Nga Dhimitër Shtëmbari
Ajo çka u zbulua ditët e fundit në spitalin Onkologjik prodhoi një “habi” të madhe në institucionet shëndetësore dhe krijoi një zhurmë jo të vogël në tërë mediat shqiptare dhe në organet shëndetësore e shtetërore. Prodhoi “habi” në këto, por aspak në opinionin e gjerë publik! Populli e dinte, shteti bënte sikur nuk e dinte! Nga që njerëzit i kishte zënë e keqja, s’kishin se si të vepronin, prandaj ishin pajtuar më të keqen. Ulnin kokën, shisnin bagëtitë dhe blinin sa frëngu pulën për të blerë ilaçin, që jepej falas nga shteti! A beson kush, se ministrat e Shëndetësisë nuk e dinin që operacionet në spitalin shtetëror kryheshin me pagesë? Ajo që i ka shqetësuar shumë mjaft mjekë është se korrupsioni plasi hapur si flluskë sapuni. Doli sheshit, me emër e me mbiemër mjekësh, që nuk mund të mbulohet dot edhe pse, fatkeqësisht, disa “avoketër” mjeranë të tyre mundohen ta minimizojnë, si për të mbuluar me jorgan një të sëmurë rëndë që lëngon! Pyetja më e parë që i lind kujtdo është: po vet Shteti a mund ta parandalonte një skandal të tillë të bluzave të bardha? Përgjigja të vjen e thjeshtë: absolutisht po. Sepse ai i ka të gjitha mjetet për t’i prerë rrugën një veprimtarie të tillë kriminale, që pasuron një kategori njerëzish nëpërmjet vdekjes së të sëmurëve! Ajo çka pas shkruar e ndjera Ina Kasimati ka qenë një kambanë alarmi për këto që ka vesh. Ajo çka treguar ajo lipset të bëhet afishe dhe të vendoset për t’u mbajtur gjatë në derën kryesore të spitalit Onkologjik. Në spitalet shtetërore franceze, gjermane, italiane etj., siç janë dëshmitarë shumë nga emigrantët tanë, pacienti shtrohet në spital e operohet pa asnjë shpenzim. Ngjet kështu, sepse në këto institucione “shikon” dhe “dëgjon” Shteti. Pranon dhe përfill vetëm dokumentacionin. Sado e vogël të jetë një shkelje, atje menjëherë analizohet dhe, sipas shkallës së asaj shkeljeje, aty për aty merren masat. Cilit mjek i hyri gjemb në këmbë në Shqipëri?! Edhe një mjeku të mirënjohur të zemrës që u fut kanaleve të Drejtësisë, “e keqja” i erdhi aksidentalisht. Jo nga institucioni i tij, por ra në rrjet nga përgjimi që i bëhej një punonjësi të Drejtësisë! Disa mjekë janë dërguar dyerve të Drejtësisë drejtpërsëdrejti nga prindër që u ka ndodhur fatkeqësia në spitale. Nga institucionet shëndetësore, domethënë nga Shteti, nuk ka të paditur! Madje, ka pasur raste që nga këto zyra janë mbrojtur! Thuajse çdo ditë ka të arrestuar për shkak të kultivimit të drogës. Hap televizorin dhe lajm të parë do të kesh vënien në pranga të atij apo të atij, që iu gjetën kaq apo aq bimë kanabis! Teksa mëson këto, natyrshëm të lind pyetja: si mund të kultivohet kanabis dhe, ca më shumë, si mund të sigurohet në fshat laborator përpunimi të kokainës? Shteti nuk është vetëm Edi Rama, as Erion Veliaj dhe as Tauland Balla. Shteti është edhe ai kryeplaku atje në fshat, që duhet të dijë se çfarë mbillet e korret parcelave të fshatit. Bëjnë të paditurin në Frakull të Fierit për një laborator narkotikësh, a thua se bëhej fjalë për një tullë të vendosur mbas gardhi! Shteti është edhe ai mjeku, mësuesi, infermieri, ekonomisti, agronomi a tjetër që banon në fshat dhe i bie rruga të kalojë mes fshatit, ku rasti e bën të shikojë këtë apo atë bimë narkotike. Nuk është spiunllëk kur lufton të mbrosh ligjin. Është vënë re, se shteti ndërhyn kur shkelja arrin të bëhet skandaloze, kur për shkak të saj publiku irritohet në kulm. Mësojmë ditët e fundit, se Shteti ka ndërhyrë për prishjen e disa ndërtimeve pa leje në plazhe! Që ndërhyn, bën mirë, por… tani, në sezon plazhi, kujtohet shteti?! Dhe kur themi shteti, fjala nuk është thjesht për Qeverinë, por për bashkinë, për njësinë administrative. E paska më të vështirë bashkia të shkatërojë një ngrehinë në çastin e ngritjes, se në kohën kur pushuesit janë në breg të detit për plazh?! Para pak javësh kryetari i SPAK – ut tha një fjalë të madhe: kemi shumë pak, për të mos thënë aspak, denoncime nga vet administratat e institucioneve të ndryshme! Me këtë deklaratë ai vuri gishtin në një plagë të madhe: ka heshtje ndaj shkeljeve! Madje, disa institucione orvaten t’i mbulojnë këto shkelje, duke menduar, si duket, “le ta gjejnë nga të tjerët”! Nuk është e thënë, se të gjitha abuzimet duhet t’i kërkojë e t’i zbulojë SPAK – u apo Prokuroria. Janë shumë ingranazhe që të çojnë te Shteti. Bënte kohë që Kontrolli i Lartë i Shtetit kishte zbuluar shkelje në Onkologjik, por s’ishte treguar operativ. Të kishte vepruar në kohë do të mund të kishte ndihmuar në zbulimin e skandalit të këtij institucioni, brenda të cilit vërtitej paraja dhe vdekja. Bëhet mirë që shteti kërkon, ku të jenë, kriminelët shqiptarë dhe i sjellë për gjykim e dënim në Shqipëri. Mirëpo…kur vjen puna për të sjellë në Shqipëri ish Prokurorin e Përgjithshëm “nuk paska fuqi”! Dhe ish Prokurori i Përgjithshëm, që duhej të ishte i pari që të sillej këtu, jeton bukur mirë në një vend të huaj, duke i bërë karshillëk Shtetit shqiptar!Po kështu, ish zëvendëskryeministri jeton si kont në një shtet të huaj, u jep edhe intervista mediave të huaja, pa kërkon edhe azil politik dhe Shteti ynë nuk paska mundësi e fuqi për ta sjellë në Tiranë për të dhënë llogari lidhur me akuzat që i janë ngritur. Si përfundim, kanë ndodhur e vazhdojnë të ndodhin deri edhe skandale, sepse nuk këmbëngul Shteti. Sepse kur do, siç shprehet populli, ai e kap lepurin me qerre.
“Ikën me kamion në Angli”/ Françeska ‘kunja’ për Sarën: Shumë fat të keq ka ky Bardhi
Ish-konkurrentja e “Big Brother VIP 3”, Françeska Murati, ka treguar për fillimet e vështira të saj dhe të familjes në...
Lexo më shumë