Kaloj përditë para Pallatit të Kulturës, për të shkuar në gazetën “Kushtrim Brezash” ku punoj dhe vazhdimisht më ndalojnë gazetarë të mediave të ndryshme, me mikrofon në dorë e më kërkojnë opinion për problemet që u interesojnë. Njeri pyet: “a do të dënohet Berisha?, një tjetër: “a mendoni, se i ka monipolizuar Edi Rama të gjitha pushtetet?”, e vazhdojnë të tjerë me radhë: a kanë të drejtë deputetët e opozitës që ndezin flakadanë në parlament?”, “pse është fshehur Ilir Meta?”, “a do të mundet SPAK ta pastrojë politikën shqiptare?”, “ç’mendime keni për Big Brother?”, e të tjera pyetje si këto. Pyetjet pothuajse janë për politikën dhe rrallë pyet ndonjë gazetar për problemet që shqetsojnë popullin e vendin. Këtu, në këtë Shesh, takon Fonin e “Fiks-it”, Sonin e “Fakeof-it”, Klintonin e “Stop-it”, çupërlinat e “Piranjave”, të “Klanit”, të “Syrit”, të MCN, e plot gazetarë të tjerë që shpesh herë i besdisin kalimtarët me pyetjet e tyre pa bukë. Biles nga njëherë ndodh që qytetarët edhe i ofendojnë. Një copë bulevard në mes të Tiranës, sado të zhurmojë nga mosha të ndryshme të dy gjinive, nuk mund ta përcjellë kurrë atë realietet të dhimbshëm, apo të suksesshëm që pulson jeta e përditshme në skajet më të largëta të vendit. Foni i “Fiks-it” bën përgjithësisht intervista të këndshme, me përjashtim të një doze tallëse në disa raste, që i kalon caqet e etikës gazetareske, por ama shumë më tërheqëse dhe frymëzuese janë intervistat që ai merr nga njerëzit e thjeshtë të arave e qendrave të prodhimit, të cilat paraqesin realitetin e përditshëm. Shpesh herë pyetjet shabllone që bëjnë gazetarët janë pasqyrë e një gazetarie shterpë, pa nerv jetësor, me tendencën e hapur për t’i bërë qefin pronarit dhe jo t’i bëjë jehonë njeriut të punës. Pse kërkojnë ta marrin në “Sheshin Skënderbej” përgjigjen e pyetjeve që duan gazetarët, kur ata fare mirë mund të shkojnë atje ku lindin shqetsimet e njerëzve. Përgjigjen e pyetjes për rritjen e çmimeve, fare mirë mund ta marrin duke survejuar në dyqanet e qytetit e fshatit dhe të kritikojnë me emra spekulantët që tallen me djersën e prodhuesit. Të kritikojnë me emra bosët që sjellin mallra importi dhe kanë bllokuar prodhimet vendase, duke u cënuar rëndë jetën e prodhuesëve. Shqipëria është ndoshta i vetmi vend në rajon që ka çmimin më të lartë të naftës, dhe për këtë rrallë sheh, apo dëgjon ndonjë kritikë të mekur në media, ndërkohë që duhet ngritur zëri fuqishëm, pasi çmimi i lartë saj, prek interesat e të gjitha shtresave të popullsisë. Pak ose hiç gazetarët ngjiten fshatrave të pasqyrojnë, sa vuan fshatari për të siguruar një thes grurë, apo një kovë qumësht, të përshkruaj gjendjen e infrastukturës, që është bërë pengesa kryesore e zhvillimit, gjendjen aktuale të shkollave dhe ambulancave, për të cilat pushtetarët kujtohen veëm në fushata zgjedhjesh. Është tragjike të shikosh magazinat me grurë e perime stoqe, të cilat fshatarët i hedhin në lumë, pasi nuk kanë me se t’i transportojnë. Doja të sillja këtu vetëm një fakt. Korra, është një nga fshatrat më të largëta të Elbasanit, me njerëz punëtorë por që realisht vuajnë shumë dhe kryesisht prej mungesës së infrastrukturës. “Dy vjet rresht prodhova domate të vjeshtës, por për arsye transporti nuk shita dot asnjë kokërr,- thotë Asllani- dhe u detyrova t’ua shtie bagëtive. Këtë vit nuk mbolla fare dhe as kam për të mbjellë më, do të shkoj në emigracion.” Po të mos shkojmë aq larg, por të vijë një gazetar e të shikojë gjendjen mjerane të infrastrukturës në lagjet e Saukut, sidomos në rrugën ku kalojnë përditë mbi 700 nxënës të shkollës “Qemal Ataturku”. Apo le të bëhet një vëzhgim për intenerarin e lëvizjes së autobuzëve të tejmbushur, trafikun e bllokuar për minuta të tëra, në linjën Sauk- Qendër e anasjelltas. Objektivi i punës së gazetarit duhet të bëhet puna e atyre blektorëve, në të katër anët e Shqipërisë që mbarështrojnë tufa e furnizojnë klientët me mish e qumësht cilësor, por dhe arat ku kalbet shalqiri e magazinat me prodhime stoqe, infermierët që sakrifikojnë për shëndetin e njerëzve, por edhe farmacitë që shesin ilaçe të skaduara e pa recetë mjeku, kompanitë private që sigurojnë vende pune për hallexhinjtë, por edhe bosët që mbushin xhepat me reklamime boshe e para tenderesh të pista, ata që shfrytzojnë postin zyrtar për tu pasuruar në mnyrë të paligjshme. Pak informacion u jepet shqiptarëve për administratën shtetërore që nuk kryen detyrën për të cilën paguhet,duke u fshehur pas diçitalizimit, apo për kryetarë bashkishë që i kthejnë shpinën elektoratit, sapo i marrin votën. Objekte të shkrimeve e emisioneve investigativenë duhet të jenë zaptuesit kapadainj të pronave, privatët e babëzitur që kanë zënë forcërisht plazhet publike, ata që vazhdojnë të ngrenë kulla me e pa leje edhe në vende ku i ndalon ligji. Pse nuk investigon një gazetar psh,se sa kërkesa për leje ndërtimi janë grumbulluar nëpër bashki, prej vitesh, dhe si torturohet një qytetar i zakonshëm për të nxjerrë një leje ndërtimi, edhe kur është brenda gjithë rregullave ligjore. Rrallë e hiç flitet në media për denigrimin që poi bëhet vlerave të LANÇ, për përdhosjen e simboleve të saj, dëmtimin e lapidarëve dhe busteve të heronjve, emërtimin e rrugëve me emra kriminelësh nga neoballistët e tejngopur me pushtet, që përpiqen të ngrenë në piedestal fundërrinat e kombit. Gazetaria e vërtetë bëhet, kur gazetari nuk ndjek linjën pragmtiste të pronarit, por shkruan atë që sheh e mendon, se ndryshe ndodh siç thotë Ryszard Kapusçinski: “Mediat janë një lodër në duart e të pasurve, të cilët i përdorin ato për tu pasuruar akoma më shumë.” Mund të veçonim disa media si gazeta SOT, portale si “Pamfleti” a
po tek tuk ndonjë nga rrjetet sociale që mbajnë qëndrim real, pa anësi partiake e mllefe personale ndaj fenomeneve të ndryshme jetësore. Presioni politik ose i parasë e deformon punën e gazetarit. Kemi ndjekur të gjitha emisionet investigative, por nuk kemi parë që në “grepin: e tyre të bjerë ndonjë peshk i madh, ministër e ishministër, deputet e kryebashkiak, bos apo oligark. Mbaj mend një herë emisioni “Fiks fare” njoftoi se të nesërmen do të jepte korrupsionin e një ish ministri të Berishës, por gënjyen vetveten dhe shikuesit, se siç duket korrupsioni ua preu hovin. Duke qenë të intimiduar,drejtuesit e emisioneve investigative nuk u bien problemeve në kokë, por një pjesë të mirë të kohës e harxhojnë duke bërë shaka bajate e duke shitur erudicionin e tyre para vajzave ballerina! Zëri i fuqishëm i mediave elektronike dhe të shkruar, i cili i përcillet në 15 kanale televizive që japin 24 orë informacione, në 56 stacione të tjera mbushin kohën e qytetarit me lloj lloj emisionesh, në 800 portale e rrjete të ndryshme sociale që shkruajnë ç’tu teket, do të ishte një kontribut me vlerë për demokracinë shqiptare, nëse secili pronar e gazetar i tyre do ta bënte ndershmërisht punën e ngarkuar. Media duhet ta përcjellë politikën, jo të bëhet vegël e saj e t’i bëjnë qoka njera- tjetrës. “Politikanët u tregojnë gënjeshtra gazetarëve- shkruan Karl Kraus- dhe pastaj politikanët u besojnë gjërave që lexojnë në gazetë.”