Të dy skajet e politikës në Shqipëri, që na kanë drejtuar deri tani, janë karakterizuar nga tirania në drejtimin e shtetit, si dhe marrëzitë gjatë kohës së qëndrimit në opozitë. E gjithë retrospektiva e tyre i ngjan një përrallë me çudira, si ajo e “Mbretit lakuriq” e shkruar nga shkrimtari danez Hans Andersen. Lajthitjet e të dy krahëve në drejtimin e shtetit, duke na bërë demagogji çudirash, gjatë gjithë kësaj epoke tranzicioni, kanë antropoligjizuar zhvillimet demokratike, duke i kthyer në një katekizëm mendor dhe antidot për bindjet pluraliste. Përplasjet e vazhdueshme me deduksione të gjuhës agresive, duke vënë kufij politik midis tyre, janë shndërruar në figura pa autoritet, pa kriticizëm e tolerancë duke e çuar shoqërinë në kufijtë e antagonizmit. Në se futemi në optikën e analizave psikoanalitike, politika e këtyre viteve nuk u ngrit në parametrat e drejtimit bashkëkohor, duke mos mundur të vërë idenë e një matrice antropologjike, për një bashkësi të një shoqërie të hapur. Tregues sinjifikativ janë ngjarjet brenda opozitës, me sulme kundërsulme, me ndarje e bashkime të pa motivuara, ku nuk arrin dot të afirmohet si forcë politike kryesore, rreth një lideri unifikues brenda saj. Kjo krizë brenda saj, që po ndikohet akoma nga strumbullari i shkatërrimit të klimës politike Sali Berisha, e ka larguar atë nga rroli dhe detyrat institucionale. Akoma vazhdohet të bëhet politikë poshtë ballkonit me frontin anti-Amerikë, kur edhe pse kërkohet respektimi i vendimeve të gjykatave dhe institucioneve. Koha e berishizmit dhe metizmit si fatkeqësi kombëtare ka mbaruar, sepse Shqipëria sot, ka nevojë për Brukselin, Berlinin, Parisin, si dhe me shumë se kushdo për Uashingtonin. Realiteti i sotëm flet për rikompozim të institucioneve demokratike, duke u dhënë fund politikave të modeluara sipas mentalitetit të fituesve të pushtetit. Sot Shqipëria ka nevojë për reformat e mbetura rrugës, për vendosjen në krye të tyre njerëz vizionarë, larg mentalitetit të politikës së vjetër. Panorama që shohim sot tek moçalishtja opozitë, si dhe tek tirania e mazhorancës, që ka spekuluar me besimin e shqiptarëve, flet për daljen e tyre nga shinat e demokracisë. Sepse ajo nuk mund të kushtëzohet si qeveri e shumicës, si pronë e patjetërsueshme e saj, duke shkelur parimet dhe rregullat mbi të cilat ajo funksionon. Praktika e deritanishme tregon se institucionet në Shqipëri, kanë humbur karakterin demokratik, ku mbi to kanë dalë elitat partiake dhe jo rroli drejtues i tyre. Kjo ka bërë që ato të mbulohen nga autokratizmi, krimi, korrupsioni dhe hajdutëria. Autokratizmi i të dy krahëve të politikës i demostruaruar deri tani, i largoj qeveritarët nga rroli i tyre, për sistemin legal të ndërtimit të demokracisë. Shumica parlamentare dhe politike në Shqipëri, ka pretenduar monopolin e të vërtetës dhe të gjithçkaje rrotull saj, duke ndërmarrë veprime në kundërshtim me kërkesat kushtetuese dhe ligjet në fuqi. Për pasojë, politika e të dy krahëve ka dështuar me turp, sepse nuk u përshkrua nga humanizmi, por nga kulti i individualizmit, duke mos arritur të demonstrojë përpara shqiptarëve një demokraci konceptuale. Kushtetuta mbeti deri vitet e fundit një dokument formal, duke mos shprehur ekzistencializmin e shqiptarëve që aspiruan demokracinë. Ashtu si dikur maxhoranca e opozitës së sotme, që personalizoj gjithçka sipas normave të bajraktarizmit, po kështu ndodhi edhe me totalitarizmin “demokratik” rilindas. Në se të dy palët do t’i ballafaqojmë me teoricienët e modelimit të demokracisë, si një sistem humanitar për çdo komunitet bashkëjetues, politikanët tanë do të etiketohen të rrezikshëm. Në qeverisjet e të dy krahëve të politikës para dhe pas, opozicioni është trajtuar si një opsion i përjashtuar, sepse kritikat,vërejtjet, propozimet, që disa herë kanë qenë edhe kërcënuese, kanë shkaktuar mos funksionimin e parlamentit. Në se këta politikanë do t’i vëmë përballë demokracive të emancipuara, ata do të ndihen keq dhe shumë larg tyre. Ne të gjithë jemi qytetarë të një vendi që lamë pas diktaturën, por fatkeqësisht ramë në autokratizëm, sepse që në hapat e para të fillimeve demokratike, shoqëria u dualizua në krijimin e shtresës se krimit ekonomik, ndërsa qytetarët e ndërgjegjshëm mbetën në shkallët e varfërisë. A njihet toleranca në shoqërinë tonë? Jo, sepse politikanët tanë janë udhëhequr nga postulatet: “unë kam gjithmonë të drejtë”. Ky mentalitet bajraktarizmi, ka nxitur përçarje, deduksione jashtë çdo kriteri civilizues, mungesë tolerance, respekti, si dhe përdorim fyerjesh nga më banalet, që flasin për mungesë të theksuar të kulturës demokratike. Demokracia në Shqipëri nuk mund të bëjë hapa para, pa reforma si një proces i domosdoshëm zhvillimi, por mbi të gjitha divorcimi me politikën e vjetër. Po a ka mundur politika të nxjerrë shkaqet e këtyre fenomeneve? Asnjëherë, sepse ajo është vetë produksion i tyre. Ajo vuan akoma mungesën e konceptimit, të kritereve të shoqërisë së lirë. Politika në Shqipëri ka synuar vetëm pushtetin, duke mos e konceptuar si marrëdhënie midis njerëzve, grupeve shoqërore, për marrje vendimesh e ndryshimesh në interes te tyre. Pas çdo zgjedhjesh politike, politikanët me të marrë frenat e pushtetit, i kanë hedhur pas premtimet, duke hapur faqe të abuzivizmit me detyrat, prandaj të dy krahët e politikës sot janë nën akuzë, pë krime, afera, korrupsion e shpërdorim detyre. Por më e keqja është se këto figura që janë nën akuza, për motive të ndryshme të krimit ekonomik, nuk marrin përgjegjësitë penale, por vazhdojnë të bëjnë demagogji populiste për ndershmëri. Hezitimet e strukturave të drejtësisë për t’ua u mbyllur gojën, kanë bërë që të bjerë interesi për demokracinë, për shtetin e të drejtës, si qytetar të barabartë para ligjit. Prandaj qytetarët me të drejtë shprehen se, burokracia administrative ka fetishizuar vetveten, duke fuqizuar elitat partiake dhe humbur rrolin drejtues të institucionit. Këtë po e shohim tek mos funksionimi normal i Parlamentit, i cili ka humbur rrolin e tij autoritar ligjvënës, duke u kthyer në moçalishte nga fronti anti-amerikan i “non gratave”. I kthyer në një institucion pa autoritet, pa kriticizëm, nuk ka mundur t’u kundërvihet stafeve zhurmues dhe kërcënues, që janë bër&eum
l; ndotës të demokracisë. Këta manipulatorë të mentalitetit bizantin, që kërcënojnë dhe demonstrojnë dhunë në Parlament, duke djegur objektet e tij pasuri e popullit, kanë dalë hapur mbi drejtësinë njerëzore, sepse nuk e njohin shoqërinë e lirë demokratike. Prandaj, kjo situatë kërkon katarsis politik, emergjencë për ndëshkueshmëri penale, duke u ngritur mbi marrëzitë e këtyre individëve, që trazojnë shoqërinë dhe ndotin demokracinë. Ajo bën apel institucional, për konsolidimin e sistemit, duke ngritur lart drejtësinë sociale dhe mbi të gjitha atë njerëzore.