Askush nuk është më i mirë se unë,por as unë nuk jam më i mirë se të tjerët. Ky postulat i hershëm i popullit mbetet kryekëput në jetën e tyre politike,si e përcakton populli tash një dekadë, por në rrugë të shtrembër. Pasi u dha lajmi zyrtarisht nga mbledhja e vendeve anëtare të BE, ku një pjesë e tyre nuk ishin dakord për hapjen e negociatave, duam të shprehim opinionin në lidhje me këtë qëndrim, duke u bërë me dije këtyre vendeve që nuk ishin dakord se mos dhënia e dakordësisë për hapjen e këtyre negociatave i ka dhënë një goditje direkt popullit shqiptar dhe jo politikës. Presioni mbi politikën dhe qeverinë e këtij vendi do të bëhej më shumë po të hapej kjo rrugë e re, si pasojë e zbatimit të rregullave të lojës për të qëndruar në këtë organizëm të lartë europian, se edhe ndeshjet sportive kanë nga një arbitër kryesor që në shumë raste nuk e shikon aksionin dhe merr mendimin apo ndihmën e anësorëve që janë më afër aksionit për të qenë sa më i drejtë në dhënien e vendimeve. Kështu që këto vende që nuk ishin dakord do mendojnë se detyrat do të realizohen duke ndëshkuar popullin e pafajshëm dhe të pafuqishëm ndaj kësaj klase politike që ka privatizuar këtë vend prej shumë. Ne jemi ndër vendet e pakta të demokracive perëndimore, ku rinia nuk ka asnjë lloj roli në vendimmarrje, si dhe nuk përbën forcën rinovuese të vendit, po tenton të largohet nga atdheu. Të rinjtë që kanë studiuar duke investuar mundin e tyre familjet shqiptare, me sakrifica dhe vështirësi të shumta financiare, ku janë vlerësuar vlera të larta intelektuale, me nivele të lakmueshme edhe në fushën e formimit akademik, si dhe me aftësi të jashtëzakonshme integruese në jetën e shoqërisë së vendit, nuk vlerësohen dhe përkrahen as nga shoqëria as nga organizmat shtetërore. Shoqëria shqiptare ka shprehur vullnetin e saj të bëhet vend demokratik ashtu si vendet e tjera perëndimore por, akoma, në ditët tona, kjo dëshirë dhe nevojë nuk është realizuar duke na lënë në një faze ndërmjetëse që jemi mësuar ta quajmë tranzicion. Në Shqipëri, me të vërtetë u rrëzua rrëgjimi komunist këtu e dy dekada më parë, si dhe u ndërrua fytyra e formës qeverisëse, por pak ndryshoi modeli, duke mbetur në modelin e vjetër në formën e të vepruarit dhe të qeverisurit. E për këtë fajtore është klasa politike shqiptare. Prandaj, krahas impenjimit me përkushtim në thellimin e reformave në vend, për të dalë nga tranzicioni vendi ynë ka nevojë për një frymë të re, për një mentalitet të ri qeverisës të personifikuar me demokracinë moderne perëndimore. Frymën e re dhe mentalitetin e ri askush nuk e përfaqëson më mirë se rinia që po shkollohet duke marrë eksperienca të drejtpërdrejta akademike dhe jetësore në demokracitë perëndimore. Prandaj, kjo rini që mbart vlera përparuese, zhvillimi dhe demokratizuese, duhet jo vetëm të vlerësohet, ashtu siç e meriton nga politika dhe shteti shqiptar, por edhe të përkrahet dhe të mbështetet për t’i dhënë hapësirat e domosdoshme, ku mund të jap ndihmën e saj për të bërë të mundur daljen e vendit tonë njëherë e mirë nga tranzicioni i stërzgjatur. Të rinjtë shqiptarë të shkolluar brenda dhe jashtë vendit, nuk duhet ta lëmë fatin e atdheut në dorën e një klase politike të demoduar e jashtë mode, që nuk mbart asnjë vizion modern në mënyrën qeverisëse dhe në thellimin e reformave integruese. Ne duhet të jemi të vendosur dhe të bindur se vendi ynë meriton të jetë si vendet e tjera në Europë, duke qenë të rinjtë intelektualë ata që do ta çojnë Shqipërinë, atdheun e tyre në vizionin e shekullit të ri, me ndryshim nga paraardhësit e tyre, të një politike ndryshe, por sigurisht duke u përkrahur nga shoqëria dhe opinioni mbarëpopullor.
Moderatorja e njohur bën deklaratën e papritur: Më është rritur barku këto kohë…
E ftuar në një emision televiziv mbrëmjen e sotme ka qenë moderatorja e njohur Argjira Spanca. Gjatë bisedës së saj...
Lexo më shumë