BREAKING NEWS

Gati lirimi i Sali Berishës dhe Jamarbër Malltezit nga burgu, ja çfarë përmban marrëveshja e Edi Ramës me “Rithemelimin”, nga shkatërrimi i SPAK dhe rrëzimi i ligjit të dekriminalizimit, te ngritja e komisionit anti-reformë

Gati lirimi i Sali Berishës dhe Jamarbër Malltezit nga burgu, ja
x
BREAKING NEWS

Ja çeta e grabitjes së pronave të ushtrisë, nga presidenti Bajram Begaj, te Xhaçka dhe Belinda Balluku, zbardhen shkeljet e rënda penale për interesat e oligarkëve, si u vendos në rrezik siguria kombëtare, operacionaliteti i Forcës Detare dhe detyrimet...

Ja çeta e grabitjes së pronave të ushtrisë, nga presidenti
x
BREAKING NEWS

Katër atentate e plagosje në katër ditë ministrit të suksesshëm Taulant Balla, policia mbledh gëzhojat e ekzekutimeve

Katër atentate e plagosje në katër ditë ministrit të
x
BREAKING NEWS

Spartak Ngjela: Serbët u infiltruan në Shqipëri në vitet ’92-’97 me ndihmën e qeverisë “Berisha” dhe u investuan për të shkatërruar ekonominë e vendit, ja dosja e ‘nxehtë’ që është mbuluar nga pluhuri i harresës dhe si SPAK mund të çojë pas hekurave 2 ...

Spartak Ngjela: Serbët u infiltruan në Shqipëri në vitet
x
BREAKING NEWS

16 vite nga masakra e “Gërdecit”, ja të fshehtat tronditëse të aferës së fabrikës së vdekjes, në “lojë” ishin 10 miliardë dollarë, nga zhdukja e dëshmitarëve, te kërcënimet e Shkëlzenit për Luan Hoxhën për t’i mbyllur gojën dhe alibitë e Berishës për t...

16 vite nga masakra e “Gërdecit”, ja të fshehtat
x
BREAKING NEWS

Nga zbërthimi i bisedave sekrete, te skema që ndoqi kreu i ARRSH për të përfituar miliona euro nga kompania e tij që e deklaroi të shitur, zbardhen të tjera detaje nga arrestimi i Evis Berberit dhe dy biznesmenëve, ja çfarë u zbulua nga celularët e sek...

Nga zbërthimi i bisedave sekrete, te skema që ndoqi kreu i ARRSH
x
BREAKING NEWS

Pas Ogerta Manastirliut, edhe Belinda Balluku drejt dorëheqjes dhe prangave, ja të gjitha skandalet ku është përfshirë zv/kryeministrja

Pas Ogerta Manastirliut, edhe Belinda Balluku drejt dorëheqjes dhe
x
BREAKING NEWS

Idajet Beqiri plas “bombën”, Flamur Noka dhe Luçiano Boçi shkuan në Janinë me një thes me para, ja personazhi misterioz që takuan për të goditur kundërshtarët e Sali Berishës në Tiranë, zbardhen pazaret

Idajet Beqiri plas “bombën”, Flamur Noka dhe Luçiano
x

Opinion / Editorial

Gozhda në murin e tjetrit!

Gozhda në murin e tjetrit!

Sikurse dilema Rambuje dikur, edhe çështja e asociacionit sot në Kosovë ka pështjelluar opinionin publik dhe politik shqiptar në rajon. Bie në sy fakti se trysni për të nuk po ushtron vetëm Serbia e BE por edhe SHBA, aleati historik i shqiptarëve por kjo e fundit e ka bërë të qartë se është për një asociacion pa fuqi ekzekutive në respekt të Kushtetutës e sovranititet shtetëror. Njëlloj si në Rambuje, optika e SHBA sheh përtej ngërçit të ditës dhe sot ajo sërish po hipotekon vetveten duke merituar respekt e besim. Përtej debatit rreth përmbajtjes së tij, trysnia rreth asocionit bazohet edhe tek fakti se për të palët kanë rënë dakord dikur. Se si ndodhi kjo, se si i shpëtoi “filtrit” shqiptar e partnerëve tanë e zuri vend në tavolinën e bisedimeve një çështje “apendesit” për Kushtetutën liberale e perëndimore të Kosovës, koha do e tregojë, por e rëndësishme sot është shmangja e një “autogoli” tjetër e “litarëve” pas.  Firma e hedhur dikur në parim duhet respektuar por, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe kontekstit aktual në rajon, çështja e asociacionit duhet rishikuar, njëlloj sikurse ndodhi edhe me marrëveshjen e shumëpërfolur të detit mes nesh e Greqisë. Asociacioni nuk ka epërsi ndaj Kushtetutës e sovranitetit shtetëror të Kosovës dhe nëse duhet të “katandiset kokoshi një thelë”, duhet të jetë asociacioni dhe jo shteti kosovar. Sa i përket kontekstit, firmosja dikur në mirëbesim presupozonte një emancipim demokratik në rritje në rajon por mjerisht Serbia ende nuk reflekton ndaj së shkuarës. Ajo ende mban Kosovën në Kushtetutë, shpall vija të kuqe rreth saj, veçohet nga BE në qëndrimin ndaj Rusisë etj, duke vënë në pikëpyetje vullnetin e mirë dhe synimet reale pas asocionit në fjalë.

Asociacioni, si “iso” e së shkuarës

Nëse Serbia insiston në asociacionin mini-shtet, atëhere le ta bëjë e para këtë gjë me pakicat e saj. Fundja, sido që t’i vejë filli asocionit, ai do të jetë shembull për të tjerë në rajon. Mes respektimit real të pakicave dhe “gozhdës së Nastradinit” në murin e tjetrit ka një dallim thelbësor dhe për rajonin me një këmbë në BE është jetik lënia pas e imazhit historik të fuçisë së barutit. Nëse Serbia e ka seriozisht integrimin në BE, ka shansin që me asociacionin të dëshmojë mentalitet perëndimor. Në mos të braktisë asociacionin “neo-vorioepiriot” që bie ndesh edhe me projektin e tyre të reklamuar Open Balkan dhe vetë frymën e BE, atëhere të respektojë Kushtetutën e Kosovës dhe të bjerë dakord me asociacionin pa fuqi ekzekutive duke e shoqëruar me reciprocitet në Luginë. Dhe mbi të gjitha duke reflektuar mbi të shkuarën e artikuluar ndjesë për të. Ndryshe, një asociacion që shpie ujë në mullirin rus nuk do të ishte shtysë për paqe e harmoni por hapje e kutisë së Pandorës për tensione në rajon. Asociacioni ekspozon keqas qëndrimin me dy standarde të Serbisë ndaj shtetit të Kosovës. Nuk e njeh zyrtarisht atë por ndërkohë merr të mirëqenë firmën e hedhur vite më parë apo atë të radhës për vënien në jetë të tij! Asociacioni nuk mund të firmoset nga një shtet “fantazëm” dhe sa kohë me alibinë e mosnjohjes Serbia refuzon reciprocitetin me Luginën e gjetiu, asgjë nuk e pengon Shqipërinë të ngrejë zërin për të. Paradoksi historik në marrëdhëniet shqiptaro-greke me shpërpjesëtimin në qëndrimin ndaj pakicave, viktimizimin e rrejshëm, arkaizmat si vorioepiri, tabuja e çështjes çame, shpërfillja e elementit shtetformues shqiptar në Greqi etj, nuk duhet të lejohet të stiset si avaz në raportin e së ardhmes tashmë mes Kosovës dhe Serbisë. Për një shtet me mbi 90% shqiptarë por që sërish pagëzohet multietnik, asociacioni mini-shtet që krijon enklava etnike duhet të jetë po aq vijë e kuqe për politikën shqiptare, sa dhe teza vorio-epirote e ekstremizmit arkaik grek. Ndaj Kushtetutës nuk ka dy standarde dhe nëse ajo shpërfillet për asociacionin, atëhere bie edhe pengesa për referendum për bashkim kombëtar shqiptar.

Asociacioni si problem mbarëshqiptar

Politika nuk është matematikë ku një minus i dytë bën plus të parin. Një gabim i dytë me asociacionin nuk zbut apo zhbën të parin por përkeqëson situatën më tej. Zgjidhja nuk është as asociaciono-fobia (përsa kohë ka reciprocitet), as shpluhurosja e tezës së shkëmbimit të territoreve (që janë të dyja troje shqiptare) por kohezioni e bashkëjetesa demokratike mes qytetarëve në Ballkanin pa kufij. Jeta dhe dinjiteti i një shqiptari në Luginë vlen po aq sa dhe ajo e një serbi në Kosovë dhe fjala kyç mbetet reciprociteti. Pozicionimi i KFOR në urën e Ibrit duhej të ishte në funksion të unifikimit të territorit dhe jo enklavizimit të tij. Asociacioni mini-shtet përveçse njësh dhe koherent me politikat serbomadhe në rajon, është karshillëk jo vetëm ndaj shtetit të Kosovës por dhe vetë KFOR në misionin e tij të garantimit të paqes e lirisë për këdo në Kosovë. Dhe përpara se dikush në BE ta gjejë të arsyeshëm asociacionin mini-shtet, të pohojë më së pari se KFOR ka dështuar në Kosovë!

Asociacioni i hap “oreksin” më tej Serbisë që nuk ndahet nga e shkuara dhe ndonëse bën “delen e zezë” ndaj luftës në Ukrainë dhe izolimin ndërkombëtar të Rusisë, sërish gjen shesh e bën përshesh në BE. Me asociacionin mini-shtet zyrtarizohet intimidimi ndaj shtetit të Kosovës dhe e ardhmja mbetet e paqartë duke zgjatur krizën pafundësisht. Me asociacionin në “xhep” Serbia nuk ka më ngut për asgjë. As për integrimin në BE sepse e di që BE përdëllohet për të me kosto zvarritjen edhe të integrimit të vendeve të tjera në rajon por dhe se nga dyzimi mes lindjes e perëndimit, Serbia veç fiton më shumë. I kujtdo forme, asociacioni gjithmonë do të jetë sfidë për sovranitetin në Kosovë. Sovraniteti nuk duhet të mbetet në letra dhe e vetmi mekanizëm që e garanton atë do të ishte përshpejtimi i futjes së Kosovës në NATO për t’i dalë para çdo shndërrimi eventual të kufirit mes Kosovës e Serbisë në kufi mes perëndimit e Rusisë. Nëse nuk hiqet dorë prej asocionit, atëhere ai duhet rishikuar me njohjen e ndërsjelltë si parakusht, reciprocitetin e kushte të tjera si paketë shoqëruese deri “hollimin” e tij me krijimin e asociacioneve gjithandej (veri, jug, lindje e perëndim) me kompetenca bashkish. Asociacioni nuk është thjesht problem kosovar por shqiptar. Politika, historianët, intelektualët, shoqatat qytetare etj kudo në hapësirat shqiptare duhet të çmontojnë më tej mitet shoviniste në rajon. Kosova nuk është djep i Serbisë por “dosje” e stërmadhe e padrejtësisë ndaj shqiptarëve autoktonë. Krishterimin në ato vise nuk e sollën serbët por e gjetën aty sikurse gëzuan gjatë edhe pasuritë e shumta natyrore për të cilat ka aq shumë nevojë sot shteti më i ri në Europë. Sot është dita për unifikim të qëndrimit shqiptar në rajon në harmoni me partnerët tanë historikë. Jo “krehje” e lojëra opozitash në bulevard që si gjithmonë përkojnë “rastësisht” me krizat në Kosovë, sjellje bedeli e justifikim i mungesës së Serbisë ndaj sanksioneve ndaj Rusisë apo dhe vijimin me Ballkanin e Hapur fryma e të cilit bie ndesh me asociacionin mini-shtet. “Gozhda” e huaj në murin e Kosovës është gozhdë në shtëpinë mbarëshqiptare dhe po aq sa i rëndësishëm është raporti mes shqiptarëve dhe serbëve për të ardhmen e rajonit, po aq rëndësi ka që të fillohet me këmbën e mbarë.