Me dhjetra e qindra herë nëpër portale elektronike, shkrime, protesta e manifestime, kemi parë e dëgjuar togfjalëshin e veçantë dhe optimist, “Adem Jashari nuk ka vdekur”, çka ka mbajtur peshë adrenalinën e çdo shqiptari në luftën e përditshme për çështjen kombëtare, ende të pazgjidhur plotësisht, ashtu siç e pati lënë amanet Bac Ademi. Kjo thirrje, ashtu si shumë të tjera, me kalimin e kohës, mund të kalonte në mit e të tregohej si legjendë, por ngjarjet e datës 24 shtator 2023 në fshatin Banjska të Zveçanit, në Kosovën veriore, na vërtetuan se Adem Jashari është vërtet i gjallë e në jetë. Pas një çerek shekulli nga rënia e tij, në mbrojtjen e Kullës së famshme të Jasharajve, atje në Prekaz, ai do të “ngrihej” së bashku me djalërinë kosovare, tashmë me uniformën e policisë së shtetit të tyre, për të mbrojtur Kullën e madhe të të gjithë shqiptarëve të Kosovës. Sakrifica sublime personale e familjare e Adem Jasharit, ishte pesëdhjetë fish më e madhe se ajo e Heroit më të ri të Kosovës, Afrim Bunjaku dhe shokëve të tij të plagosur, në përballje me grupin militar dhe terrorist të serbit Vuçiç. Por momentet kur u bënë këto dy sakrifica, pavarësisht nga distanca në kohë, janë shumë të ngjashme, e me vlera të pazëvendësueshme për fatet e popullit të shumëvuajtur të Kosovës dhe shtetit të saj të ligjshëm. Në marsin e vitit 1998, kur do të binte Heroi, Adem Jashari, situata në Kosovën shqiptare ishte në pikëpyetjen e ekzistencës si komb, përballë gjenocidit që po përgatitej dhe do të niste shovinizmi shekullor serbo-sllav. Protesta dhe demonstratat e fuqishme të viteve tetëdhjetë në gjithë Kosovën, për shpalljen e saj Republikë, ishin goditur rëndë nga makina ushtarake serbe. Ardhja e Millosheviçit, kasapit të Ballkanit në pushtet, i gjeti shqiptarët të vetëm përballë gjenocidit më të madh të shekullit. Mëma Shqipëri, kalaja, ku populli i Kosovës mbështeste shpatullat, ishte tradhtuar e shembur. Nga ana tjetër rrymat pacifiste të inspiruar nga pushtuesi serb dhe makina propagandistike e Millosheviç – Vuçiçit, e kishin mënjanuar popullin nga rruga e luftës për liri, në pritje të “paqes” që do të sillte “Gandi i Ballkanit”. Populli shqiptar i Kosovës kishte rënë përmbys, duke humbur çdo shpresë për të fituar lirinë me grykën e pushkës, si e vetmja mundësi që ka vërtetuar jeta. Pikërisht në këtë situatë mjegullnaje, e cila kishte vënë në pikëpyetje ardhmërinë e shqiptarëve të Kosovës, u ngrit Vigani Adem Jashari, i cili duke u sakrifikuar me 56 pjesëtarët e familjes së tij, u tregoj bashkatdhetarëve, se rruga e vetme e fitimit të Lirisë dhe Pavarësisë së vendit të tyre, ishte Lufta Çlirimtare, me parullën e trashëguar nga Rilindësit “Liri a Vdekje” kundër hasmit shekullor. Dhe akti i Adem Jasharit, sakrifica e tij e jashtëzakonshme, e ngriti popullin peshë në luftën e madhe Çlirimtare, të cilën falë edhe ndihmës së miqve, kryesisht amerikanë, në vitin 1999 e kurorëzoi me sukses. Njëzet e pesë vjet më vonë, për fat të keq, situata nisi të degradonte, dhe rrezikonte të kthehej pas. Amaneti i Bac Adem Jasharit, do të mbetej në gjysëm të rrugës, duke u dhënë shkas bisedimeve të pafund me “pleqtë” e Europës e të Botës, për të ligjëruar atë që ishte arritur me grykën e pushkës, me gjak e sakrifica të panumërta. Pse?! Për një fakt të thjeshtë, por të vërtetë. Në luftë, sidomos kur ajo bëhet për çlirimin e Atdheut, dalin në pah dhe evidentohen vetitë më të larta e më të arrira të atdhetarit, i cili me veprimet dhe aktet e tij sublime, tërheq pa vetes pjesën dërmuese të qytetarëve. Ndërsa në kohë paqeje, lindin shumë sëmundje fizike e mbi të gjitha morale. Në paqe lulëzojnë tradhtitë, dredhitë, gënjeshtrat, mashtrimet. Liderët politikë dhe pushtetarët e paqes, në vend që të paktën mbas shpalljes së pavarësisë së Republikës dhe miratimit të saj nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, të punonin realisht për forcimin e shtetit të ri, ranë në grackën e “pleqve” të Europës, të cilët pak ndryshime kanë nga paraardhësit e tyre të kohës së Bismarkut. Të nanurisur prej këtyre “pleqve”, ata pranuan ti vishnin Republikës së tyre edhe “Fusnoten” (shqip – fustanin) dhe nisën ta shëtisnin Republikën nëpër bisedime pa fund, pikërisht me atë që e pati përdhunuar më se një shekull me radhë. Kjo “nanurisje” europiane, nën premtimin e integrimit në BE, e ktheu Republikën e vitit 2008, në një republikë “kartoni”, e gatshme të “krasiste” krahët e saj, për hir të integrimit në BE, që pret të realizohet në “kalendat greke”. Kjo situatë mbi dhjetë vjeçare me bisedime pa fund, që për hir të interesave gjeostrategjike të euroatllantikasve, po e çonte Republikën e Kosovës drejt copëtimit, e ndoshta edhe drejt asgjësimit, duhej të ndalej. Në provë për ta ndalur këtë situatë të rrezikshme, u vu Vetëvendosja, me liderin e saj Albin Kurti, e cila në dy vitet e fundit të qeverisjes, ia doli me sukses. Kryeministri Kurti, ndonëse u sulmua ashpër nga opozita brenda e jashtë vendit, e madje edhe nga faktori ndërkombëtar, për veprime “diplomatike jo të përshtatshme”, arriti ta ndalë vrullin e rrezikut që i kanosej Republikës së Kosovës. Kjo u pa qartë nga e gjithë bota, pikërisht në ngjarjet e fshatit Banjskë të Zveçanit, ku njësitet e policisë së qeverisë së tij, treguan qartë se shteti i Kosovës ka hyrë tashmë në rrugën e konsolidimit të tij. Gjaku i derdhur nga Heroi më i ri i Kosovës, Afrim Bunjaku dhe shokëve të tij të plagosur në sulmin e papritur të terroristëve serbë të dirigjuar nga Vuçiçi, ishte “diga” e cila ndaloi rrezikun imediat, që kërcënonte Republikën e Kosovës. Në këtë kontekst, akti i Heroit dhe shokëve të tij, për nga kontributi atdhetar, i afrohet simbolit të lirisë, Komandantit legjendar Adem Jashari. Akti sublim i Dëshmorëve dhe Heronjve, është një tragjedi për familjet e tyre, por nga ana tjetër është një gur themeli
në bazamentin e Lirisë dhe Pavarësisë së vendit. Aksioni i suksesshëm dhe profesional i Shtetit dhe Policisë së Kosovës, jo vetëm ndaloi rrezikun që kishte ditë që përgatitej, por nxori jashtë loje edhe politikat jo të pastra të “lojcakëve” europerendimorë, ashtu siç nxori në dritë politikat nën kulisa të puthadorëve shqiptarë, që për hir të karriges së pushtetit, janë gati të vënë në pazar, jo vetëm parimet, por edhe vetë trojet e trashëguara nga të parët e tyre. Aksioni luftarak i Banjskë – Zveçanit, me përfundimin që u pa nga e gjithë bota, nxjerr plotësisht jashtë skenës “Lojën” e bisedimeve të “Lojcakëve” europerëndimorë, me kryeterrositin Vuçiç, i cili jo njëherë ka deklaruar e deklaron, se “sido që të vejë puna, ne nuk do ta njohim kurrë Republikën e Kosovës”! Kjo deklaratë e “recituar” hapur e me zë të lartë edhe në ditët e operacionit ushtarak të dështuar të tij, duhet të nxjerrë jashtë loje edhe “Liderin botëror”, alias Kryeministrin e Shqipërisë, i cili, pasi ka dështuar me provat e tij për “Ballkanin e hapur” dhe akrobacira të tjera në kurriz të Kosovës, na del edhe me një propozim të çuditshëm për një konferencë Ndërkombëtare të Kosovës, çka do ta kthente historinë e kësaj të fundit para shpalljes së Republikës, e madje edhe para Rambujesë. Kryeministri Kurti, në një dalje televizive, na tregoj se kur u takua me Vuçiçin në Bruksel, ky i fundit i paska thënë Kryeministrit të Kosovës, se “Shumë shpejt do të kemi edhe në serbët një “Adem Jashar””! Siç doli nga ngjarjet e Banjskë – Zveçanit, “kandidati” për rolin e Adem Jasharit na paska qenë nënkryetari i listës serbe në Kosovë, kryeteroristi, Milan Radojsiç. Ky terrorist i Vuçiçit, mundi të shpëtonte nga ballafaqimi me policinë e Kosovës, dhe siç u filmua nga droni, ia theri vrapit drejt Beogradit, pa mundur të imitojë Adem Jasharin. Adem Jashari, Afrim Bunjaku dhe Heronj të tillë, nxjerrë vetëm një popull që lufton për Lirinë e tij, dhe kurrsesi terroristët dhe gjenocidistët e llojit nazifashist. Heronjtë e vërtetë i nxjerr dhe do t’i nxjerrë Dardania shqiptare, e cila lufton për mbrojtjen e trojeve të veta. Këto atribute nuk mund t’i gëzojë asnjë pushtues i huaj, aq më pak terrorist – neofashistët e Vuçiçit e të Beogradit.