Nga Ramazan Sherja
Jo vetëm berishistët, që tanimë kanë humbur çdo sens vlerësimi të së vërtetës, por edhe njerëz të zakonshëm, shprehen se Berisha është një i burgosur politik, pasi ndaj tij nuk ka asnjë akuzë! Në fakt pyetja që bëhet është: Ka, apo s’ka fakte për të ngritur akuza ndaj Berishës? Nëse s’ka, ai të lihet i lirë, në të kundërt të shkojë atje ku ka vendin. Brenda vendit për Berishën nuk ekziston asnjë akuzë, përkundrazi për disa ai është “lider” dhe kontribuues “i madh” për demokracinë shqiptare! Madhështinë e tij si “lider” e pranojnë jo vetëm ithtarët e tij, të cilët vetëm vdekja i ndan nga Berisha,por edhe media, edhe mazhoranca, madje edhe disa struktura të sistemit të drejtësisë. Është i njohur fakti që disa stacione televizive i fillonin lajmet me mburrje me “Kryetarin e PD” Sali Berisha, kur ai nuk ishte i tillë ligjërisht. Pa përmendur këtu disa gazetarë të tjerë, “të paanshëm” që jepnin mend për demokracinë në studio televizive veshur me bluzën e stampuar me fytyrën “e vrerosur” të Berishës. Por, jo më pak e ka ledhatuar “liderin e madh” të demokracisë Berisha edhe mazhoranca. Ajo pasi deklaroi për t’u larguar vëmendjen e shqiptarëve nga e vërteta, se “nuk do të pranojmë asnjë shkresë me firmën e non gratës”, dalëngadalë filluan të bëjnë lëshime antiligjore të njëpasnjëshme ndaj Rithemelimit me pronar Berishën. Pasi u nxit një kaos në parlament, i cili u shua si flakë kashte, lindën marrëveshjet e përbashkëta. Në fillim u shmang PD zyrtare nga Komisioni për Zgjedhjet dhe u pranuan përfaqësuesit e Berishës. Pastaj “për të mirën” e demokracisë u ngritën me pjesëmarrjen e të dyja palëve komisionet hetimore parlamentare “për të zbuluar” korrupsionin në shëndetësi dhe për ndërhyrjet e paligjshme në sistemin TIMS. Më “rezultativi” që ngrit me entuziazëm të madhishte Komisioni për Amnistinë, i cili u shërbeu më së miri të dyja palëve. Kështu dalëngadalë firma e “non gradës”, jo vetëm u njoh, por u bë shumë aktive për “funksionimin normal” të parlamentit! Bashkëpunimi e arriti kulmin, kur Kryesia e Parlamentit njohu të gjitha strukturat e Rithemelimit, duke shmangur qëllimisht PD ligjore të Lulzim Bashës. Kështu, në parlament për bëmat dhe krimet e Berishës, nuk fliste më askush! Qëndrime të tilla zbutëse të mazhorancës, patjetër që do të sillnin edhe vendimin e dhënies së vulës kreut “non grata” të Rithemelimit. Prova e fundit e raportit mazhorancë- “non grata” mbetet qëndrimi që do të mbahet ndaj mandatit të Berishës. Deklarata as mish e as peshk e një përfaqësuesi të mazhorancës se “si me mandat ashtu dhe pa mandat, Berisha një lloj është”, janë aludime se Berishës mund t’i bëhet edhe një dhuratë tjetër, si ajo e vulës. Jo pak i përkrahur është Berisha dhe nga disa struktura të sistemit të drejtësisë. Njëra strukturë e kap dhe tjetra e lëshon, njëra e quan fajtor dhe nuk i heq masën arrestit, tjetra i dhuron vulën e partisë. Si shpjegohet fakti, që kur nuk janë të pranishëm përfaqësues të ambasadave të huaja në seancat gjyqësore, Berisha gjithmonë fiton, siç ishte “fitorja” e vulës. Disa ulurasin, se me Berishën është bërë hataja, duke iu dhënë masa e arrestit shtëpiak, masë e cila ndaj tij është si një gotë limonadë që i jepet një barkfryri nga ngrënia e babëzitur për 30 e ca vjet. Pra brenda vendit Berishës i japin të drejtë, jo vetëm të shajë e mallkojë mbarë prapë çdo aksham, por edhe të takojë miq e shokë e të japë konferenca shtypi! Në këto kushte ithtarët e sëmurë të Berishës, kanë të drejtë të ulërasin se “Berisha mbahet në arrest pa asnjë akuzë!” Mirëpo Berisha e ka keq punën me strukturat demokratike të kancelarive perëndimore, struktura të konsoliduara e funksionale prej shekujsh, të cilat nuk kanë nevojë tua mësojë ai shkollën e demokracisë. Ata, kur të ndëshkojnë argumentet i kanë të mbërthyera me gozhdë trari. Vendimet e tyre nuk janë si ato të komisioneve hetimore parlamentare, që pasi bëjnë një zhurmë shurdhuese, ku deputetët bëjnë akuza inatçore, por nuk ia nxjerrin asnjëherë lakrat në shesh njeri -tjetrit. Jashtë vendit Berishën nuk e beson njeri, kur ai fytyrëskuqur çirret nga dritarja e katit të tetë, se “non gratën” e ka “dhuratë” nga Sorrosi, miku i tij i madh i dikurshëm, Rama që i pranoi të gjitha strukturat në mënyrën më antiligjore dhe Basha, që ai e ka zgjedhur me dorën e tij dhe e ka përdorur gjithmonë si vegël qorre. E vërteta është krejt ndryshe. Argument shumë bindës për Berishën “non-grata” është fakti që nuk ka patur qoftë edhe një deklaratë të vetme të organizmave ndërkombëtare që ta quaj atë “të burgosur politik.” Pa iu shuar akoma gëzimi i dhurimit të vulës, erdhi e prerë deklarata e Ambasadës Amerikane: “Pozicioni ynë në lidhje me individët e shpallur non-grata mbetet i pandryshuar: ne nuk angazhohemi me persona të shpallur sipas autoritetit të sanksioneve të SHBA dhe të gjithë duhet të shqyrtojnë me kujdes, se si punojnë me individë të shpallur nga SHBA.” Po kështu vendimi i Gjykatës së Londrës, ku ai ishte ankuar,nuk ia hoqi damkosjen, pavarësisht se sofistët berishistë luajnë me fjalët “nuk ishte gjykatë, por komision”, duke u shprehur qartë: “ Vendimi për ish-Kryeministrin Sali Berisha, është vendim i cili ka ardhur pas analizimit të shumë provave dhe fakteve, se çdo provë është e dokumentuar që nga viti 1996”. Vendimi gjykatës së Londrës, ashtu si humbja pa nishan e padisë në gjykatën franceze, hodhën poshtë çdo shpresë të atyre që përrallisin çdo mbrëmje në televizione e tek rrugica e “shpresës” se “Berisha është i burgosur politik.” Brenda damkosjes “non grada” qëndron i gjithë mali i akuzave ndaj Berishës. Ashtu siç është argument humbja e gjyqit të Zenit në SHBA për tragjedinë e Gërdecit, ashtu siç është shpallja non grata e së bijës Argitës , njëlloj si vajzën e Putinit, Katerinën, ashtu si gjithë të këqijat e tij që ky popull i ka provuar në kurriz. Duke u ngazëlluar nga dhurimi i vulës dhe duke mbuluar maskarallëkun e tyre me faktin se ndaj Berishës “nuk ka akuza “, ndonjë deputet i Bashës si Çollaku e Bano vrapoi e ul në sofrën e “non gratës”. Të çudit arsyetimi sofist i Çollakut:” Të bashkohemi të gjithë bashkë, pavarësisht se kush është kryetari. Unë jam përherë me aleatët strategjikë, por nuk ndërrohet xhamia pavarësisht se ndërrohet hoxha?” Si nuk e paska kuptuar i ziu Çollak, se xhamia, ku ai shkoi të falet, ka patur gjithmonë një hoxhë, Sali Berishën, që tanimë e ka marrë peng PD dhe gjithë opozitën. Po na sqaroni o ideologë “të bashkimit në diversitet”, pse u ndatë ju nga Berisha dhe berishizmi? Disa që e quajnë veten profesorë, intelektualë, shërbëtorë të demokracisë, të vjen çudi që i harrojnë të gjitha, parimet e moralin dhe turren në mbrojtje të një non grate 80 vjeçar me shpresën, se ai do t’i kthejë në pushtet, përrallë që në Shqipëri nuk e beson më askush. Bashkimi i vërtetë i të gjithë demokratëve bëhet vetëm nëpërmjet një rruge: tërheqja e Berishës përfundimisht nga PD, mbajtja e zgjedhjeve tëndershme në të gjitha strukturat, duke filluar nga baza, mbledhja e Kuvendin Kombëtar ku të zgjidhet krejtësisht një staf i ri drejtues. Ndryshe gjithçka tjetër është demagogji hipokrite dhe oksigjen vetëm për një njeri, Sali Berishën, që e ka marrë PD peng.