Nuk është fjala për Lulzim Bashën, individin fillimisht shpresëplotë që doli kungull bosh e punë kotë në fushën politike duke u vetrenditur ndër më të babëziturit antikombëtarë që prodhoi vetëm flluska sapuni. Ai duke u shërbyer disa zotnive, kreu vetëm vepra që lidhen me krimin, inferioritetin kombëtar, shthurjen e tërëçkaje shqiptare. Që nuk qe i aftë të bënte as parti, as qeveri por tallava e lukuni. Problemi që ceket në këtë shkrim ka lidhje dhe ngjashmëri me Lulin e politikës, në sfondin e përpjekjeve që po bëhen nga njerëzit naivë, ata keqdashës dhe të tjerë të errësirës për të goditur kulturën, ekonominë,traditën dhe gjuhën shqipe. Duke ecur trotuarit të zë syri një të shkruar mbi derën e një dyqani: “Fiori’s flower”. Është dera e një shitoreje lulesh në një rrugë kryesore të Tiranës. Ndaloj dhe vështroj. Tani qenka mbyllur, por me sa duket shitësi, apo shitësja, është dikur afër sepse malli është ekspozuar edhe jashtë, në shkallët para derës. I dashur lexues, e di që nuk ke kohë të lexosh ‘broçkulla’ që flasin për tituj e jo për përmbajtje,por, armatosu me durim dhe do të reflektosh se është fjala për diçka thelbësore, diçka shpirtërore, shqiptare. Nuk është fjala thjesht për një emërtim. Mendohem dhe pyes pa zë:Po mirë more i respektuar mallshitës, ti je vendali i këtushëm. Je i lindur e rritur këtu ku denbabaden është folur shqip. Edhe stërgjyshërit deri tek edhe babai edhe nëna juaj kanë folur e flasin shqip. Edhe pse mund të kenë mësuar disa gjuhë të tjera për nevoja pune a detyre. Po ti përse nuk e shkruan shqip emrin e dyqanit tënd? Nuk të pëlqen? E përse të të mos të pëlqejë gjuha jote, shqipe? A ka më të ëmbël gjuhë se ajo në botë? Jooo! Ndaj nuk dua ta besoj!Nuk di që ta shkruash shqip? Kjo nuk ka mundësi kurrë. Të ka detyruar kush? E cili mund të jetë ai apo ajo që të ka detyruar ose bindur që të mos e shkruash emrin e dyqanit në gjuhën tënde amtare, shqipe? Po cilët janë ata anglezë, amerikanë apo tjetërsoj kalimtarësh e blerësish që flasin e shkruajnë anglisht, që do të blejnë lulet e tua me atë lloj emri që i ke vënë dyqanit? Apo vallë ata të shumtë a të rrallë italianë ku janë, që do të blejnë lulet që ke afishuar në vitrinë dhe në shkallë? Po cilët do të jenë ata shqiptarë që do të joshen për të blerë tek ti kur,edhe pse je në një qoshe që bie në sy, emri i dyqanit nuk është shqip? A nuk është më mirë që ta kishe në dy gjuhë emrin e objektit tënd? Së pari, në shqip e pastaj në, le të themi italisht, me që paske dikë me emrin ‘fiori ‘në familje. Kështu parandjej, nisur nga emri “Fjori”.Edhe po ta ketë emrin djali, vajza apo vetë ju që kini pronësinë e këtij dyqani, përse nuk e thoni shqip “Lulet e Fiorit”. Do të ishte një gjë e veçantë që pronari i këtij objekti që tregton lule quhet Fiori, emër i marrë nga gjuha italiane, që në shqip mund të ishte Lulëzim, mashkull ose Lule, femër. Po çfarë të mire i sjell vetes dhe klientit, kur e thua’flowers’, marrë hua nga anglishtja? Kur ti ke fjalën aq shumë të bukur shqipe ‘lule’. Pse e vjedh,rrëmben, huazon, fjalën e huaj kur ke tënden shkëlqimisht më të bukur? Më madhështore, më të fuqishme!? Përse vallë? Emërtimi i bizneseve, lokaleve, objekteve publike e shtetërore të të gjitha rrugëve në Tiranë vuajnë nga kjo sëmundje: mbi 92 % të tyre janë në gjuhën angleze. Ky fakt përbën një shpërfillje goditëse jo vetëm ndaj gjuhës shqipe, por edhe tërë dekorit urbanistik të kryeqytetit. Është pjesë e një strategjie anti-shqiptatre të cilën kryetari Edi Rama ka rolin më të dukshëm. Kush i miraton emërtimet e dyqaneve dhe pse nuk ka rregulla të forta që të jenë së pari, domosdoshmërisht në gjuhë shqipe e së dyti mundet edhe vetëm në një gjuhë të huaj. Përse kjo katrahurë gjuhësore këtu në administratën tonë shtetërore? Në shumë shtete të botës si në Francë, Poloni e gjetkë ka ligje që ndalojnë të tilla veprime. Dhe me që ra fjala, në Toronto, të Kanadasë, thuajse nuk ka asnjë banor autokton vendas, ngase ata të paktë që mbetën, shteti i ka grumbulluar në një provincë diku thellë e larg kryeqendrës aq të mbizhvilluar imperialiste. Banorët janë të ardhur si emigrantë nga tërë kontinentet. Atje kishte një rregull të fortë: emërtimet e objekteve duhej të shkruheshin detyrimisht në anglisht e frëngjisht. Kjo, sepse të dy këto gjuhë atje janë gjuhë ligjërisht zyrtare. Dhe si gjuhë tjetër emërtuese, mund të jetë ajo e kombit nga ke ardhur,po qe se e ke këtë dëshirë. Bie fjala: në mbi derë të një picerie që kish hapur me liçensë një shqiptar, qe shkruar anglisht, frëngjisht dhe me të kuqe fjala ‘Albania’. Kjo ishte zgjedhja e shqiptarit për emrin e picerisë së tij. Po tek ne, përse kjo mani e pafundme për emërtime në gjuhë angleze?Po përse shteti ynë nuk nxit emërtimet në gjuhën dhe traditën shqipe? Përse nuk ka ligj të atillë që të mbrojë gjuhën shqipe tonë të lashtë e të bukur në përcaktimin e emërtimeve ashtu siç ndodh në disa shtete të tjera që e ruajnë me skrupulozitet identitetin kombëtar? A nuk është kjo një pjesë e dukshme e ecurisë globaliste drejt asimilimit të etnisë sonë që me zell të madh dhe me papërgjegjshmëri të shfrenuar e përkrahin me indiferencën dhe me bëma të veçanta qeveria, parlamenti, presidenti? Fare hapur ky stimulim i inferioritetit të Shqipërisë sonë, të gjuhës sonë ndaj të huajve, është qëndrim i pafalshëm e i dënueshëm i drejtuesve qeveritarë në këto tridhjetë e pesë vite. Ka ardhur koha që për këto shkelje mbi gjakun e atyre që na sollën lirinë, dëshmorëve dhe luftëtarëve, ndaj këtyre qeveritarëve të veprojë ligji, dënimi, burgu.
Spektakël në koncertin e Noizy-t, reperi surprizon në mënyrë të veçantë fansin e tij, video-ja bën xhiro në rrjet
Reperi mjaft i dashur për publikun, Noizy është gjithmonë në qendër të vëmendjes sa i përket këngëve dhe koncerteve të...
Lexo më shumë