësipërm është e papranueshme një përqindje kaq e ulët. Edhe në kohën e socializmit përqindja ishte më e lartë. Depozitim pa afat 2%. Me afat për 1 vit ishte 3 %. E qahemi përse një sasi e konsiderueshme mbahet në shtëpi. Sigurisht biznesmenët, se ne pensionistët dhe ata që paguhen sa për të siguruar bukën e gojës,si thonë edhe deputetët e nderuar në foltore dhe para kamerave, i kemi depozituar me kohë te trangulli e domatet, specat e preshi. Po ngeli ndonjë qindarkë i depozitojmë edhe te ndonjë kokërr molle. Më të bukurën e tha xha Temja sot në kafene: ” Sa të gëzuar janë bankaria, me paratë e tua me paratë e mija! ” Të na “rrojnë” ligjet,të na “rrojë” dhe qeveria!”
Spektakël në koncertin e Noizy-t, reperi surprizon në mënyrë të veçantë fansin e tij, video-ja bën xhiro në rrjet
Reperi mjaft i dashur për publikun, Noizy është gjithmonë në qendër të vëmendjes sa i përket këngëve dhe koncerteve të...
Lexo më shumë