Kjo fjali, e lexuar siç është ka një të vërtetë të zakonshme: dikush ka blerë një palë këpucë. Ka një të vërtetë tjetër, të dytë,shumë më të madhe sepse përmend një periudhë kohore së cilës ia ka dhënë emrin një person i vetëm i cili ka jetuar historikisht në harkun kohor 1908- 1985. Dhe që ka udhëhequr Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare të popullit shqiptar, ku doli fitimtar. Vetëm me forcat luftarake partizane, shqiptare pa asnjë këmbë ushtari të huaj. U rendit kështu si individ dhe si Shqipëri në paktin e madh të fitimtarëve kundër fashizmit italian , nazizmit gjerman dhe militarizmit japonez, në kampin sovjeto-anglo-amerikan. Udhëhoqi më pas deri në vitin 1985, ndërtimin e socializmit në Shqipëri duke qenë anëtar i kampit socialist,por edhe shumë vite më pas kur ai kamp e tradhtoi veten dhe ideologjinë marksiste -leninsite mbi bazën e së cilës po ndërtohej ajo shoqëri e re. Enver Hoxha, është e do të mbetet, një individ që për këto suksese me jehonë shekullore, për një popull të vogël siç jemi në shqiptarët,( më 1944 ishim tetë qindmijë banorë dhe në vitin 1990 ishim bërë katër milion banorë!) i vuri pikat mbi ‘i’ dhe luftoi deri në fund tradhtinë, borgjezinë, kapitalizmin dhe kolonializmin. Tregoi kështu se kur vrulli revolucionar i çdo populli ka si prijës një udhëheqje të fuqishme dhe konsekuente në vijën e saj, kur ndiqen politika të drejta kombëtare zhvilluese dhe kur di të lidhësh marrëdhënie me fqinjët e të thurësh aleanca me ata që të duan e s’të duan- arrihen fitore dhe përparon shoqëria në mënyrë dialektike drejt barazisë, lirisë, vëllazërisë. Shkurt këtë grupim të vërtetash tregon fjalia në titull. Pra, dikush ka blerë një palë këpucë në një ditë që iu përket viteve 1944-1985. Mirëpo kur ti merr vesh se kush e ka thënë këtë fjali,në cilat rrethana dhe për cilën arsye atëherë të lind e drejta të nxjerrësh përfundimin se kjo fjali përmban edhe një gënjeshtër të madhe që është rrjedhojë e një shumatoreje gënjeshtrash të të tjerëve më përpara. Ishte vajza tetëvjeçare Greta, që ia dha të atit, Roland, këtë përgjigje. Ishte data 14 prill 2024.(Dëgjoj se edhe në Facebook ka qarkulluar diçka e tillë si një ndodhi).Por kjo që po u sjell në këtë shkrim është një realitet me emra konkretë në Tiranë, kryeqytetin tonë europian. Babai kish qenë me shërbim dhe kur u kthye pas ca ditësh, vuri re se vajza e tij kishte mbathur këpucë të reja. Ai e pyeti:” kur i paske blerë këto këpucë kaq të bukura,xhan i babit?” Dhe ajo, e bija e tij e vogël, por jo aq e madhe për ta gënjyer aq rëndshëm të atin, ia dha përgjigjen fët e fët:”Në kohën e Enver Hoxhës!”Në pafajësinë e saj fëminore vajza mund të jepte disa përgjigje ku përfshihej e vërteta si :”M’i bleu mamaja para dy ditësh”;“janë blerë pardje” etj. Por ajo zgjodhi atë përgjigje ku lartësohet gënjeshtra. Kjo ka një domethënie të thellë , dhe përbën temë më vete. Babai i befasuar nga përgjigja krejt e papritur dhe e çuditshme e vajzës së tij tetëvjeçare, pra e lindur 26 vjet pas perëndimit të kohës së E. Hoxhës,e përkëdhel në faqe dhe i thotë butazi: “Po ti nuk ke lindur në atëkohë. Edhe unë kam lindur në vitin 1973, ne mes të asaj kohe?!” Dhe përsëri vajza e shkathët dhe çiltër, pa u menduar për shifrat, ia kthen: “Ne na ka thënë mësuesja që në kohën e Enver Hoxhës njerëzit habiteshin shumë kur shihnin gjëra të bukura se atëherë nuk kishte gjëra të bukura, por vetëm të liga!”A e shihni se si i tjerr,’ i mbjell’ dhe ‘i aplikon’ thëniet e mësueses mendja e pafajshme e fëmijës? Nuk është rasti i vetëm i tillë. Ka edhe shumë të tjerë të ngjashëm,ndaj, natyrshëm tani, ti lexues i kujdesshëm po e kupton se ku fle lepuri: në ditët e sotme, pra të demokracisë alla amerikane,arsimi, shkolla, mësuesit, paskan marrë mbi supe misionin për të nxirë e fshirë, një faqe të historisë së popullit shqiptar, faqen e gjysmëshekullit të fitores së lirisë, të çlirimit të vendit nga pushtuesit e huaj, gjakun e 28 mijë dëshmorëve, ndërtimin e socializmit dhe kthimin e vendit tonë nga tejet i prapambetur në vend industrial-bujqësor me kulturë e mbrojtje të fuqishme. Pra ky brez mësuesish e pedagogësh, të pas viteve2000 dashkan që fëmijëve, nxënësve, studentëve t’ua bëjnë të bardhën të zezë. Dhe këtë ta bëjnë duke nisur nga baltosja, përçudnimi dhe fyerjet nga më të paqenat e ta paimagjinueshmet ndaj emrit të Enver Hoxhës! Pastaj edhe për kushtet e jetesës, e më tej produktet që kish atëkohë tregu. Por le ta dëgjojnë edhe një herë: Kurrë nuk kanë për t’ia arritur këtij lloj objektivi kobzi e mesjetar,antishqiptar, sepse rrënjët emri dhe vepra e Enverit i ka në të gjithë fushat e ekzistencës dhe prodhimit, në gur e në dru, në tokë e në ajër,në çdo vit-jete shqiptari të vërtetë ndër brezni. Nuk shuhet kurrë as emri i Enverit e as ‘koha e Enverit’ që i solli popullit tonë më të mirat e mundshme, në ato rrethana aq të rënda nga ku u nis socializmi dhe ku aspiroi, në aq kohë sa sundoi ai rend ekonomiko-shoqëror. Me që dihet se kujtesa e kohës së fëmijërisë ruhet deri në vdekje, le të ndalemi sadopak në këtë aspekt që, fëmijës tetëvjeçare i kishte mbetur në mendje. E bukura dhe shëmtuara si kategori filozofike ekzistojnë në natyrë objektivisht e pavarësisht dëshirave të njeriut. Natyra nuk e “çan kokën” për rendin ekonomik që kanë vendosur njerëzit. Qoftë e bukura , qoftë e shëmtuara, janë të tilla edhe në sytë e çdo njeriu që di, do dhe mundet të shikojë, ndjejë, perceptojë, shijojë. E bukura është vetëm e bukur,dhe pik! Kur vijmë tek e bukura e krijuar nga njeriu ( produkt material apo shpirtëror i dorës, mendjes apo teknologjisë që gjithnjë drejtohet nga njeriu) ajo quhet e tillë nga ata që e shohin drejtpërsëdrejti e jo nga ata që ua kanë thënë. Kjo mësuese që –
pavarësisht nga mosha, intelekti dhe statusi klasor- kur u thotë nxënësve se“në kohën e Enver Hoxhës njerëzit habiteshin shumë kur shihnin gjëra të bukura se atëherë nuk kishte gjëra të bukura por vetëm të liga!”- gabon rëndë së pari në këndin e qenies së vet si edukatore e një brezi pasardhës shqiptarësh. Ajo ka shkelur me këmbë misionin e saj si mësuese. Ka rënë viktimë e makinës propagandistike të politikës amorfe, ndjellakeqe, trullosëse e kohës së tanishme që vetëm lufton me çdo mjet komunizmin. Ajo lloj mësues është kthyer në një shërbëtore e pavlerë e politikanëve drejtues të shtetit tonë të pas vitit 1990, të cilët edhe pse ishin komunistë e bij komunistësh e shkelmuan të vërtetën e jetës së tyre dhe ndërruan fytyrën duke u kthyer në sahanlëpirës dhe mohues të vetvetes në interes të të huajve pushtues të rinj, me mjete të reja. Mësuesja në fjalë gabon rëndë edhe ndaj familjes së saj, ndaj prindërve të saj që e jetuan realisht socializmin me shtatë të mirat dhe tri të këqijat e tij. Kjo “zonjës”, kushdoqoftë,nuk është mësuese, por zarbë, njeri pa identitet dhe pa personalitet. Ajo fëmijës tetëvjeçare i ka injektuar, krahas sa e sa ‘inxheksioneve’ të tjera, që fëmija i thith merrvetiu me celular, me internet,me emisione televizive, me biseda ku sundon zhargoni, fyerja, seksualiteti,edhe një tjetër gënjeshtër, në fushën e psikologjisë, për jetën e shqiptarëve gjatë periudhës 1945-1990. Dhe babai i ngratë më tha:” E ç’t’i thosha unë, kur është sistemi arsimor dhe shkolla e sotme ajo që i edukon fëmijëve tanë antishqiptarizmin? “Sado që u mundova,ta sqaroja, qe thuajse e kotë”- e mbylli ai. Që t’i vëmë apak kësaj çështjeje kaq të vogël me efekte shumë të rënda: në masën më të madhe, në shkollat tona të viteve pas dymijëshit, ku ka ende nxënës, banka, ndërtesa shkollore dhe njerëz që japin mësim, me gjithë kushtet tejet të vështira konceptuale,psikologjike, morale, financiare, pedagogjike, materiale, përgjithësisht punohet ende për t’ua mësuar fëmijëve të vërtetën e historisë shqiptare. I tilli rast qoftë i fundit!? Në kohën kur ne,(që jemi sot 80 vjeçarë) detyrat e shtëpisë i bënim me kandil dhe, ai shtet na bëri njerëz të shkencës e të prodhimit,të kulturës e të mbrojtjes,të diplomacisë dhe të gjithçkaje kombëtare të fuqishme,ndër shumë të tjera citohej edhe thënia e një pedagogu të famshëm: “Shkolla pa edukim displinor është si mulli pa ujë”. Tek shkollat tona ka vite që uji po vjen shumë i turbulluar. Që të mos shterojë uji i pastër, duhet të zgjohet shteti, posaçërisht qeveria, por edhe vetë populli shqiptar dhe i çfarëdolloj kombësie që po jeton këtu, duhet të ngrihen në këmbë për një shkollë publike sa më të fortë, të vërtetë dhe shkencore shqiptare.