“Fytyra e jetës” është një foto jetësore e një ndërhyrjeje kirurgjikale, që ngjason me një pikturë dielli, realizuar me mjeshtëri mbi gjirin e gruas, më 4 Mars 2019, nga mjeku duarartë, Kirurg – Onkolog Dr. Artan Bodeci në Spitalin Onkologjik, në Qendrën Spitalore Universitare ” Nënë Tereza” Tiranë. E gjitha është një qëndisje e bukur që rrezaton shpresë në thellësi të dhimbjes, të indeve, në çdo qelizë ku qenia njerëzore jeton me dashurinë, si një fill i vazhdueshëm i ekzistencës, në një luftë të ashpër e sfiduese, me kancerin e gjirit. Është njëkohësisht pikturë dhe skulpturë e gjallë, ku profesionalizmi dhe inteligjenca natyrale janë një simfoni e tërë, midis dy botëve, të dukshmes dhe të padukshmes, asaj që shohim dhe asaj që ndiejmë. Një ndërthurje midis tingujve jetësorë dhe ngjyrave të dritës, dashurisë njerëzore dhe mrekullisë. Lufta me kancerin e gjirit është një rrugëtim i gjatë dhe i vështirë, një sprovë vetmie, gërshetuar në një ndërveprim dinamik emocional dhe psikosocial në jetën e një gruaje. Një drithërimë trishtimi, si një hije e largët fshihet në mendime dhe në zbrazëtirën e mureve të kraharorit. Ndjenja e pasigurisë, që vjen nga udhëkryqe të mjergullta, ta rrethon kujtesën, të tret në pafajësi dhe shpirtin ta djeg nëpër fjalë. Ideja për të qënë fitues të zgjon vetëdijen, për të parë qartësisht ndikimin e arsyes, për të mos u rrëzuar dhe për të kuptuar fuqinë dhe optimizmin, që ke brenda vetes. Teksa e vështron të jep një ndjesi të ëmbël dhe të hidhur njëkohësisht. Përtej asaj “pikture magjike” fshihet një pikturë imagjinare ku drita dhe jeta ndoshta janë pa ngjyra, dhimbja dhe trishtimi të shkaktojnë mall dhe pasiguri në pragmëngjeset e vetëdijes dhe të parandjenjës gjithë rëndesë, për gjithçka ndodh me njeriun, ku e mira dhe e keqja janë gjithmonë në luftë të vazhdueshme me njëra-tjetrën . Në atë vështrim të dhimbshëm, ndien sytë të përloten dhe padashur e gjen veten në një tjetër stinë, që është e vështirë për ta përshkruar. Një stinë lotësh, brenda së cilës ka ngjyrime delikate mbushur me dhimbje dhe melankoli, zhytur në një dëshpërim të thellë, në zbrazëtirën e mbrëmjeve pa yje, ku për së largu dëgjohet një zë i fuqishëm, që të fton të jetosh përsëri. Përmes gjumit të ëndërrt, kupton forcën dhe shpirtin e gruas që jeton me bekimin e jetës, të dashurisë, të çasteve magjepsëse aty ku jeta përkundet mbi një rreze, përqafon kohën, dhe se është e pamundur të vdesin. Piktura e diellit, si një “Ikonë e shenjtë”, rrezaton me fytyrën e jetës në qiellin e yjëzuar të Marsit në një agim të ri, në një mrekulli të artë dëshirash që përtërihen në guva diellorë dhe shpirtin ta mbush me jetë. Nëse Renuari në një shekull tjetër tha se piktura e Monesë u bë… “Vallëzimi i penelit dhe ngazëllimi i dritës” mendoj se po ta shihte këtë pikturë të gjallë, do të mahnitej nga e bukura , nga kompozimi rrafinitiv dhe natyrshmëria emocionale, për ta përcjellë dhe lumturuar atë ndjesi jetësore. Motivi i përbashkët, optimizmi, gëzimi dhe njerëzorja mbi kuptimin e gjallimit, ta bënin Renuarin të thoshte, që Piktura e diellit është… ” Vallëzimi i bisturisë dhe ngazëllimi i jetës.” Dashuria për jetën dhe vetëbesimi janë forca dhe motivi i shpresës, ku njeriu kupton se jeta është dhurata më e çmuar, është mrekullia që i jep kuptim ekzistencës, është ndjesia më e bukur brenda shpirtit të një gruaje që lind jetë dhe lumturinë e gjen, edhe përmes dhimbjes. E bukura mbetet, dhimbja shkon…
Spektakël në koncertin e Noizy-t, reperi surprizon në mënyrë të veçantë fansin e tij, video-ja bën xhiro në rrjet
Reperi mjaft i dashur për publikun, Noizy është gjithmonë në qendër të vëmendjes sa i përket këngëve dhe koncerteve të...
Lexo më shumë