Nga Tomorr Shasho
“Në mes të lulishtes me trëndafila,gjen gjemba dhe barëra të këqija”- përmendet shpesh herë kjo shprehje popullore. Ndaj është detyrë e kopshtarit që ti shkuli dhe të hidhen në koshin e mbeturinave. Kjo shprehje e lashtë e popullit tonë më erdhi ndërmend,sapo dëgjova skandalin e ndodhur në spitalin Onkologjik”Nënë Tereza”Tiranë. Këta mjek me këtë veprim kriminal, në rast se vërtetohet nga organet e drejtësisë, kanë shkelur jo vetëm betimin e Hipokratit,por kanë shkelur mbi zemrën e madhe të nënës mbarë botërore, Nënë Terezës, emri i të cilës nderon e frymëzon atë spital. E dalja e këtyre barërave,nuk e shëmton atë lulishte aq të bukur, edhe pse mjekja opozitare nw emisionin”Real Story” u mundua që ta mbulonte lulishten me këtë lloji bari. Kam qenë pacient në këtë spital; në urgjencë disa herë, por edhe i shtruar në repartin e kardiokirurgjisë. Ky shkrim i shkruar disa vite më parë është aktual edhe sot. Mbresa të shkurtra nga Urgjenca dhe Kardiologjia në QSUT “Nënë Tereza”. Diçka më shtrëngonte fort në kraharor. Mezi merrja frymë.
– Çfarë ke?! – m’u drejtua bashkëshortja.
Nuk e pata të lehtë t’i përgjigjesha. Ca nga ajo që po vuaja në vetvete, por edhe nga një merak i natyrshëm, se mos e shqetësoja.
– Diçka këtu, – ia kthej.
Dhe i bëj shenjë kraharorin tim.
– E po, shpejt në spital! – ngre zërin ime shoqe.
Taksia rrëshqiste me shpejtësi drejt QSUT – së “Nënë Tereza”. Sakaq, rikujtoja ndërhyrjen e parë, kur kreva koronarografinë. Ishte maj i vitit 2008. Në Urgjencë atë vit – në Urgjencë edhe pas dhjetë vitesh. Por… Ndryshime! Ndryshime rrënjësore.
Në vitin 2008 Urgjenca ndodhej në katin përdhe te gjashtëkatëshi i spitalit. Kështu emërtohej atëherë, emërtim që e dëgjon edhe sot,por me një ndryshim të madh. Dhjetë vjet më parë në Urgjencën e asaj kohe shikoje disa dhomëza të ndara me perde, por edhe këto në numër të vogël. Në krevatin e atëhershëm kishte batanije murrashe dhe tërë njolla!Të tjerat: çarçaf, jastëk e deri ilaçet më të shtrenjta i blejë privatisht….
Ndërsa udhëtoja me taksi mendoja, se si do të mund të flija në atë pisllëk që kisha njohur një dekadë më parë. Por …
Në Urgjencën e re, sapo kalova derën, u ndesha me një sallon të gjerë, mbushur me ndenjëse të rehatshme. Shoqëruesit e pacientëve i pash të ulur. Shkurt, u ndesha me një realitet krejt tjetër.
– A qenka tjetër gjë tani! – i drejtohem bashkëshortes.
– Mos e vra mendjen, po qëndro këtu të thërres ndonjë mjek….
Pa mbaruar mirë fjalën ime shoqe, para meje u gjend një mjek, sikur të kishte mbirë nga dheu.
– Çfarë ju shqetëson, zotëri? – m’u drejtua gjithë njerëzillëk.
Dhe më shoqëron në një nga dhomëzat aty pranë. Ishte një dhomë e pajisur me mjetet duhura, ku mjeku punonte me pacientin në kushtet e një shtrimi.
Mbas vetëm disa sekondave para meje u gjend një infermiere.
– Zotëri, pa të mas pak tensionin, – më thotë,
E kuptova, një kërkesë e tillë ishte e mjekut.
Për një çast mendova se i gjithë ky kujdes ndaj meje mbase do të mund të ishte një privilegj që mund të më bëhej, por nuk ishte aspak kështu. Si ndaj meje, veprohej edhe me gjjthë të tjerët. Madje për një çast mjeku u shkëput prej meje dhe nxitoi drejt një pacienti tjetër, që sapo e kishin sjellë me barelë. Teksa e pash mjekun që m’u shkëput, kujtoja se kishin mbaruar punë me mua. Por kisha menduar gabim. Infermierja,si të qe vajza ime, më shoqëroj të bëja radiografi, EKG dhe disa analiza të tjera.
– E, moj grua, iu drejtova bashkëshortes, cili është ndryshimi nga trajtimi në Urgjencën amerikane, ku pata rast të trajtohesha po për këtë sëmundje të zemrës… Edhe atje dëgjoje shprehjen:”Mirësjellja e mjekut të shëron më shumë se ilaçi”, e cila nuk mungonte. Këtë e shikoje kudo. Kjo nuk ka munguar e nuk mungon edhe këtu në Shqipërinë time. Edhe pse në kushte jo të mira në vitin 2008-të, por sjellja dashamirëse e mjekut Ormir Shurdha në urgjencë dhe e Majlinda Çafkës në pavijon, ku u shtrova nuk munguan. Këtë mirësjellje e dashamirësi për çdo pacient që paraqitej e vëreja edhe tani në 2018-tën ,si në urgjencë dhe në pavijon. E vura re si tek mjekja Joana e infermieret: Bajamja tek urgjenca dhe infermieres Kujtesa në pavijon, si dhe infermiereve të tjera e deri tek pastrueset,të cilave u kërkoj ndjesë ,që nuk u mora emrat. Bashkëshortja nuk gjeti ndonjë përgjigje, por më dha të kuptoj se nuk kishte ndonjë ndryshim të veçantë në kujdes e në gatishmëri. Këtu po kaloj pak në retrospektivë:
Teksa gjendesha i shtruar në një spital amerikan, në vitin 2014, për të vendosur një sten (unazë), mjeku diçka donte të më thoshte, por nuk kuptoja anglisht. Atëhere ndërhyri vajza ime dhe bëri të kuptohesha mirë me mjekun amerikan.
– Në Shqipëri i ka vendosur babi dy stenat (unazat) ?- pyeti mjeku.
– Po! – iu përgjigj vajza.
– Ju lutem, – tha mjeku,- po t’ju jepet mundësia të takoni mjekët që kanë vendosur këto unaza, u transmetoni falënderimet e mia. Ato ç’kanë vendosur ata, funksionojnë shumë mirë. Bllokimi është në një arterie tjetër.
– Faleminderit për vlerësimin! – iu përgjigj vajza mjekut, i cili ishte me titullin Profesor. Në këto çaste emocionuese e gëzimi isha midis mjekëve Alban Dibra e Edvin Dako. Kisha të drejtë të krenohesha! Edhe vendi im i vogël paskërka mjek të zotë në profesionin e tyre. Ja, këto m’u kujtuan këto ditë të tetorit 2018 po në spitalin e kardiologjisë në Tiranë, ku bëra përsëri një ndërhyrje koronarografike. Dhe ndryshimi nga viti 2008 ishte i prekshëm: çdo gjë ishte falas. Edhe pagesa prej 4000 lekesh, që pata paguar në arkën e spitalit në vitin 2008, ishte hequr. Personalisht s’e futa dorën në xhep. Askush nuk më bëri qoftë edhe sinjalin më të vogël për të më detyruar qoftë edhe moralisht për të futur dorën në xhep. Nuk dëgjova të bëhej fjalë për pazare në raste operacioni. U kërkoj falje edhe një herë mjekëve, infermiereve dhe sanitareve që nuk po u përmend emrat, sepse nuk arrita t’ua marrë. Po ç’rëndësi ka! Në Urgjencë doktor Edmond Zaimi ishte i kudondodhur. Por se mos vetëm ky! Të gjithë mjekët e Urgjencës dhe të pavijonit në kardiologji ishin Edmondër.