Ka nisur fushata me fjalë të “mjalta”, që kur i dëgjon ngjajnë si të “arta”. Po afron data dhe partitë janë të shqetësuara e tensionuara se kujt do i vijë mandata. Kemi 33 vjet, që mendojmë, dëgjojmë dhe meditojmë, cilën gënjeshtër të besojmë?… Shtrojmë pyetjen vetes, të krahut të majtë apo të djathtë? Ngremë kokën lartë dhe në fytyrë na bie baltë. Ulim kokën poshtë dhe na shkel këmba në “mjaltë”. Politikanët tanë sharlatanë, mbi tre dekada vendin peng po e mbajnë. Kur vijnë në pushtet, premtojnë me këmbë e me duar, për një jetë më të lumturuar. Boll na kanë mashtruar, se do zbresin parajsën në tokë dhe ne i kemi “besuar”, por sot ndihemi të zhgënjyer dhe të lënduar. Demokracia si askund tjetër, tek ne erdhi duke shkatërruar çdo vepër, duke e quajtur të vjetër. Me teorinë zero, qenë betuar dhe zotuar, se mrekullinë dhe parajsën shqiptare kishin për të ndërtuar. Prishën, e çfarë nuk prishën. Na ç’veshën lakuriq, na hoqën brekët dhe këmishën. Betoheshin si të shenjtë për xhaminë e për kishën, duke akuzuar për trashëgiminë e atyre që ikën. Na premtuan me lugë bosh, na vranë frikën. Duke na bërë thirrje patetike. Prishni, shkatërroni, vidhni pa pikë frike, mos u trembni, se jemi në kohë demokratike. Turma të irrituara i ngritën në këmbë. Me moton se çdo gjë e kaluar duhet shembë. I vunë ruspën, ç’ju dilte përpara. Me filozofinë se ç’është ndërtuar për 50 vjet, duhet të zhduket fara. Rrafshuan plantacione, me mollë, agrume, ulli e shegë, hidheshin si majmunët degë më degë. Dogjën pyje, e prenë pemë, si idhuj të demokracisë, premtojnë e gënjejnë, se pas kësaj masakre, parajsën do gjejmë. Prishën hekurudha,fabrika, uzina e kombinate, rrafshuan çdo vepër brenda një nate, gjoja për ti hapur rrugën pronës private. Filluan të ndërtojnë vila e pallate, për vete dhe për tarikate. Ndryshimet në truallin e Shqipërisë, kanë kaluar përmes barbarisë. Veprime që të shpien në mesjetë, gjithë kapitali i 50 vjetëve, u tret, në xhepat e politikanëve dhe sharlatanëve, të vagabondëve dhe sallhanëve. U gdhinë të varfër, u ngrysën të pasur, një kastë rrufjanësh, cipë-plasur, që me aventurat e tyre na kanë gajasur. Nuk di nga erdhi kjo racë njerëzore, me mëndje të mbrapsht, me dorë mizore, që vendin e ktheu në thertore. Hipi në pushtet një kastë halabakë, që mëngjesi i zuri lapurakë dhe darka oligarkë. Të etur për pushtet, prona e para, u turrën si kobrat në mish dhe bënë hata. U mblodhën bashkë horra, hajdut, këmbëzbathur,zuzarë e qyqarë, pa pasur prona u bënë pronarë dhe u bënë zotë të vendit, planetarë. Dolën të mençur një turmë e marrë. U sollën si lider dhe pse tru tharë. Kush të vjedhë më shumë, u vunë në garë. Ca rrjepacakë, fytyrë pa larë. Që lexoheshin në ballë, që ishin shpellarë. Kur i shikoje në sy, të bënin për të qeshur, të bënin për të qarë. U mblodhën ngado qenë kriminelë e hajdut, u turrën si ujkonja, si mizat në m…dhe për 30 vjet gënjejnë hiq e mos e këput, duke e psikologjisur popullin, se ashtu i do mushka drutë. U grumbullua llumi i shoqërisë, në emër të demokracisë, i vunë flakën Shqipërisë dhe u bënë pronarë, zotër të shtëpisë. Me tesera në xhep, me autorësi demokratike, na shfaqen çdo ditë këto qenie komike. Vijnë në pushtet asgjë s’realizojnë, dalin në opozitë, parajsën premtojnë, cilën gënjeshtër të besojmë?!… Qarkullojnë në pushtet, e majtë dhe e djathtë, njëra poshtë e tjetra lartë, duke i hedhur njëra tjetrës baltë. Populli bëhet fatalist, se qenka pa fat. Grinden vazhdimisht, grinden pushtetarët, nuk dinë as vetë pse grinden qyqarët. Ata grindjen e kanë hak, se grinden mes veti kush vodhi më pak. Shikojnë shokët që vjedhin më shumë, pasurinë e popullit që derdhet lumë. Popullin e konsiderojnë turmë. Problemi i qeverisë s’është çfarë realizoi, por kush humbi e kush fitoi, ai që vjedh më shumë, është heroi. Kjo garë prej vitesh është motua e pushtetit, që besojnë të venë në derën e xhenetit, duke vjedhur pasurinë e dovletit. I shikon populli qyqar, që politikanët bëjnë pazar, ndaj janë rrahur e janë sharë, e ndonjëherë dhe kanë vrarë, të pafajshëm qytetar, si tragjedia në 21 Janar. Kujtojmë shumë tragjedi si Gërdeci, që drejtësia aty ngeci. Moj e mjera Shqipëri, mbushur me krime, po s’ka drejtësi, krimi e krimineli në parlament rri, si një pikë mbi i. ’97 dhe ’98 , mos ardhsh kurrë, bëre vendin katrahurë, hape varreza e ngrite qivur, njollën më të zezë popullit i ke prurë. Për 33 vjet këta cipëplasur, kanë vrarë e vjedhur, kanë bërë ç’kanë dashur, dhe nga drejtësia asnjë gërvishtje s’kanë pasur. Shpresojmë tani që u krijua SPAKU, të zbulohet kapaku, t’u hidhet për fyti laku, të vejë te i zoti haku. Të katër pushtetet kanë kapitulluar. Qeveritë nga liderët janë kastruar. Parlamenti është zhytur në korrupsion me këmbë e me duar, intelektualët janë përgjumur, manipuluar, kanë kapitulluar, e kjo plagë e rëndë zor se ka për t’u shëruar. Kështjella e demokracisë është rrëzuar. Lutemi, lutemi,e lutemi, o Zot! pse na ke harruar, mallkuar e lënduar. Të katër shtyllat e demokracisë, janë ndotur nga korrupsioni, janë bërë pisë, e ja kanë nxirë fytyrën Shqipërisë. Pushteti qendror rri si kufomë në këmbë, katër tentakula e kanë shqyer me dhëmbë. Nepotizmi, krahinalizmi, militantizmi dhe klientelizmi, parakalojnë në trasenë e pushtetit, rëndë-rëndë, që në themele e kanë shembë. Kanë humbur shpresën shqiptarët, ndaj marrin arratinë qyqarët. Një rreze drite ndriçon te ndërkombëtarët, po u kanë kallur datën pushtetarët. Presin të vijnë nga jashtë dhurata, megjithëse gomarin e nxier i zoti nga balta. Te e majta dhe e djathta ka njerëz me aspirata, që dinë të dallojnë ditën nga nata, po s’shohin dritë në fund të tunelit, se i ka mbytur shtrënga
ta. Nuk i lenë ujqërit që paraprijnë e ulërijnë, se po “sakrifikohen” për demokracinë, për 33 vjet po e dëgjojmë këtë violinë, e popullin po e çojnë në greminë. Demokracia, një plagë që gjatë na dhëmbi, ëndrrat u shuan, shpresën na trembi, idealet shekullore na shembi, llumi ka dalë në krye të këtij vendi dhe kur udhëheq në krye llumi, nuk dihet se kur do i vijë fundi?!… Vetëm një ditë mund të shpëtoj Shqipëria, kur të vihet në vend drejtësia, urojmë: “Dashtë Perëndia”. Parlamentarët tanë pa bërë zë, shpikën ligjin fatkeq 7501, që pronën pronarit t’ia përvetësonin dhe me pronën e tij të bënin ç’të donin. Pastaj me shumë luftë e përpjekje, hoqën dhe ligjin e dënimit me vdekje. Kështu e kanë kthyer drejtësinë, në një hambar në një magazinë, që në unitet, të majtë e të djathtë të vjedhin pasurinë, të kooperuar me drejtësinë. Shqipëria përjeton një situatë fatale, e shkatërruar dhe nga ana morale, femra e meshkuj janë bërë karnavale. Dëgjojmë një lajm që se kishim dëgjuar kurrë, që të lejohet të martohet burri me burrë, në anën tjetër gruaja me grua, e kësaj “mrekullie”!, është pak nëse çmenduri i thua. Në televizione që quhen publik, dalin ca gazetar komik, dhe nxjerrin femra e meshkuj lakuriq, që të vjen turp e të vjen frikë. Ndonjërit që i digjet xhani, që i vjen rrotull “tavani”, të hap televizorin te emisioni “Çani”. Do shohë bollëk cica e prapanica, sa trupi t’i mbushet me mornica, aty sheh dardhë të shartuara me gorrica. U prish morali, u prish tradita, fëmija s’njeh respekt, ka humbur frika, fëmija vret prindin, prindi vret fëmijën, gruaja vret burrin e burri vret gruan, e krimi në familje si macja me miun luan. Disa të tjera janë me fat, e kanë kthyer skenën në krevat. Disa poet shkruajnë me paterica, i këndojnë këngëtaret me prapanica, i quajnë Blerina, Ledia, a Qereti s’ka rëndësi, po qesh e duartroket mileti, këtij arti i ka humbur lezeti, më e keqja që i bën sehir shteti, a thua mos ka ardhur qameti?!… I bën sehir tërë politika, nuk ka vërejtje, s’ka kritika, nga politikanët tanë qukapika. Historia përsëritet në formë spirale, me mbretër, e kryeministra karnavale. Ka parë ky popull e çnuk ka parë, matrapazë, hajdut, trutharë e tradhtarë, që Shqipërinë e kanë nxjerrë ankand në Pazar, duke filluar që nga Mbreti, Zogu i parë, e deri te demokratët e sotëm qyqar, që bregdetin Greqisë ja dhuruan për pajë dhe ende s’ka zgjidhje deri sot, ta hajë kush ta hajë. Janë në garë partitë me gënjeshtra, se kush do e fitoj, se të gjitha palët janë bërë mjeshtëra. Opozita ka mësues strategun Berisha, që di të bëj prita, të gënjejë, të vjedh e të vras dhe s’do të dijë se çfarë vjen më pas. Ky regjisor me përvojë, Shqipërinë për 33 vjet e ka nxirë me bojë, dhe vazhdon të jetë përsëri në lojë, nga dritarja ka filluar të ligjërojë, protesta të organizojë, është mjeshtër dhe për pare e pasuri s’ka nevojë, që të investojë. Varfëria po i vjen popullit rrathë -rrathë, politikanët janë një grup vagabondësh që i rrinë popullit në qafë. Politikanët tanë “profetë”, që janë majmur me pasuri e shëndet, për gënjeshtra, janë bërë mjeshtra, kanë talent, do ikin të pistë nga kjo jetë dhe fundin se dinë se çfarë i pret. Për divizë e filozofi kanë kuletën, por nuk e dinë si do e mbyllin jetën. Ndaj popullin e shohin si kope, që për interesat e tyre e kanë bërë pre, me gënjeshtrat monstruoze, pa fre. Jeta për ta ka veç një kuptim: “grabit, vidh, pasurohu me çdo çmim, krijo fitim, pa limit e kufizim”. Diviza e politikanëve tanë, është: “Gënje, gënje se diçka do mbetet, pa menduar se e vërteta kurrë s’tretet”.