Monografia është një punim shkencor kompleks, që ngjizet me data dhe shifra që rrokin aspekte të ndryshme të jetës në rrafsh shpirtëror, ekonomik, social (kur si objekt shtjellimi ka një trevë apo zonë të caktuar gjeografike duke vënë në qendër të vemendjes bashkësitë njerëzore përkatëse, që jetojnë dhe zhvillojnë veprimtarinë aty).
Monografia mund të merret edhe me jetën e vlerat që ka arritur gjatë saj një personalitet i shquar në një fushë të caktuar. Cilidoqoftë subjekti i monografisë, autori që merr përsipër shkrimin e saj duhet ta japë me saktësi të padiskutueshme jo vetëm në tërësi, por edhe në detajet më të imta, sidhe ta veshë me një petk të ndritshëm artistik, me gjuhë të pastër e të pasur, me stil të rrjedhshëm, plot figura artistike e larmi frazeologjike, që të ngjallë tek lexuesit e çdo moshe dhe niveli kënaqësi estetike dhe dëshirën për të mos e lëshuar nga dora nga fillimi deri në fund.
Për të përmbushur këto kërkesa është e domosdoshme që autori i monografisë të ketë përgatitje të thellë e të gjithanshme intelektuale dhe të jetë në gjendje të kryejë analiza e sinteza të të dhënave dokumentare, të cilat janë regjistruar gjatë kohës. Kur merr në dorë monografinë afro pesëqindfaqëshe “Legjendat nuk vdesin”, kushtuar baritonit të shquar me famë botërore Lukë Kaçaj (Shtëpia Botuese “Pegi”), bindesh se ai që e ka realizuar këtë vepër madhore – muzikologu dhe esteti Loro Sata, jo vetëm është në lartësinë e kërkesave që rreshtuam më lart, por shquhet edhe për pasionin e jashtëzakonshëm, për respektin dhe dashurinë e pamatë që ushqen për këngëtarin e rrallëarritshëm.
Me nota lirike që rezonojnë me shpirtin e ndjeshëm të çdo artisti të vërtetë, me një hijeshi dhe elegancë prekëse deri në “dhembje krenare”, autori ndërmerr një inkursion të rrallë për nga kohëzgjatja dhe për nga shtigjet plot të papritura, duke vendosur piketa të ndritshme në momentet më domethënëse. Kësisoj ai e përshkon trajektoren me një siguri që ia dhuron zotërimi i thellë i temës sidhe falë njohjes, jo vetëm të protagonistit, por edhe të mjeshtërisë së të shkruarit.
Portreti i Lukë Kaçajt është vizatuar me ngjyra të ndezura duke na mundësuar ta shohim dinamik e të paepur këtë artist e demokrat të mirëfilltë, si në momentet e gëzueshme të sukseseve të merituara e të njëpasnjëshme në skenat vendëse dhe të huaja, ashtu edhe në çastet më dramatike kur e prangosin sikur të qenkësh jo një thesar i paçmuar mbarëkombëtar e më tej, por si një keqbërës i rëndomtë.
Shpirtmadhësia prej malësori krenar dhe modestia prej kalliri grurëplot, si dy shina të çelikta mbi të cilat ngarendi lokomotiva e jetës së tij, nën tingujt e sirenës së zërit të tij burrëror e njëherazi magjepsës, e përshkojnë si fill i kuq krejt librin dhe, në fund, i përlotur nga fatkeqësitë e protagonistit, por edhe nga arti i kulluar me të cilin është shkruar vepra që mban titullin kuptimplotë “Legjendat nuk vdesin”, kushdo nuk e sheh të nevojshme të çlodhet dhe e rifillon leximin nga e para për të ndjerë sërish kënaqësinë që i jep njëlloj si refreni i një melodie të bukur klasike apo moderne, arie apo këngë popullore.
Nuk e quaj të udhës të hyj në hollësi për subjektin, që të mos jua shuaj sadopak kurreshtjen.
Spektakël në koncertin e Noizy-t, reperi surprizon në mënyrë të veçantë fansin e tij, video-ja bën xhiro në rrjet
Reperi mjaft i dashur për publikun, Noizy është gjithmonë në qendër të vëmendjes sa i përket këngëve dhe koncerteve të...
Lexo më shumë