Kush prej tyre ka prioritet në jetë? Ka edhe pyetje të tjera si: “Pse kaq shumë kërkesa për të zënë një karrige e për t ‘u bërë politikan, përderisa ata nuk gëzojnë respekt? Përse njerëzit, lënë mënjanë profesionin përfshi edhe ato më të preferuarat, me të ardhura të shumta dhe i turren politikës? Këto pyetje, kanë edhe përgjigjen brenda e cila është ajo e vënies së pasurisë, pa mund e djersë në një kohë që një dijetar, një punonjës shkencor që e ka kokën” plot”, paga nuk i del as për shpenzimet për ushqim. Po të shkojmë më tej do të mësojmë që me të ardhurat që siguron një politikan, sidomos ata të rangjeve të larta, edhe një vit qëndrimi në karrige, siguron të ardhura të tilla sa që dijetari, nuk i siguron për tërë jetën. Nuk është e nevojshme të shtrydhësh trurin e të mësosh pse Deputetë, Ministra e politikanë të rangjeve të larta, u erren sytë nga pasuria, jo nga paga që marrin, as nga privilegjet që kanë, as ajo që marrin edhe pasi të mos jenë në politikë, por nga ajo që kanë në dorë firmën dhe vulën, kanë atë që të gjitha ja kanë nevojën. Të gjithë këta, privilegjet e shumta dhe pasuria marramendëse që vendosin, nuk e kanë si rezultat i shtrydhjes së trurit, sepse, as punojnë e as krijojnë , as djersijnë dhe as e vrasin mendjen, thjesht mbajnë një karrige druri, që druri dru mbetet,. Shumica e tyre kanë ose një Diplomë të blerë, ose kanë marrë një titull me plagjiaturë, ose kanë kryer studimet universitare pa kryer shkollën e mesme etj . ose kanë probleme me drejtësinë vendase apo të huaja, por në asnjë rast nuk është rezultat i punës së tyre mendore., por thjesht i karriges. Kujtoj të Madhin Kadri Rroshi tek filmi “Rrethimi i vogël” kur thotë që “hatërllëqet, maskarallëqet e tërë të këqijat, vijnë kur të ngrohen të ndenjurat dhe kur të ngrohet bytha, të ftohet truri”!. Është shumë e vërtetë kjo, po të kemi parasysh ata pa tru ose me “tru të ftohtë” që zënë karriget e nuk i lëshojnë. Nga statistikat, të cilat asnjëherë nuk shprehin realitetin, kemi më shumë se njëzet e dy Kryebashkiakë në dhjetë vitet e fundit me probleme me drejtësinë, me figurën e tyre morale, sikurse kemi shumë Deputetë e Ministra të tillë, që nuk janë të paktë. Janë më shumë se dyzet dy deputetë që nuk e kanë hapur gojën e të diskutojnë, që dremitin në karrigen e deputetit, që truri i tyre është në gjumë letargjik dhe zgjohen vetëm kur duartrokasin për forcën e tyre politike! Flutura Açka, shkon edhe më tej e hyn deri tek sqetullat e palara të shumë Deputetëve që bien errë, kur thotë: “Shumë Deputetë bien errë sepse nuk i lajnë sqetullat, e kanë frikë ujin. Ka Deputetë vazhdon ajo që nuk dijnë të shkruajnë emrin..”! Këta Deputetë të tipit “Açka” që bien errë nga sqetullat e nga goja do i dalin për “Zot” Shqipërisë, kur edhe zonat e tyre elektorale i kanë harruar.?. E pamundur! E kemi të trashëguar nga e kaluara që sa më lart të jetë karrigia e tyre, aq më i “ditur” është. Në një Institucion, u bë një investim jo i vogël, por ja që “I madhi” e anulon atë dhe jep një tjetër mendim. Nuk e ka për gjë që harxhohen miliona sepse nuk i nxjerr nga xhepi. Më kot ankohet ky Shtet që “nuk ka para” përderisa ato shkojnë në “lumë”e në xhepat e politikanëve dhe sekserëve të tyre. Por edhe kjo nuk është e keqja më e madhe, por është ajo e punësimit nga ana e “të Mëdhenjve”të dhjetra e qindra punonjësve në administrate, që janë “shkrap” nga niveli, që sorollatin qytetarët, por edhe nuk i largon kush sepse prapa tyre, është “i madhi” dhe këta punësojnë edhe të tjerë sipas oreksit, në mungesë të shtetit e të organizmave të tij. Konkluzioni, është i qartë. Nuk është e nevojshme të shtrydhësh trurin, përderisa ai të “mungon” apo ka dalë si “pjesë këmbimi e tepërt”! Karrigia është gjithçka kurse truri asgjë. Dëshmitare për këtë, është vetë Shqipëria e sotme, e cila është shembulli më i mirë se ku është katandisur. Ajo po braktiset së pari nga truri i cili është “malli” më i pavlerësuar dhe i papaguar. Dita ditës, krimi dhe korrupsioni është bërë kryefjala e ditës, nga maja e deri tek i fundit dhe kjo, nuk ka nevojë për “kallauz”! Edhe kjo është pak, po të kemi parasysh që janë politikanët dhe sekserët e tyre, që nxisin krimin dhe korrupsionin, që bëhen “streha” e tyre. Shqipëria sot, është “pasqyra” e Klasës Politike, përderisa institucionet e shtetit, nuk funksionojnë. Jetojmë në një kohë që karrigia është gjithçka dhe truri, nuk është asgjë, ose politikani është ai që ka në dorë gjithçka dhe dijetari, është i papërfillshëm, ka dalë jashtë funksionit. Sikur të marrim e t ‘i vendosim në balancë, karrigen dhe trurin,, kjo, do të na tregojë që janë në extreme me njëra tjetrën, apo karrigia, megjithëse është më e rëndë do të “fluturojë” lart dhe truri, i cili nuk ka një peshë më të madhe nga një kg e gjysëm, do të mbetet në fund. Po të kemi parasysh fillimet e proceseve demokratike, kur të gjithë ata idealistë, ata të ditur që u përfshinë në këtë proces për të përmbysur një sistemi diktatorial, pavarësisht që kjo përmbysje këtu, ishte nga “inertet” që na zunë nën vehte nga rënia e Murit të Berlinit, do të shohim që të gjithë ata, janë larguar kur u bindën që ky Sistem, nuk ishte sistemi i vlerave demokratike, por i makutërisë. Më thjesht akoma, një dijetar që ka një bagazh të madh dijesh në një fushë të caktuar, nuk i krijohet mundësia që dijet e tij t ‘i vendosi në shërbim të shoqërisë, përkundrazi, do t ‘i krijohen pengesa , për të mos u “prishur punë” idiotëve”. Një tjetër shembull bindës, janë edhe kollonat e gjata të politikanëve drejt dyerve të SPAK-ut, ç‘ka treg
on që ideali i politikanëve, është vjedhja dhe pasurimi, që edhe trurin e vendosin në funksion, vetëm kur e shohin “pisk” dhe asnjëherë për Shqipërinë, asnjëherë për të bërë punën. Është e vërtetë që njeriu, gjatë tërë jetës së tij, kërkon të marrë dije e njohuri, të marrim “çelësin” për të hapur dyert e jetës, për të perfeksionuar trurin, por në këtë “kusarokraci” që jetojmë, truri nuk hyn fare në punë, pavarësisht që është forma më e lartë e inteligjencës njerëzore dhe kjo forma më e lartë e inteligjencës njerëzore, nuk barazohet as me një mik për të hedhur “Lumin” e jetës! Dijetarët, sot, kanë mbetur rrugëve, sikurse edhe Librat që kanë shkruar, që “mbyten” nga pluhuri në trotuare. Për të marrë pushtetin, politikani si “bamirës” që është punëson mbi organikën me pretekstin që ata, “ kanë fëmija të vegjël për të rritur, apo i kanë fëmijët në shkollë” ! Qysh nga lashtësia, e deri në ditët e sotme, mësojmë nga filozofë, shkencëtarë, dijetarë, shkrimtarë etj, etj për mësimet që kanë lënë për të ardhmen, që megjithëse kanë kaluar shekuj e shekuj me radhë, mësimet e tyre, i rezistojnë kohës, i shfletojmë dhe mësojmë prej tyre, Kjo tregon që dijeve, asnjëherë nuk i ikën koha, njerëzit që i kanë lënë këto mësime, kanë qenë njerëz të dijes apo si quhen dijetarë në një fushë të caktuar dhe jo e kundërta e tyre, politikanët. Por, ja që jeta, me të papriturat e saj e në kohë të ndryshme , njerëz të veçantë, i nxjerrin jashtë sistemit dijet (trurin) dhe turren për të zënë karrigen sepse kjo të nxjerr në “selamet”!.Po të kemi parasysh që politikanët tanë nuk njohin institucionin e dorëheqjes, “lum si ne”! Jetojmë në kohën kur kemi një “sistem demokratik” që në realitet, jo vetëm nuk ngjan me një të tillë, por është pak ta quash sistem “kusarokratik”! Në të gjithë Botën, pa pretenduar që në ç‘do vend demokracia është e përsosur, njerëzit më të pasur janë biznesmenët, pronarët e firmave të mëdha apo të vogla, Po tek ne, kush janë njerëzit më të pasur? Më të pasurit janë politikanët, të cilët kanë krijuar pasuri përrallore aq sa nuk dinë ku kanë. Në këtë kohë të “kusarokracisë” që jetojmë tek njerëzit, po krijohet një tjetër mentalitet, ku mbi gjithçka është paraja. Paraja sot, ka “blerë” dinjitetin, mirënjohjen, moralin, punën e gjithçka tjetër… Ky mentalitet, po rrënjoset thellë, tek të rinj e të moshuar, prandaj edhe po dalin jashtë funksionit, edhe shëndetësia, edhe drejtësia edhe arsimi,ku studentët janë kthyer në klientë për të blerë një Diplomë sa për ta mbajtur në xhep sepse nuk u hyn në punë, nuk mund të pretendojmë për shtet. Ka shembuj të shumtë që studentët tanë kanë krijuar vlerat e tyre të shumta kudo ku punojnë e në të gjitha fushat, por kur këtu, truri “ka vdekur”, “tjerrim” vetëm kronika të zeza, brenda e jashtë vendit.