Ekspertët në psikologjinë sociale janë në gjendje, në një farë mënyre, “të lexojnë mendimet” e politikanëve, t’ua zbulojnë të fshehtat që struken prapa diskursit të tyre. Fakti që janë jo të paktë politikanët egocentrikë, manipulues dhe të padenjë për t’u besuar, nuk duhet t’i bëjë njerëzit të rrojnë jashtë politikës apo të tregohen shpërfillës e indiferentë ndaj saj. Kemi dëgjuar të thuhet se “çdo popull, çdo vend, i ka hak politikanët e vet”, por, edhe nëse një gjë e tillë është e vërtetë, qytetarët duhet të përpiqen vazhdimisht për ta përmirësuar, për ta shëndoshur gjendjen politike të vendit përmes ushtrimit aktiv të të drejtave që ua garanton Kushtetuta në demokraci. Nga ana tjetër, mendojmë se detyra e psikologëve nuk është vetëm t’i ndihmojnë politikanët që këta të bëhen më të besueshëm e më bindës, por sidomos t’i qortojnë për truket që përdorin në orvatjet për t’ua mbushur mendjen zgjedhësve se janë të interesuar për hallet e kërkesat e këtyre. Por shkollimi apo deshifrimi i gjuhës e i gjesteve të politikanëve nuk është diçka aspak e thjeshtë. Evropa, ashtu si bota mbarë, është në krizë. Në të vërtetë Kontinenti Plak nëpër situata të ndërlikuara ka kaluar prej qindra vjetësh, ama duhet të pranojmë se natyra e krizës së sotme ekonomike, sociale e politike është shumë më serioze. Bie në sy fakti se, edhe në rastet kur politikanët që janë në pushtet nuk e përdorin funksionin që kanë për të siguruar përfitime vetjake, gjithsesi bëjnë çmos për ta vënë veten në qendër të vëmendjes së të gjithëve, brenda e mundësisht jashtë vendit. Këtë përshtypje krijonte shpesh ish-kryeministri italian Silvio Berluskoni. Por edhe poliedriku Edi Rama dhe Albin Kurti. Madje ky i fundit, në këmbënguljen për të arritur pikësynimin e vet, nuk ngurron të përplaset dhe t’u kundërvihet gjer edhe Të Mëdhenjve të Përkëtej e të Përtej Oqeanit. Vlen të theksohet se, që të kenë sukses, nuk mjafton që politikanët të thonë gjëra të mira ose të flasin në mënyrë bindëse për politikën e tyre, por lipset të zotërojnë edhe artin e “të folmes” së trupit, që është kusht sine qua non për të vërtetuar se e meritojnë të shihen si liderë të mirëfilltë, ngaqë u ndodhen pranë njerëzve dhe shqetësohen për fatin e zgjedhësve e të mbarë popullit. Përveç sa thamë më sipër, që të jenë politikanë sa më të efektshëm, duhet të tregohen të aftë për të mbajtur nën kontroll, për të frenuar ato anë të sjelljes së tyre, të cilat mund t’i „nxjerrin zbuluar”, mund t’i “tradhtojnë”. Ndër të tjera, duhet të sigurohen që njerëzit të mos ua kuptojnë mungesën e qetësisë apo të pasigurisë vetjake. Profesori Peter Collett tregon se si kur Xhon F. Kenedi u ballafaqua me Riçard Niksonin në debatin e parë televiziv për presidencialet në SHBA, më 1960, njerëzve që e dëgjuan debatin në radio u la mbresa më të fuqishme Niksoni, në një kohë që ata që e ndoqën në televizor vendosën në çast të votonin pa ngurrim për Kenedin. Arsyeja ishte se në ekran Kenedi u shfaq i qetë, ndërsa Niksonin e mbuluan djersët nga shqetësimi. Si rrjedhojë, rezultatin e debatit nuk e vendosi ajo që tha secili nga kandidatët, por mënyra se si u paraqitën në studio. Me fjalë të tjera jo gjuha e gojës, por “gjuha” e trupit!