Dëgjohet shpesh të thuhet: ”ah, kjo jetë e poshtër, nuk përballohet kollaj”. Kjo nuk është e vërtetë, sepse siç thotë një proverb popullor: ”jeta nuk është e poshtër, por disa të poshtër jetojnë në këtë jetë”. Ç’është jeta? Jeta janë ditët, javët,muajt që kalojmë, koha që rrjedh nga e kaluara drejt së ardhmes. Atëhere cilën ditë, muaj e vit mund të quash të poshtër? Në këto kohëra kanë jetuar shkencëtarë e filozofë, diktatorë e demokratë, artistë dhe ushtarakë, dogmatikë e racionalizatorë dhe gjithsecili iu ka imponuar kohës me veprimin e tij, për mirë apo për keq, dhe ajo e ka përjetësuar atë. Sipas zhvillimit të ekonomisë dhe kulturës, e rolit të individëve që drejtojnë kombin, emërohen dhe epokat historike. U quajt periudhë kriminele ajo e Luftës së II Botërore, sepse kriminel ishte Hitleri që e shkaktoi atë. Mos vallë ishte faji i kohës?! Jo. Hitleri për të vendosur sundimin e tij përdori kryesisht njerëzit e poshtër dhe këtë e ka vërtetuar vetë kur është shprehur: “Nuk kam parë më të poshtër, se ata që më ndihmonin të pushtoj vendet e tyre”. “Kemi bërë jetë të poshtër në kohën e Enverit”, thonë shpesh shumica e atyre që e jetuan kohën e tij. Por ç’faj kishte koha, se Enveri me mentalitetin e tij, me ato metoda drejtimi krijoi partinë shtet, që nuk u vu sa e si duhet në shërbim të jetës së qytetarit. Kemi mbi tridhjetë vjet që jetojmë kohën e demokracisë dhe për një vjedhje, për një krim, për një tradhti bashkëshortore, për një vështirësi të pakapërcyeshme, pa u menduar gjatë ,ia hedhim fajin demokracisë. “Deshët demokraci ju, ja kjo është koha e demokracisë, mbajeni tani!”- shprehen nostalgjikët e së shkuarës. Për luftën e pandershme të partive politike, për një hall që nuk na e zgjedh një shtetar, për një shërbim që nuk e marrim në kohën e duhur, për një sjellje të pahijshme në shkolla, për pengesat që na nxjerrin zyrtarët, duke mos na dhënë atë që na takon, themi: “është e poshtër jeta.” Demokracia është modeli më i mirë i qeverisjes së një shteti, por tek ne atë e vrau Sali Berisha që në lindje, ndaj e mallkojmë sot. E pse është e keqe koha që jetojmë, ngaqë ky satrap e diktator dogji e shkatërroi gjithçka pozitive në këtë vend, futi frymën e përçarjes, të vjedhjes dhe hajdutërisë në shoqëri dhe në strukturat shtetërore, duke i vënë kësaj kohe vulën e tij të poshtërimit. Nëse jeta do të kishte në natyrën e saj poshtërsinë, ajo do të ishte e tillë për të gjithë e do krijonte nivele të barabartë ligësie. Por fakti se shumica janë të kënaqur me jetën, edhe i sëmuri në ditët e fundit, nuk do t’i dorëzohet vdekjes, do të thotë se jeta është gjithçka, është e djeshmja, e sotmja dhe e ardhmja, dhimbja dhe shpresa. Pavarësisht se ç’kohë jeton, njeriu i ndershëm dhe i punës është gjithmonë fitimtar. Ka familje në fshat e qytet në gjendje të mjerueshme, por për disa kjo ndodh edhe për faktin, se ata e kanë marrë me kollajllëk jetën. Nëse vërdallisesh, harbon e tallesh me punën, patjetër që gjithçka e keqe do të duket. Nëse një qeveri është e poshtër, nëse njerëzit janë pasivë ndaj saj, atëhere edhe jeta merr fytyrën e poshtërsisë. “Bota është një vend i rrezikshëm për të jetuar, jo për shkak të njerëzve që veprojnë si djalli, por për shkak të njerëzve që nuk bëjnë asgjë për këtë”, ka thënë Albert Ajnshtajn. Njoh një nënë shumë të mirë në Elbasan, por të dy djemtë e saj dolën haramë. Njërin e zunë për imoralitet dhe i prenë një këmbë, kurse tjetrin e futën në burg, si kultivues droge. Pas kësaj të dy bashkëshortët bënë divorcin dhe nëna mbeti fillikat. Ajo shkonte shpesh t’i takonte djemtë e burgosur dhe ofshante tek dera e burgut: “oh, si ma punoi jeta mua të mjerës! Ah kjo jetë katile pse më ndëshkon kaq ashpër!” E pse t’ia hedhim fajin jetës, kur dy djemtë e saj nuk janë mirëedukua dhe nuk kanë ditur të integrohen me dinjitet në rrjedhat e saj ? Nëse të gjithë do të punojnë me mundësitë që kanë, nuk do të krijojnë terren që të lindin udhëheqës antipopullorë, nëse do të zbatohen me rreptësi ligjet nga qytetari i thjeshtë e deri tek shtetari i lartë, askush nuk do të fajësonte jetën. Nëse ligji do të zbatohej në zgjedhjet e emërimet e pushtetarëve dhe do të binte i ashpër mbi kokat e të korruptuarve, të drogaxhinjve, dembelëve, hipokritëve, intrigantëve, askush nuk do të ankohej për jetën. Nëse ajo nëna elbasanase, si shumica e familjeve shqiptare, do të kujdesej me kohë për edukimin e djemve të saj, nuk kishte pse të qahej me duar në kokë për hallin që e kishte gjetur. Nëse secili merr atë që i takon në rrugë ligjore, gëzon djersën e tij, respekton vetveten dhe të tjerët, nuk ka për t’u ankuar për jetën, përkundrazi kërkon ta jetojë sa më gjatë atë. “Sekreti i jetës – thotë Aristoteli –nuk është të bëjmë atë që na pëlqen, por të pëlqejmë atë që bëjmë. Nuk ua ka fajin koha atyre vajzave që ekspozojnë pjesët intime të trupit dhe puthen poshtërisht në spektakle televizive, as djemve të rinj të dhënë pas tangëllikut dhe jetës boshe që kanë parim moton: “këtu nuk jetohet” dhe marrin rrugët e mërgimit. Këtu jetohet, nëse të gjithë mendojmë e punojmë që jeta të bëhet e jetueshme. “Jeta s’të jep siguri, të jep vetëm mundësi”-thotë një proverb popullor. Nëse je i zoti t’i shfrytëzosh të gjitha mundësitë që të jep jeta, çdo gjë bëhet e pranueshme, e dashur dhe askush nuk ka pse të akuzojë jetën. Njeriu ka një jetë, por kryesorja nuk është jetëgjatësia, por fakti, se si e jeton jetën. Pra është e rëndësishme, jo sa jeton,por si jeton. Jeta, qoftë e mirë apo e keqe, është e vetmja gjë që kemi. Por gjithmonë duhet të jetosh me arsye e dinjitet, brenda limiteve mora
le e shoqërore, në përputhje me ligjet e shtetit dhe të natyrës. “Qëllimi i jetës është të jetosh në pajtim me natyrën”, thoshte perandori i lashtë romak, Flavius Zeno.