Ishte ora nëntë e mbrëmjes ose diçka rreth saj, kur emisioni i Pekës kishte ulur para fronkës ish-zv/kryeministrin e shpallur në kërkim nga SPAK. Me sa dukej radarët e ekranit i STV, ishin aq të fuqishme sa mund të kapnin çdo valë sa do zhurmues që mund t’i viheshin nga pas. I ndodhur në arrati, në kërkim të azilit politik në Zvicër, me sa dukej e kishte shtyrë ish-zv/kryeministrin t’i dorëzohej ekranit, i cili e kishte përfolur më shumë se kushdo tjetër ekran, për aferat korruptive. Ajo që bënte çudi dhe kishte thirrur aq shumë audiencë para ekranit, ishte pyetja një milionëshe; se si është e mundur t’i dorëzohej Pekës, numri dy i qeverisë i cili në kohën e lulëzimit në pushtet, i kishin vrarë gjumin, duke mos ia ndarë sulmet në gjitha krahët për aferat korruptive…. Ishte një shkuarje si ”cjapi tek kasapi” apo shpata e Pekës në gjurmim të ”kokës së madhe ”, po kthente në ”kokë turku” ish-zv/kryeministrit !? Sipas retorikës së tij, ai s’ishte tjetër veçse viktimë e cila është kthyer në një ”kokë turk ”nga kryeministri dhe që SPAK, në vend të bërit drejtësi, ishte kthyer në një vegël të politikës. Pyetjet e moderatorit shkonin nga shkonin, tehun e drejtonin tek kryeministri, mos zëvendësit të tij i rrëmbyer nga hakmarrja, i rrëshqiste ndonjë fjalë që ngarkonte me përgjegjësinë e aferës korruptive të inceneratorit të Tiranës njëshin e qeverisë apo të parin qytetar të Tiranës. Qeveritari i rrahur me vaj e uthull, bënte shumë kujdes mos rrëshqiste në dërrasë të kalbur, ndaj gjithë përkujdesjen, e bënte në tërheqjen e vëmendjes për të dalë i larë para publikut, por përtej kësaj, edhe asaj në sytë e atyre që do t’i jepnin strehim ; ”i përndjekur deri aty, ku s’mbante më pilavi ujë nga politika e cila,kishte futur nën kthetra dhe SPAKUN”. Moderatori i cili ndryshe nga se ka natyrën e tij, tregohej shumë tolerant, duke i vënë në dispozicion të gjithë kohën televizive, për të shprehur ç’ka do i shkonte nëpër mend ish pushtetarit. Qëndrimi i tij si më gjemba, vinte nga se oratori nuk i dilte në shtegun e tri fjalëve kyçe ; kryeministri, SPAKU, kryebashkiaku, të cilët kujtonte se i kishte nxjerrë në pritë për përfoljet ( s’përgjigjem për ata që ”hanë dardha mbas shpine”) dhe plumbin nuk do t’ja kursente, kryeministrit që e kishte lëshuar krahun e djathtë të tij dhe nxjerrë në ”pritë” sipas vetë gojës së ish-zv/kryeministrit, tashmë i rrëfyer tek ”prifti” i studios. Çe do se rrëshqitjet si të ngjalës, të njeriut të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia, vinin ku vinin, dilnin në qafën ; Nxjerrjen në ”pritë” të tij nga politika, se ai ishte i pastër si kristali, i palidhur me asnjë nga procedurat e tenderimit, për më tepër firma e tij nuk figuron në asnjë nga inceneratorët për të cilët dhe akuzohet. Nuk e di pse në ato çaste, m’u suall nëpër mend ; firmat piramidale të politikanëve. Ndoshta ngacmimi erdhi, ashtu spontanisht nga 97-ta, kur firmat piramidale e çuan në zero pasurinë e qytetarëve përmes mashtrimeve të shitjes së shtëpive, dhe tani një 97-të e dytë, por nga firmat e pushtetarëve, nën hije të të cilave janë vjedhur milionat e taksave, por ec dhe zbuloi gjurmët, kur në prita janë nxjerrë vartësit, firmat e të cilëve janë hedhur në përfitim të felës së vogël, se të madhes, peshkaqenët ia kishin ndjerë lezetin, përmes pasurisë prrallore. Po do thotë ndokush: Ku i gjenden gjarpërit gjurmët !? Vështirë është, kur në ndihmë ka lëshuar dhe artilerinë e rëndë të mediave vizive, përmes ekranit të të cilave të shpallurit nën hetim, shfaqen si ”engjëj ” të cilët ”djalli i madh” i ka kthyer në viktima, por jo se kanë ndyrë duart nëpër afera të pista. Dëshmi e gjithë kësaj, janë kartat të pastra, kështu drejtësia del si ”rruhar- qethur ”sepse nuk ka fakte, ku të mbështet. Por çe do se ”firmave piramidale” të pushtetarëve tani me drejtësinë e reformuar edhe sulmet ndaj saj, nuk kanë të kursyer nga çdo qeveritar apo ish qeveritar nën hetim për korrupsion, por tashmë kanë një artileri të rëndë në mbështetje, SHBA dhe BE. Në se del nga radarët e saj natyrisht, me ”firmat piramidale të politikës”, tashmë që lulëzojnë në sytë të gjithë shoqërisë, do të ndodhë si me” gjeneralët” e firmave piramidale të 97 -tës, që e nxorën në diell një popull të gjithin. Militantët kanë ngritur mitralozat njësoj si bandat e vitit të mbrapshtë, për të futur në anarki vendin, duke i kthyer ekranet në vend strehime nga ku, 24 orë në 24 sheh, vetëm fytyra të cilët përgjërohen për pastërtinë e liderëve, por që ”drejtësia e kapur” sipas oreksit të tyre, i bie në qafë, pa fakte me letra më bosh. Në se kupa e korrupsionit është mbushur sa nuk mban më ”O sot, o kurrë ” postulati i rithemeluesve, kërkon një përkthim nga shqipja në shqip e drejtësisë, për të cilën ky duhet të jetë lajtmotivi i cili duhet të verë në lëvizje gjithë sistemin, duke çuar kështu në vend drejtësia e munguar në 32 vitet, për të ecur në rrugën demokracia e marrë peng nga politikanët me xhepat që i derdhen rrugëve nga grabitjet e taksave të popullit, firmat e të cilëve në pushtet, janë kthyer në ”firma piramidale” njësoj si ”Sudja” më 97-ën, duke vjedhur me ç’kanë mundur dhe përpjekur të mbulojnë pasuritë, duke patur për avokat mbrojtës, ekranet televizive të cilët helmatisin ndërgjegjen e shoqërisë me lloj e lloj teori konspirative, për ”drejtësinë e kapur” nga pushteti. Një rrugë e ndjekur tashmë nga gjithë liderët në hetim dhe mbështetur nga ekranet e ankandit. Është kjo arsyeja që edhe pritja aq e bujshme e emisionit të Pekës, nuk solli tjetër veçse alibinë për pafajësinë e zv/kryeministrit, në përpjekjen për azil politik sepse ai është i nxjerrë në ”pritë” nga kryeministri. Një intervistë e dalë huq, megjithëse u mundua të hedhë baltë mbi drejtësinë si një mundësi, për t’i dhënë të drejtë edhe lidershipit nën hetim i cili mbahet në bosh në arrest shtëpie… Kujtojnë se kanë gjetur xhami për t’u falur këta ”lider&eu
ml;”, ekranet televizive, por harojnë se retorikave të shterpa ose do t’u verë gishtin në plagë drejtësia ose këtë vend e ka marrë ”ferra uratën”, gjë që tani jo vetëm partnerët i kanë thirrur mendjes për të ndërtuar ura që bëjnë drejtësi, por dhe një pjesa dërmuese e shoqërisë, po ndërgjegjësohet për fajësinë e lidershipit, i cili ka shtyrë vitet duke menduar vetëm për të mbushur xhepat e vet, duke shkelur me dy këmbë, ato të popullit. Përdredhjeve sa në një ekran tek tjetri të politikanëve me firmat, janë kthyer në “firma parimidale” të cilat herët a vonë, drejtësia ka për t’ia gjetur vulën e pasurive të tyre të patundshme, vënë përmes korrupsionit.