Në fillim shkopi pastaj shpërblimi. Ose bashkë me karrtën edhe shkopin. Kështu ka ndodhur me deputetët e ndarë të PD -së së madhe,atëherë kur në çdo cep të Shqipërisë ishte unike dhe fuqi imponuese e kontrolluese ndaj qeverisë dhe parlamentit. Po dy vite më parë, raportet ndryshuan. Partia u nda në copëza, si të ishte thërrmuar një mozaik nga përplasja. Foltoristët zgjodhën shtëpi të tyre stadiumin kombëtar të futbollit. PD, pjesa zyrtare ose partia e vulës, siç e etiketon Berisha, qëndroi në shtëpinë e vet tradicionale, buzë Lanës. Tentativa për të hyrë në seli me forcë për ta rrëmbyer nuk ia arriti qëllimit, po evidentoi qendrestarët e dy krahëve. Në krye të PD zyrtare ishte vet ai, Sekretari i Përgjithshëm, Gazmend Bardhi. Mbështësit e tij bënë ta pamundur pushtimin e selisë,kuptohet pas orë të tëra përplasjeje mes sulmuesve dhe mbrojtësve të gjendur brenda selisë. Këtu nuk u përdor vetëm shkopi, po edhe qysqitë, varetë, lëndë plasëse, gaz lotsjellës, çfarë na kujtoi filmat me pushtimin e kështjellave dhe përshkrimin brilant të “Kështjellës” nga Ismail Kadare. Pas sulmit të pasuksesshëm të pushtimit të selisë nisën joshjet dhe ecejaket e deputetëve, të cilët lëvizën në trajektoren PD zyrtare drejt “Rithemelimit”.E gjithë kjo lëvizje ishte kaotike, herë e kamufluar, herë si një merkato shitblerje deputetësh. Herë përmes trysnisë për t’u ricikluar deputet në zgjedhjet e ardhshme. Realisht, deputeti është indipendent, më saktë duhet të jetë i tillë në vendimet e tij. Në këtë kuptim ata janë të paqortueshëm për lëvizjet dhe zgjedhjet e tyre. Tek e fundit në atë sallë i ka çuar partia, duke i propozuar si kandidatë dhe pastaj vota e popullit. Po për kapërcimet nga njëra pjesë tek tjetra nuk i ka motivuar vullneti, po interesi. Edhe pse e dinë shumë mirë se lideri i tyre është shpallur non grata përsëri shkojnë me logjikën se tek e fundit ne na votojnë shqiptarët, jo amerikanët apo qytetarët e BE-së. Prej këtej nisin llogaritë: Ku është copa më e madhe duke braktisur moralin dhe gëlltitur fyerjet dhe denigrimin e bërë për dy vjet me radhë nga të dyja palët. Bardhi, veç fizikisht pas ikjes shkoi edhe jo vetëm me mandatin e deputetit po mori me vete në pajë edhe titujt që gëzonte në PD-në zyrtare dhe kërkon t’i imponohet kuvendit t’i njohë funksionet që ai të jetë kryetari i grupit parlamentar dhe të tjera benefite të trashëguara duke bërë trysni edhe me kërkesën për bashkëkryetarin e reformës zgjedhore për të larguar Alibeajn,duke e zëvendësuar me Bylykbashin. Shkurt atë që s’bën dot opozita ta zgjidhë kuvendi, duke shkelur ligjin. Në kuadër të forcimit të drejtimit të partisë më së shumti për të joshur të ardhurit rishtazi, ata që iu rikthyen “Rithemelimit “, ka nisur të vihet në zbatim një skenar i ri. Veç festave dhe gëzimit për “bashkimin”, të cilat u quajtën të pamjaftueshme, u kalua në planin “B”, i cili është më afër psikologjisë së deputetëve në transfertë. Ndaj nisën koptimet. Secilit prej të ardhurve do t’i jepet një post i rëndësishëm partiak. I pari që dorovitet është Gazmend Bardhi, i cili merr pozicionin e lartë të jetë zëvendës i Berishës. Kjo me justifikimin se ai është hipotetikisht kryetari i grupit parlamentar. Me këtë funksion u shpërblye Bardhi, i cili besojmë ndihet i lumtur me gradimin si i zgjedhur një nga katër numrat dy të “Rithemelimit”. Nuk është i vetmi i shpërblyeri i madh. Në radhë pas tij një tjetër figurë, zoti Gjekmarkaj merr po të njëjtin post, atë të nënkryetarit të partisë. Kështu blindohet vetë kryetari, i cili ka në dispozicion këtej e tutje forca të rinovuara edhe pse të provuara ndër vite. Joshja me poste nuk ndalet këtu. Me bujari i ofrohet post Ervin Salianjit, i cili ka shumë merita, pasi di të bëjë të butin e të ashprin , të urtin e të zemëruarin, por edhe regjisorin me video montazhin “Babale”, duke i dhënë politikës shqiptare një fytyrë tjetër, dimension të ri, që e ka emrin politikë me hipokrizi prej një gënjeshtari. Tani pritet të shpërblehet me post partiak edhe zonja Tabaku, e cila deri tani ka qenë diku në mes, midis Berishës dhe Bashës dhe ende nuk i ka thënë po propozimit, po joshja vazhdon dhe e nesërmja do tregojë cili do jetë vendimi për të marrë postin që i propozojnë. Kuptohet në kuadër të shpërblimeve me poste do vijojë edhe me të tjerë. Do gjendet një okazion që askush të mos mbetet pa një post në parti në kuadër të rikthimit në seli. Loja me shpërblime në emër të forcimit të partisë do vijojë deri sa të dyfishohet kryesia dhe gjithë udhëheqësia. Gjithçka që sot ndodh tek “Rithemelimi” ka vetëm një kuptim dhe një filozofi: Kush rikthehet tek “Rithemelimi” është i gatshëm shpërblimi! Të paktën tani për tani!
Spektakël në koncertin e Noizy-t, reperi surprizon në mënyrë të veçantë fansin e tij, video-ja bën xhiro në rrjet
Reperi mjaft i dashur për publikun, Noizy është gjithmonë në qendër të vëmendjes sa i përket këngëve dhe koncerteve të...
Lexo më shumë