Nga Tomorr Shasho
Para disa kohësh kam shkruar,përse e besoja deputetin dje dhe sot jo. Në atë shkrim theksoja se me ish- deputetin banonim në një pallat, me të njëjtën sipërfaqe apartamenti. Ishim në kushte ekonomike po thuaj të barabarta,mbase unë së bashku me time shoqe paguheshim më shumë se ai, duke i llogaritur edhe pagën e bashkëshortes. Ajo që dua të theksoj është se puna e deputetllëkut ishte vullnetare,sepse deputeti në atë kohë paguhej nga detyra shtetërore. Pra nuk paguheshin si deputet,ashtu si paguhen sot,të cilët përveç rrogës gëzojnë privilegje të tjera; nga nafta për makinën,shoferin,pagë për celularin e deri në pjesëmarrje në komisionet parlamentare. Deputetët e djeshëm, ata të kohës së “diktaturës” mirë, apo keq, jua lanë vendin deputetëve funksionarë në këtë kohë demokracie. Nuk po marrë përsipër të them nëse i meritojnë ato thelat mbi bisht- kur thotë populli – e këtu është fjala lekët mbi pagën ( rrogën mujore),e cila është sa dyfishi i pagës minimale të shpallur,900 euro. Por shtrohet pyetja: A e justifikojnë këto paga deputetët e sotëm? Le tu referohemi disa fakteve. Cila është veprimtaria e 5 ditëve të javës,të cilat quhen ditë pune? Do të thoni se angazhohemi në komisionet parlamentare,dhe ditën e enjte në seancë parlamentare. Bukur shumë! Po si në seancën parlamentare dhe në komisione, më shumë u kemi parë të largoheni,kjo më e cilësuar për opozitën. Edhe kur keni qëndruar, ne si popull, nuk u kemi parë një diskutim serioz, një diskutim me argumenta, një diskutim kur njëri flet e të tjerët dëgjojnë. Nuk kemi parë një deputet,sidomos nga opozita të kundërshtoi me fakte dhe me një qetësi të admirueshme. 95 % në komisione, por dhe seancat parlamentare e kanë zënë ofendimet: idiot, mafioz, kriminel, palaço, drogaxhi, pa ruajtur as 2% te etikës njerëzore. Të enjten, datë 4.7 ,2024, po ndiqja interpelancën e Ministres së Shëndetësisë,për krimin( me gjithë kuptimin e fjalës) ndodhur te onkologjiku i Q S U T-së. Ministrja fliste. Po kujt i fliste? Karriget bosh, si nga opozita dhe mazhoranca. Si ka mundësi që kjo opozitë,e cila po bënë 4-5 ditë, që ulëritë, me të drejtë, për këtë skandal nuk ndodhej në sallë më përjashtim të 5-6 deputetëve? Foli si foli ministrja,po deputetja që foli në emër të opozitës nuk dha asnjë fakt se ku ishte shkelur ligji mbi veprimtarinë e këtij spitali, cila ishte përgjegjësia e ministres, drejtoreshës, zv/vendëses së saj, shefit të pavijonit e deri te mjeku i cilësuar kriminel,por filloi e mbaroi,edhe kjo duke u folur karrigeve bosh dhe kërkonte vetëm dorëheqjen e ministres? Ku ishit o zotërinj deputetët? Cili ishte qëllimi i interpelancës, që ministren ta dëgjonte populli,apo ju dhe të argumentonit gabimet e sistemit të drejtësisë? O zotërinj deputet, e dëgjonit nga kafeneja live në televizionin e kafenesë? Ku jeni, zotërinj deputet? Po mbushen 4 vjet që nuk u shikojmë një herë në takim. Ndiqeni emisionin ” Shqipëria tjetër” nga Marin Mema. I keni dëgjuar se ç’thonë fshatarët ? Të gjithë fshatarët e të gjithë fshatrave thonë të njëjtën fjali:”Deputetin nuk e njohim” Edhe në qytet,madje edhe në Tiranë, nuk kemi parë një lajmërim në lagje ku të thuhet: ” X datë kemi takim në Y vend me deputetin.” të mazhorancës ,apo opozitës. Të mazhorancës i kemi parë në televizor së bashku me Kryetarin e Bashkisë dhe kemi thënë: Uaaa qenka bërë takim edhe në njësinë tonë administrative! Edhe këtu kanë shoqëruar kryetarin e Bashkisë. Ndaj themi: o zotërinj deputet! Nuk u paguajmë për t’u parë ditën e enjte në sallën e Kuvendit, ku vetëm shani, shpifni,kërcënoni pa ruajtur pikën e njerëzillëkut,duke imituar gjelat e fushës, se ata të detit zihen shumë rrallë dhe kur i nxisin që të zihen. Pse t’mos themi: “Jo, jo nuk u takon ai vend?!”.