Ditë më parë nga miku im, Gëzim Loka mora një libër me vlera jetësore të titulluar “Kushtetuta e dheut të Lurës (Kararet e Lurës)”. Për shkrimin e një libri të tillë duhet dhe guxim, por edhe shfrytëzim të arkivave dhe njohuri në këtë fushë të rëndësishme të mendimit dhe të gjykimit popullor. Librin e shfletova të gjithë me kujdes dhe me vëmendje, pasi bëhet fjalë për një krahinë të njohur në historinë kombëtare, por dhe për të mësuar më shumë mbi vetëqeverisjen e saj në shekuj. Miku im dhe autori i këtij libri kushtetues dhe njëkohësisht dokument zyrtar me vlera të kësaj krahine, ka arritur të na japë një përmbledhje shekullore të Karareve të Lurës. Kjo është një risi e re dhe tepër domethënëse për të gjithë, pasi nëpërmjet studimit të këtij libri ne njihemi dhe shikojmë në kohën e sotme të gjitha rregullat dhe bashkëjetesën e të parëve tanë në shekuj. Ky libër është një punë e paqtë, me vite dhe e studiuar mirë nga autori për të dhënë dhe një “kushtetutë”, për një popull luftëtar, fisnik, bujar dhe punëtor në shekuj, që me djersën e ballit dhe me punën e tij, ka ditur të ruaj traditën dhe të vendos rregull dhe mirëqenie në krahinën e tij. Autori thekson se “Kararet kanë marrë parimet esenciale të së drejtës zakonore si nga Kanuni i Lekës ashtu dhe nga ai i Skënderbeut. Në Kuvendin e Dheut, ku mori pjesë vetë Skënderbeu dhe pati përplasje me Lekë Dukagjinin, për shkak se Kryeprijësi, ndryshe nga Leka, donte ta orientonte kanunin drejt bashkimit dhe faljes. Kështu në shekuj, Dheu ka anuar nga Kanuni i Skënderbeut, por kararet i janë nënshtruar një procesi selektiv dhe pasurues esencial.
Risitë e reja të sjella në “Kushtetutën” e Lurës
Populli i Lurës, si gjithë populli shqiptar, i shquar për atdhedashuri dhe trimëri, ka bërë qëndresë shekullore në luftëra pambarim me pushtuesin e huaj, për liri dhe pavarësi, për të rujatur vetëqënien e tij. Këtë, sipas librit e favorizonte dhe vet pozicioni gjeostrategjik, terreni malor dhe potenciali njerëzor, luftëtar dhe me përvojë. Këtë e dëshmojnë kryengritjet e vazhdueshme të bërë nga ky popull dhe kapedanët e tij, që në jetë kanë sakrifikuar pasur dhe katandi, njerëz, vlera dhe janë përleshur me armikun. Nuk ka betejë dhe luftim ku luftëtarët e Lurës të mos jenë gjendur në krye të tyre. Këtë e dëshmojnë luftërat në shek. XIX, sidomos ato të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të fillim shek. XX, të kryengritjeve për pavarësinë e vendit, të Luftës së Parë dhe të Dytë Botëror dhe gjer më sot. Shembulli i gjallë i Lurës gjen shprehjen e vet tek thënia e Edith Durhan se “perandoritë e tjera erdhën e ikën, por ato kaluan mbi shpinën e shqiptarit, si uji mbi shpinën e rosës…dhe ai ruajti zakonet dhe identitetin e tij”. Kjo ishte vetëmbrojtje e mirëfilltë shoqërore për shoqërinë dhe individin. Në “Kushtetutën e Dheut të Lurës”, autori Gëzim Loka, sjell një sistem vlerash të larta morale dhe parime themelore juridike të mbrojtjes si të nderit, burrërisë, fisnikërisë, besës, bujarisë, mikpritjes, të gjakut e lirisë etj. Studiues të shumtë kanë folur dhe shkruar në shekuj ku kanë theksuar se kodet zakonor i përkasin një shoqërie pa autoritet shtetëror, të përfaqësuar më së miri nga struktura etike e Kanunit. Populli i Lurës kurrë nuk i pranoi ligjet e pushtuesit, por krijoi dhe jetoi me ligjet e veta të pashkruara, por të trashëguara nga brezi në brez prej të parëve, për vetëmbrojtje dhe vetëqeverisje të njësisë vendore. Përsëri Edith Durhan do të shprehej se “kjo filozofi e ligjit, qëndron edhe mbi ‘dhjetë urdhrat e zotit’”. Kanuni është dëshmi e gjallë e Bashkësi e Lurës, që kur nuk ekzistonte autoriteti shtetërore dhe në vijimësi, nuk kanë jetuar në anarki, por kanë ruajtur dhe zbatuar norma për rregullimin e marrëdhënieve mes tyre. Këto kanë hyrë thellë në shpirtin e këtij etnosi dhe janë respektuar me fanatizëm. Kuptimi dhe rëndësia që ka pasur nderi për popullin e Lumës, ka luajtur rol të madh në zbatimin e Kanunit. Veç traditave dhe normave të moralit që ka qenë faktori kryesor, për zbatimin e tij, kanë ushtruar ndikim feja dhe organet e vetëqeverisjes vendore si këshilli i pleqëve… Respektimi i këtyre normave lidhej ngushtë me vetëqënien e vetëqeverisjen, kurse mos respektimi vinte në rrezik jetën kolektive dhe të individëve.
Larmia e temave dhe faktori historik
Autori në libër ka prekur tema interesante që janë Lura krahinë më vete, populluar që në vitin 169 para Krishtit, krahina e Lurës në vizionin romantik të Edith Durham dhe të disa studiuesve të tjerë. Më tej autori përshkruan Kararet e Dheut, një Kushtetutë e pashkruar, të dhanë fuqinë e Anteut, Kararet, gurë kilometrikë të kujtesës luriane, Kanuni i Lekë Dukagjinit, Kanuni i Skënderbeut dhe Kararet e Dheut, Kuvendi i Dheut në kohën e Skënderbeut. Një rëndësi dhe vëmendje të veçantë ju ka kushtuar kullave dhe odave si krenari e lurianëve, për të vijuar me rrugëtimin historiko-shoqëror të karareve të Dheut, të pesë karareve të Dheut, modele të së drejtës zakonore juridike e shoqërore. Më tej ka analizue dhe argumentuar për Kuvendin e Dheut, të katër niveleve të vetëqeverisjes luriane, si një kushtetutë të dheut të Lurës, të marrëdhënies të lurasit me të drejtën etj. Duke u nisur nga faktet historike autori ka theksuar kuvendin e Karareve në kohën e Skënderbeut, pjesëmarrjen e tij në Kuvendin e Dheut lurian. Gëzim Loka ka theksuar në libër se Lura është një krahinë krenarie dhe dinjiteti, se Kushtetuta e Dheut të bukur lurian, kararet dhe Kanuni i Lekë Dukagjinit, janë shtigje të mënçurimit e të vetëdijes luriane, etj. Në libër autori Gëzim Loka ka shkruar me hollësi e gjërësi për kararet e Lurës, duke përcjellë dhe një herë admirimin e tij për vendin, rrënjët dhe degët e Lurës. Ai shpreh respektin deri në përulje për trashëgiminë e shkëlqyer të së drejtës zakonore që paraardhësit ju kanë lënë dhe që autori bën thirrje për ta ruajtur të pastër dhe t’jua lëmë të ndritura brezave lurianë që po vijnë.