Pasi u hodha sërish një sy analizave serioze dhe të mirëdokumentuara të shtypit progresist të paanshëm të vendeve të ndryshëm, vura re pa vështirësi se, në një mënyrë apo në një tjetër, – duke marrë shkas nga konflikti në Ukrainë, – shtrojnë pyetjen: Do të kemi Luftë Botërore apo paqe të padrejtë? Kjo është dilema që mund të ndryshojë fatin e botës. Dihet që luftërat shkaktojnë shkatërrime të mëdha, ndërsa rindërtimi kërkon shpenzime jo të vogla dhe kohë. Pavarësisht nga këto pasoja të dhimbshme, ukrainasit vendosën t’u kundërvihen rusëve, sepse vërtet lufta është një fatkeqësi e madhe, por as paqja e padrejtë nuk është aspak e mirë. Jo vetëm për faktin që, pranimi i paqes në kësi rastesh, do të thotë të mbash në shpinë barrën e poshtërsisë e të turpit, por në radhë të parë do të thotë t’i inkurajosh agresorët të rritin pretendimet. Historia jep mjaft shembuj në këtë drejtim. Një i tillë është Marrëveshja e Mynihut e vitit 1938, kur Franca dhe Britania e Madhe u dorëzuan para kërkesave cinike të Adolf Hitlerit dhe e bënë kurban Çekosllovakinë në shkëmbim të një paqeje iluzore, që zgjati vetëm një vit. Ka shumë të ngjarë që e njëjta gjë të ndodhë edhe me Putinin po qe se pranohen nga Ukraina pretendimet e tij. Në atmosferën e tanishme të gjakrave të ndezur, Evropa dhe vendet demokratike të Botës së Lirë praktikisht kanë filluar përgatitjet për luftë, sipas diktonit latin “Si vis pacem, para bellum” (“Nëqoftëse e do paqen, përgatitu për luftë”). NATO-ja ka bërë të ditur se është duke kryer një transformim të brendshëm të rëndësishëm duke mbajtur parasysh faktin që, brenda disa vjetësh, Aleanca Perëndimore mund të jetë e detyruar të përballet me agresionin ekspansionist rus. Shqetësimet janë edhe për vënien në rrezik të Tajvanit, Izraelit dhe Koresë së Jugut. Këto vende vërtet nuk janë pjesë përbërëse e NATO-s, por i përkasin botës demokratike, e cila vlerëson dhe respekton të drejtat e liritë individuale. Armiqtë e Aleancës Perëndimore, përkatësisht R.P. e Kinës, Koreja e Veriut dhe Irani, ashtu si Rusia, kanë armë bërthamore. Askush nuk e di me saktësi kohën kur mund të ndodhë një agresion i ri si ai kundër Ukrainës, i 24 shkurtit 2022, dhe si ai kundër Izraelit, i 7 tetorit 2023. Ajo që dihet me siguri është se armiqtë e lirisë dhe demokracisë dëshirojnë të ndryshojnë rendin e sotëm botëror, pra të anulojnë supremacinë e SHBA dhe të Perëndimit në përgjithësi. Gjumi i ëmbël i begatisë i dhjetëvjetëshave të fundit, i një farë naiviteti të shoqërive perëndimore dhe i rendjes pas interesave materiale nga shumë liderë politikë (disa prej tyre vazhdojnë edhe sot e kësaj dite të jenë të punësuar të ndërmarrjeve gjigante të naftës e gazit në Rusi), ky gjumë pra jashtëzakonisht i dëmshëm bëri që Perëndimi ta zbehë vigjilencën, t’i hapë portat me të dyja kanatat, të pompojë të holla dhe teknologji pikërisht në duart e diktatorëve dhe terroristëve, të cilët gjatë tërë kësaj kohe janë përgatitur e mezi kanë pritur t’u vërsulen demokracive perëndimore. Ndoshta deri në mbarim të këtij dhjetëvjetshi do ta kemi të qartë nëse do të ketë luftë të armatosur apo kompromis me agresorët. Gjatë muajve të ardhshëm do të zhvillohen fushata zgjedhore të ndërlikuara, në të cilat politikanët dhe partitë do të përpiqen t’i qetësojnë votuesit, t’i largojnë nga pagjumësitë dhe ankthet. Vetëkuptohet që rëndësi të madhe do të kenë rezultatet e zgjedhjeve në SHBA, BE dhe në Britaninë e Madhe, që janë sponsorët kryesorë të Ukrainës, të NATO-s dhe të sigurisë evropiane e globale. Nuk është njëlloj nëse në Shtëpinë e Bardhë do të vazhdojë të jetë Joe Bideni apo do të rikthehet Donald Trumpi. Me peshë do të jenë edhe rezultatet e zgjedhjeve të sivjetme në shtete më të vegjël, si Belgjika, Austria e Rumania, krahas formimit të një mazhorancë parlamentare dhe të qeverisë së re në Holandë. Rëndësi ka edhe cili do të fitojë zgjedhjet vitin e ardhshëm në Gjermani, Kanada dhe Poloni. Politikat e BE-së dhe të NATO-s do të varen nga këto zgjedhje dhe nga opsionet e qeverive të shteteve anëtare. Sipas analistëve, nuk ka vend për dyshim lidhur me pikësynimet afatmesme dhe afatgjata të agresorëve. Fjalët-kyç të tyre janë: nënshtrim ndaj ideologjisë së tyre reaksionare, dominim, e drejta e forcës, dhuna, pranimi i një realiteti të ri skllavërues, politika e faktit të kryer. Prej një kohe të gjatë agresorët kanë bërë përgatitje në funksion të ambicieve të mësipërme. Megjithëse armatosja dhe stërvitjet ushtarake nuk u rralluan asnjëherë në territoret e të katër diktaturave orientale, theksojmë se, mjerisht, Perëndimi vazhdoi t’u jepte me bujari fonde në të holla dhe teknologji moderne Rusisë së Putinit dhe Hamasit të sponsorizuar nga Irani, duke besuar se ndoshta do të ndryshonin rrugë. E njëjta gjë mund të ndodhë shpejt a vonë edhe me regjimet despotike të cilat ende nuk kanë bërë agresion ushtarak, pra Kina dhe Koreja e Veriut. Është thjesht çështje kohe. Tajvani dhe Koreja e Jugut janë në rrezik, ashtu sikurse Evropa Lindore dhe Izraeli. Tashmë e dimë që Presidenti komunist kinez Xi Jinping është aleat i Putinit dhe ka emëruar në komandën e ushtrisë gjeneralë besnikë të etur për luftë në çdo moment. Diktatori Kim Jong Un transportoi me tren për Putinin një milion obuzë dhe futi në Kushtetutë nenin sipas të cilit Koreja e Jugut është armiku kryesor i Koresë së Veriut. Ndërkaq, shteti teokratik iranian ka hedhur hapat e fundit për prodhimin e bombës atomike. Kina po e ndihmon Iranin në përputhje me një Marrëveshje Partneriteti Strategjik me afat 25 vjet dhe po ia lehtëson vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Arabinë Saudite, ndërkohë që Rusia priti në Moskë një delegacion zyrtar të terroristëve të Hamasit etj. Të gjitha këto, por edhe të tjera, dëshmojnë që Aksi i Së Keqes është aktiv. Analistët kom
petentë mendojnë se brenda një ose dy vjetësh mund të kristalizohet një gjendje shpirtërore e re në demokracitë perëndimore dhe, si rrjedhojë, të adoptohet një qëndrim politik i ri, luftarak ose jo, pra i prirur drejt kompromisit. Ka parti dhe kandidatë që flasin “për kompromisin e nevojshëm me Rusinë” (për shembull kryeministri i Sllovakisë dhe ai i Hungarisë) dhe parti e qeveri që shprehen kundër çdo kompromisi, por vetëm për një paqe të drejtë, pas një disfate të Rusisë (Britania e Madhe, Polonia, Shtetet Baltike). Por, në fund të fundit, kërcënimi më i madh për botën në të cilën jetojmë, mendohet se është fuqizimi i bashkëpunimit ndërmjet Rusisë, Kinës, Iranit dhe Koresë së Veriut, i këtij aksi që rrezikon shpërthimin e një Lufte të Tretë Botërore. Në këto rrethana, shteteve demokratike u duhet të bashkëpunojnë fort e gjithanësisht me njëri-tjetrin, në unitet të plotë.