Çizmen dhjetra mijë euroshe të Monikës, që hoqi dikur në parlament për të goditur Edi Ramën, me zjarrvënësit berishistë të sotëm, i lidh i njëjti qëllim: sulmi i paprecedent kundër drejtësisë për të mbrojtur familjet e tyre në hetim për krimet e bëra dhe pasurinë që i kanë vjedhur këtij populli. Asnjëherë opozitarët ithtarë të Berishës, nuk e kanë ndjerë veten më ngushtë, se sa sot. Tek shohim Salanjin, Nokën,Bardhin, Nallbatin, Korreshin,Vokshin, që i vënë zjarrin parlamentit, ndjen jo vetëm urrejtje, por edhe një farë keqardhje, se si po i përdor Berisha për hallin që e ka zënë. Edhe atëhere Monika, që u printe “guerrilasëve” opozitarë në parlament, kërkonte me çdo kusht të mbronte kreun e inkriminuar të i Prokurorisë së Përgjithshme, Llalla, që të mos i prekej familjes së saj dhe të Berishës pasuria që i kishin vjedhur këtij populli fukara. Të gjithëve u kujtohet, se si kërcënonte e ulërinte opozita atëhere, se Prokurori i Përgjithshëm mund të zgjidhej vetëm nëse “do të kalonin mbi trupat e tyre”, ashtu siç patën deklaruar edhe kur do të zgjidhej Gramoz Ruçi Kryetar Parlamenti. Madje Jozefina e Saliut, u bë më trimëreshë kur e bëri fajtor atë që “nuk u fuste plumbin ballit” drejtueseve socialistë. A nuk janë po për të njëjtin qëllim, por akoma më të egra dhe krejtësisht rrugaçe akuzat e Berishës, i cili kërcënon drejtësinë me akuza të tilla si “bandë kriminale”, “skapistë të korruptuar të Edi Ramës”, “strukturë banditeske” etj, vetëm për të shpëtuar familjen dhe dhëndrin nga drejtësia? Ashtu si Monika dje, edhe Salianjët, Nokët, Nallbatët, Korreshët, Vokshët e eksituar, që i vënë zjarrin tempullit të demokracisë, nuk kanë as hallin e Kushtetutës dhe as hallin e popullit të vuajtur, por të pengojnë me dhunë drejtësinë që të mos bëjë punën e saj ndaj familjes Berisha “non grata”. Këta soj deputetësh e dinë shumë mire, se Berisha është mburoja kryesore e gjithë pisllëqeve të kësaj kaste tejet të korruptuar, që e ndjek pas “nga humbja në humbje” dhe shpresa e fundit që ata të zënë një vend në Parlamentin e ardhshëm. Opozita tymuese dhe flakadanhedhëse ndoshta përpiqet të imitojë veprimet e Albin Kurtin dikur në Kosovë, por janë me shekuj dritë larg tij. Albini ishte patriot, kishte kauza e motive kombëtare, kishte popullin prapa, sepse shtronte alternativa e ngjallte shpresë për të ardhmen, kurse këta dështakë j janë krejtësisht të vetmuar, të braktisur e të njollosur dhe ua bllokuar rrugën nofka e “non gratës”. Popullin shqiptar nuk e bind më kurrë kjo opozitë. As Salanji e Noka që ndezin flakadanët, as Bardhi që i thyen krahun gardistit, as Nallbati që godet si boksier kolegun, as Vokshi që fut mjetet ndezëse në të mbathura e as “qaratvitjet” e Argitës që qenka “shtresë e mesme” dhe u “përvëluaka” për të ardhmen e fëmijëve të popullit. Por sido që të jetë,situata e krijuar në parlament nga rrugaçëria e disa opozitarëve, mosparaqitja e Saliut para organeve të drejtësisë, lënë shteg për aludime jot ë mira tek shqiptarët që e duan vërtet demokracinë. Ka ndonjë “pushtetar” e “analist” që mendon se “Berisha nuk shpëton dot më, sepse drejtësia e kap lepurin me qerre!”. Por siç duket, as drejtësia jonë nuk e ka një “qerre të tillë” dhe as Berisha nuk është nga ata “lepuj” që bie kollaj në lak. Mos qoftë akoma më keq,nëse midis palëve të ekzistojë një situatë bashkëpunuese, siç qarkullojnë disa teori konspiracionistë. Lind pyetja: mos vallë SPAK-u nuk e njihte atë nen të Kushtetutës, pas të cilit kacavirret si mace e shfrytëzon Berisha për mosparaqitjen e tij para organeve të drejtësisë? A nuk i kishte injoruar gjithmonë Berisha organet e drejtësisë, duke mos u paraqitur asnjëherë kur ato e kanë thërritur? Si shpjegohet ligjërisht që një gjyqtare e dërgon Malltezin në burg dhe tjetra, po me ato fakte, e kthen në shtëpi? Pse heshtet nga parlamenti për një ligj të rëndësishëm që miratoi ai për pastrimin e politikës nga spiunët dhe ish komunistët? Ku e gjejnë forcën deputetët të tillë si Salanji, i dënuar me burg dhe Nallbati i paditur në prokurori, që të vazhdojnë më egërsisht sulmet e tyre në parlament? Pse vallë gardisti nuk paska të drejtë të reagojë kur shtyhet, i thyhet krahu, përplaset pas karrigeve, ha shuplaka dhe deputetët kokoroshë trimërohen se “i mbron” imuniteti? Këto veprime bjerrin besimin e popullit tek drejtësia dhe i japin atij të drejtën të mendojë se deputeti e politikani i veshur me pushtet, mund të thyej dyert, mund të godasë me grushta, mund t’i vërë zjarrin pronës së popullit, mund edhe të vrasë pot ë dojë, dhe nuk e gjen asgjë pasi ai ka imunitet? Është e neveritshme kur shikon deputetin “e votuar nga populli” t’i thotë gardistit që kryen detyrën: rri gatitu, se unë dua të rrah! Populli të gjitha i sheh dhe nuk e verbojnë dot më, as ekspertët që futen në parlament gjoja të mbledhin “fakte” për të ngritur padi penale, ashtu siç bënë më 8 janar kur Berisha i vuri zjarrin selisë së partisë së tij, siç mblodhën “prova” për tragjedinë e “Gërdecit” e vrasjet e “21 janarit”, siç “dënuan” Salanjin për shpifje, siç vunë para përgjegjësisë penale Bardhin për vrasjen në Elbasan, apo të tjera denoncime që tanimë po kthehen në komedi. Në asnjë vend të botës nuk mund të ndodhë që një person i marrë në hetim, qoftë ky edhe më i madhi i vendit, të mos paraqitet para drejtsisë, kur thërritet.! Një prokuror i thjeshtë në SHBA, për një vepër të rëndomtë, gjunjëzoi Klintonin, Presidentin më të madh të botës, kurse një copë Berishë, i zbritur nga malet e Viçidolit, shan e kërcënon mbarë e prapë prokurorë e gjyqtarë, pavarësisht nga forca që u jep atyre ligji. Ndonjë përpiqet të justifikojë se “edhe prokurorët e gjyqtarët njerëz janë, kanë familje” ndaj edhe duhet të stepen. Nëse është kështu, më
mirë të largohen nga detyra e të mos shkelin mbi dinjitetin e tyre dhe forcën e ligjit. Monika ka ditë që është fshehur, Ilirit i mekur flet nganjëherë me gjysmë zëri, vetëm Berisha llomotit rrugëve dhe në podiume hipokritësh, duke bërë vetë prokurorin e gjykatësin, kryetarin e grupit parlamentar e drejtuesin trimëror të pseudopozitës. Këtu nuk është fjala nëse dënohet ose jo një plak i rrjedhur e një ish-pushtetar me një mal krimesh në kurriz, se ai i ka mbushur ditët, por për precedentin që krijohen për drejtësinë e re shqiptare, se kush ka pushtet e para nuk shkon kurrë në burg.