Bioetika Mjekësore është një disiplinë mësimore që zhvillohet në shkollat e larta mjekësore publike apo private të vendit tonë. Respektimi i kërkesave, rregullave dhe parimeve të saj luan një rol të rëndësishëm në ushtrimin sa më të mirë të mjekësisë. Kjo për faktin, sepse të gjitha profesionet mjekësore, kanë si bosht kryesor të tyre marrëdhënien me pacientin. Si rregull, gjithnjë kur dy persona kanë një raport me njëri tjetrin, do të ekzistojë edhe etika, që siç dihet ka të bëjë me rregullat e sjelljes midis tyre. Pra, Bioetika, përfshirë edhe Etikën Mjekësore, kërkon që të gjithë punonjësit e mjekësisë të jenë në radhë të parë të sjellshëm dhe të zellshëm gjatë ushtrimit të profesionit të tyre. Nga përvoja jonë ka rezultuar se një nga shkaqet kryesore të ndjekjeve penale për shkeljet mjekësore (medical malpractice) ka qenë mosrespektimi kryesisht nga ana e punonjësve të mjekësisë i rregullave të Bioetikës dhe Etikës Mjekësore në marrëdhëniet e tyre me pacientët dhe të afërmit e tyre. Për këtë arsye, është e nevojshme njohja dhe zbatimi i të gjitha aspekteve të ndryshme të saj. Me këtë rast duhet përmendur se për një student që kryen një shkollë të lartë mjekësore, në përfundim të saj, bagazhi i njohurive që ai merr shfaqet në dy drejtime kryesore: i pari, përgatitja shkencore dhe profesionale për të gjitha specialitetet mjekësore dhe i dyti, senci i përgjegjësisë, për të cilin padyshim, një rol kryesor ka edhe marrja e njohurive të disiplinës të Bioetikës Mjekësore. Në të vërtetë, Bioetika mjekësore konsiderohet një shkencë relativisht e re që merret me shqyrtimin e problemeve etike aktuale që lidhen me përparimet e shkencave biomjekësore, e cila përbën një zhvillim të ri të Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore. Pra në thelbin e saj qëndron Etika dhe Deontologjia Mjekësore që studjojnë rregullat e sjelljes, parimet morale të të gjithë punonjësve të shëndetësisë: mjekë, ndihmës mjekë, dentistë, farmacistë, infermierë etj., të cilat shfaqen në marrëdhëniet e secilit prej tyre me të sëmurin, marrëdhëniet midis tyre etj. Gjithashtu ajo analizon detyrat dhe të drejtat e tyre gjatë ushtrimit të profesionit në specialitetet e ndryshme të mjekësisë, rastet kur ndodhin shkelje të rregullave morale dhe ligjeve mjekësore. Siç dihet,të gjitha aktivitetet mjekësore, që ushtrohen nga mjekët dhe punonjësit e tjerë të shëndetësisë, përbëjnë në radhë të parë një detyrim për të mjekuar dhe shëruar personat e sëmurë, duke vonuar kështu sa më shumë ardhjen e vdekjes së tyre. Për ta kryer sa më mirë këtë mision, të gjithë këta punonjës kanë për detyrë azhornimin me të rejat shkencore të specialiteteve të tyre, pjesëmarrjen në aktivitete kualifikuese për ngritjen e tyre profesionale. Nga ana tjetër, zbatimi i këtyre profesioneve mbështetet në respektimin e ligjeve shtetërore përkatëse dhe rregullave etiko-morale nga ana e atyre që kanë marrë përsipër përmbushjen e këtyre misioneve. Plani i këtij teksti mësimor do të jetë si vijon. Në fillim do të jepen konceptet e disa disiplinave të afërta me Bioetikën Mjekësore, njohja e të cilave do të jetë e nevojshme për një kuptim sa më të thellë dhe më të plotë të vetë Bioetikës; më pas do të analizohen disa të dhëna të përgjithshme mbi Bioetikën: përkufizimet, përmbajtja etj. Në vazhdim do të pasqyrohen njohuri mbi të Drejtat e Njeriut dhe ato të pacientit, të pasuara me parimet e Bioetikës, duke u përqëndruar në të fshehtën mjekësore dhe konsentin, disa aspekte etike dhe bioetike të HIV/AIDS dhe covid-19, problemet e ndryshme të vdekjes dhe fundit të jetës, ku përfshihet edhe koncepti i pavdekshmërisë, i diseksioneve anatomike dhe autopsive të kufomave humane. Më tutje do të shqyrtohet eksperimentimi human, transplantimet e organeve të njeriut, ekoetika dhe etika e mjedisit, të drejtat e kafshëve, sëmundjet neuro-psikike dhe operacionet në trurin e njeriut, çështjet që kanë të bëjnë me arritjet në fushat e gjenetikës dhe biologjisë molekulare: inxhinieria gjenetike, terapia gjenike, diagnoza para lindjes, mjekësia prediktive etj., çështjet e riprodhimit: kontrolli i lindjeve, aborti, sterilizimi, riprodhimi me anën e ndihmës mjekësore, eugjenika dhe eugjenizmi, klonimi. Në pika të veçanta do të trajtohen problemet e torturës, terrorizmit, gjenocidit që i takojnë problemit bioetik të respektimit të të drejtave të njeriut, problemi i shkeljeve mjekësore, i cili në fakt përbën një pikë takimi të ngushtë të disiplinave të Bioetikës, Etikës Mjekësore me Mjekësinë Ligjore. Në fund do të paraqiten një numër situatash në trajtë ushtrimesh, në lidhje me çështjet e ndryshme të Bioetikës, zgjidhja e të cilave do të ndihmojë në të kuptuarin dhe përvetësimin sa më të mirë të kësaj disipline mjekësore. Në pjesën e shtesës do të jepen njohuri mbi legjislacionin në vendin tonë dhe atë ndërkombëtar në fushat e ndryshme të Bioetikës Mjekësore, disa çështje etike të profesioneve të mjekut, dentistit, farmacistit , infermierit, laborantit mjekësor, etj. Në fakt, paraqitja e këtyre problemeve në këtë mënyrë, bëhet vetëm për qëllime didaktike, që studentët, specialistët e fushave të ndryshme mjekësore dhe publiku në përgjithësi ta kenë më të lehtë njohjen sa më të mirë të tyre, të cilat në realitet paraqiten shumë më komplekse dhe të gërshetuara ngushtë me njëra tjetrën.
Spektakël në koncertin e Noizy-t, reperi surprizon në mënyrë të veçantë fansin e tij, video-ja bën xhiro në rrjet
Reperi mjaft i dashur për publikun, Noizy është gjithmonë në qendër të vëmendjes sa i përket këngëve dhe koncerteve të...
Lexo më shumë