Kandidati i “Rithemelimit” për kryetar të bashkisë së kryeqytetit në zgjedhjet e majit 2023, i pakënaqur me aksionin e derisotëm opozitar, i cili ka penguar normalitetin e zhvillimit të seancave parlamentare dhe e ka detyruar kryetaren Nikolla të zhvillojë seancat online, deklaroi me forcë se: Aksioni i derisotëm është minor dhe rezultatet nuk kanë qenë në nivelin e duhur. Kërkohet qëndresë shumë e fortë. Pikërisht është për këtë arsye që ish-deputeti, Belind Këlliçi e ngre stekën e aksionit opozitar deri në qiell me një deklaratë të llahtarshme të ngjashme me ato të grupeve terroriste. Deklarata e tij është që opozita të ndërmarrë akte terroriste. Më e keqja se këtë nuk e bën në emrin e tij personal, po të partisë që përfaqëson. Sipas Këlliçit, opozita mund të arrijë qëllimet e veta edhe në se djeg parlamentin, duke e bërë shkrumb e hi tempullin e demokracisë. Kjo, nuk është ndonjë hata e madhe, sipas tij. Dhe na bën me dije se në shumë vende të botës janë djegur parlamentet. Dhe këtu ka shumë të drejtë. Tek e fundit, Neroni dogji Romën. nazistët e Hitlerit dogjën Raishtagun dhe akuzuan majtistët. Deklarata e Këlliçit u bë pikërisht me rastin e ‘91 vjetorit të djegies së Raishtagut, ora 14 e 30 në 27 shkurt 1933. Pak kohë më parë nga një lëvizje anti-presidenciale në Sri Lanka u dogj presidenca. Nuk po rreshtojmë raste të tjera se vërtetë në se gjurmojmë në analet e historisë, shumë parlamente, kuvende, presidenca janë djegur ose tentuar të digjen e të shkatërrohen. Ju është vënë zjarr godinave të parlamentit, atje, ku mblidhen baballarët e kombit. Shqipëria nuk e ka një traditë të tillë. Në Parlamentin tonë është gjuajtur me armë, janë plagosur deputetë në periudhën e demokracisë. Asambleja Kombëtare është qëlluar me top nga komunistët, po këto raste i përkasin të shkuarës dhe janë kryer në rrethana specifike e kushte krejtësisht të tjera. Të bësh sot thirrje të djegësh parlamentin, tempullin e demokracisë, shtëpinë e pushtetit më të lartë, të atij pushteti në Shqipëri pasi jemi republikë parlamentare nga burojnë tërë pushtetet e tjera nga ekzekutivi tek gjyqësori dhe gjithçka tjetër, është as më shumë e as më pak një akt i mirëfilltë terrorizmi i propozuar nga një politikan i ri madje edhe në moshë, po me ambicie të mëdha edhe si kandidati për të drejtuar kryeqytetin e Shqipërisë. Kjo thirrje është si ta kenë vendosur në gojë të Hamasit për të djegur e shkatërruar tërë Izraelin. Në këto tri dekada postpluralizmit në Shqipëri kanë ndodhur shumë çudira. Janë pushtuar institucione të rëndësisë së veçantë deri godina e kryeministrisë apo televizioni i vetëm shtetëror dhe një nga krerët e partive, sot në federatën opozitare në 1998, deklaroi me zë dhe figurë se regjimi i Nanos ra dhe sistemi demokratik ndodhet në duar të sigurta. Edhe këto ngjarje i përkasin shumë viteve të shkuara, atëherë kur sapo kishte nisur të hidhte hapat e parë demokracia, shkurt një demokraci tetëvjeçare. Sot Shqipëria është në dekadën e katërt në demokraci. Ka bërë një rrugë të gjatë. Është vendi që ka çelur zyrtarisht rrugën drejt BE – së. Po kështu, aleate e NATOS, që për pak ditë baza ajrore e saj në Kuçovë hap siparin duke i dhënë vendit tonë një dimension të ri të panjohur më parë. Njëherësh, pikërisht në Tiranë, janë zhvilluar tre samite, ku më i fundit në mbështetje të luftës në mbrojtje të Ukrainës, ku Presidenti Zelensky do të jetë i pranishëm për të evidentuar mbështetjen e vendit tonë në betejën dy vjeçare kundër Rusisë, që synon të zhbëjë këtë shtet dhe vendi ynë ka mbajtur qëndrime të forta kundër agresionit rus, siç ishte edhe ai në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Pikërisht pas një rrugëtimi të tillë dhe në kushtet kur reforma në drejtësi vlerësohet me nota superelative nga BE dhe SHBA, i frymëzuar nga oratori i katit të tetë në rrugën e shpresës, Berisha dhe i nxitur nga euforia false dhe pa asnjë bazë post protestës së 20 shkurtit, Këlliçi bën deklaratën më të rëndë post pluralizmit politik të vitit 1990 për të djegur parlamentin e Shqipërisë. Kjo thirrje është vërtetë kulmi dhe e papranueshme nga askush që i thotë vetes shqiptar. E bën këtë deklaratë si karshillëk, Belindi, duke marrë mbi supet e tij të brishta, një akt terrorist, i cili është i dënueshëm, jo vetëm moralisht, por edhe ligjërisht. Kjo thirrje do tingëllonte absurde edhe në se bëhej nga një individ kriminel. Shqiptarët nuk do t’ia falnin. Le më të amnistojnë Belindin, i cili më e pakta u jep kurajo atyre që mbajnë urën e zjarrit në dorë, jo thjesht për të djegur parlamentin, po edhe vet Shqipërinë, të cilën e gjykon si pronën e vet që ja kanë lënë trashëgim me testament gjysh stërgjyshët. Sa ndesh bie kjo deklaratë me tërë aktet historike ndër shekuj kur për këtë tokë e këtë vend kanë derdhur gjak dhe kanë dhënë jetën për lirinë e Shqipërisë. Këlliçi le ta djegë parlamentin. Nuk është i vetmi që merr përsipër një akt të tillë. Para tij historia rendit edhe nazistët, të cilët i ka dënuar tërë bota. Ai është biri i Shqipërisë dhe fryt i demokracisë. Si i tillë zjarrdjegës të tjerë, ku mbi të gjithë u shquan nazistët hitlerianë në Luftën e Dytë Botërore, s’kanë asnjë lidhje me të. Po Belind Këlliçi nuk është produkt i nazizmit dënuar fuqishëm nga tërë bota,po bir i Shqipërisë dhe demokracisë. Pikërisht për çfarë është dhe ç’përfaqëson. Këto deklarata janë vërtetë skandaloze që meritojnë më e pakta përbuzje dhe urrejtje nga tërë bashkëkombësit shqiptarë. Edhe nga vet shqiptarët e partisë që bën pjesë, se tek e fundit e mbajnë veten si partia që u dha shqiptarëve demokracinë! Njëherësh besojmë se një thirrje e tillë është dëgjuar edhe nga organet e drejtësi
së pasi bëhet fjalë për cenim të rëndë të rendit kushtetues. Askush nuk e ndal opozitën të protestojë dhe të kërkojë të drejtat e veta. Asnjëri nuk thotë pse bëjnë demonstrime apo deklarohen për greva urie. Këtu Belindi me të tijtë është brenda të drejtës kushtetuese, po thirrja për djegien e parlamentit, tejkalon të gjitha deklaratat më ekstreme të atyre që nuk janë shqiptarë dhe i gëzohen Shqipërisë në flakë!