Heqja e sporteleve nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës e cila për pak vite është pagëzuar me emra të ndryshëm si: Hipoteka. Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme më së fundi gjeti emërtimin më kuptimplotë “Agjencia Shtetërore e Kadastrës”. Vlera e kadastrës është pazëvendësueshme për shtetin dhe së pari për qytetarët. Pa të nuk ka inventar të pronave të asnjë subjekti. Nuk mund të kryhen transaksione shitje, blerje, dhurime, ndërtime apo rrugë, hekurudha dhe vepra industriale. Për gjithçka institucionet i drejtohen kadastrës. Pikërisht këtu i vihet vula pronës dhe bëhesh pronar. Shtet pa kadastër nuk ka, kadastër pa shtet, po mund të ketë! Në mungesë të kadastrës të gjjthë do vërtiteshim si shtegtari në shkretëtëtirë, duke gjurmuar vendndodhjen e pronës. Vendi do ngjasonte me Kullën e Babilonit, ku secili do fliste me gjuhën e vetë dhe do mbisundonte rrëmuja e sherrnaja. Më së fundi për të shmangur mitmarrjen shteti vendosi të hiqen sportelet e bezdisura dhe torturuese.Në realitet sportelet e kadastrës ishin kthyer në banakë ku shitej e blihej shërbimi, influencat, vihej në rend të parë i pasuri, i forti, hileqari, ryshfetxhiu,portofoli. Qytetarit i bëhej skaneri, jo për dokumentacionin e domosdoshëm po për thellësinë e xhepave dhe ngjyrën dhe madhësinë e kartmonedhave. Pyetja retorike ishte: Ke para, ke prona ,s’ke para, prit dekadën tjetër të kryesh punë. Për pronën e siguruar me shumë mund, e trashëguar, blerë apo e dhënë nga shteti, jo pak specialistë e trajtonin si mall pa zot. Korrupsioni dhe alliverishet, mbivendosjet dhe mungesat, humbjet pa nishan, zhdukja e fletëve të tëra nga dosjet, ishin praktikë e zakonshme. Rotacioni i drejtorëve u bë praktika më rutinë. Shpeshtësia po ashtu.Kryesisht në drejtim delegoheshin njerëz politikë. Dhe shumica vinin në plan të parë jo ligjin, po politikën. Pothuaj në çdo gjashtë muaj, e shumta një vit, vinin dhe iknin drejtuesit e emëruar. Shumica për paaftësi dhe jo pak për korrupsion. Në këtë mënyrë krahas drejtuesve dhe specialistëve të ndershëm, jo pak të tillë i prisnin dhe vlerësonin qytetarët nga çfarë ofronin për të paguar kesh. Kush kishte një vend në kadastër, shumë shpejt ndryshonte mënyrën e jetesës dhe pasurohej rrufeshëm. Kadastra ishte njolla e zezë ndër gjithë institucionet e tjera nga baza në kulmin e piramidës. Largimet e drejtuesve nuk ishte zgjidhja. Kërkohej revolucion në administrimin e pronave, vlerësimin dhe indentifikimin e tyre. Po bëhet gati një vit që sportelbanakët janë mbyllur. Cilido përmes E-Albania, noterëve apo postës mund të dërgojë dosjen e pronës në ASHK dhe të aplikojë. Dosja shkon në kadastër dhe kaq. Askush nga pronarët nuk e njeh specialistin që trajton dosjen e pronës së tij. Arësyet përse veprohet në këtë mënyrë dihen. Bllok korrupsionit. Deri këtu është çdo veprim brenda parametrave antikorrupsion. Përmes mekanizmave të sistemit të ri të ASHK, një pronë e Konispolit apo Sarandës,Durrësit, Peshkopisë apo Korçës mund të trajtohet nga specialistë të kadastrës së Tiranës, a Shkodrës. Po një skemë e tillë si ka rezultuar deri tani? Është zgjidhje progresiste? Ka rezultate pozitive? Ka shmangur radhët? Ka eleminuar mitmarrjen? Ka zeruar pagesat nën dorë? I ka dhënë fund korrupsionit? Ka shpejtuar procesin?Nuk ka nevojë për një përgjigje shteruese për secilën nga pyetjet e mësipërme. Realisht, bariera anti korrupsion i ngjan një dige të pafiltrueshme dhe i janë tamposur rrjedhjet dhe kufizuar pagesat nën dorë. Po çfarë evidentohet dhe cilat janë problematikat e krijuara? Vonesat e përgjigjeve janë bërë kronike. Pasi noteri ka aplikuar përmes, E -Albania, janë kryer pagesat në bankë dhe është dërguar dosja korrekt me tërë dokumentacionin zyrtar të nënshkruar nga institucionet përkatëse, përgjigja nuk vjen. Çertifikatën e pronësisë nuk e merr, jo vetëm në kohë, po as për një vit. Përballë kësaj situate gjenden të gjithë. Pronarë të mëdhenj apo të vegjël. Ata që duan të hipotekojnë një truall, tokë arë përfituar me ligj, blerë apo dhuruar edhe ata që aplikojnë për kredi në banka, ku bllokimi i pronës i’a pamundëson kredinë për muaj të tërë. Për të kuptuar këtë problematikë ASHK qëndrore le të bëjë një anketë dhe të lexojë cili është gjykimi i qytetarëve mbi saktësinë dhe kohën e marrjes së përgjigjeve dhe sa është koha që duhet të marrin dokumentet në dorë? Kadastra nuk është një magazinë patatesh apo lulelakre ku edhe atje ka një evidencë dhe llogari kohore e përpunimit nga grumbullimi deri tek shitja se ndryshe malli do prishej dhe fermeri do shkatërrohej. Ekonomia kombëtare do falimentonte pasi bujqësia është kontributore e ekonomisë kombëtare. Po kadastra që noterizon pasurinë kombëtare çfarë vlere kolosale dhe me rëndësi kombëtare dhe historike ka? Përgjigjen e dinë të gjithë! Në se ndalesh para zyrave të kadastrës gjen dhjetëra qytetarë që duan të dinë ku ka ngecur aplikimi i tyre dhe kur mund ta marrin çertifikatën e pronës. Nëse del drejtuesi apo juristi tek porta, përgjigjia është: Nuk e dimë. Aplikoni tek E -Albania. Qytetari hyn në teknologjinë e re, po asnjë gjurmë nuk gjen. Çfarë u bë me pronën e tij? Si mund të mësojë në çfarë statusi gjendet procedura? Kur merr fund procesi? Ku ta marrë informacionin? Në cilën portë të trokasë ? Janë raste pa mbarim që prej një viti kanë aplikuar dhe çertifikatë pronësie nuk kanë marrë. Madje as pëgjigje. Fermerja A.B nga Konispoli përmes noterit ka aplikuar prej një viti sipas tërë rregullave për të regjistruar tokën arë. Paraqitet tek noteri. Pyet, po asgjë nuk dihet. Qytetari N. B, ka aplikur për një truall në kurorën e qytetit të Sarandës të përfituar me vendim të Këshillit Bashkiak. Dokumentacioni plotësisht i rregullt. Paguar tarifat shtetërore. Dërguar në kadastër nga noteri prej tetë muajsh e përsëri asnjë përgjigje. Një qytetar tjetër me inicialet A.T me dokumente të rregullta aplikuar para një viti po deri tani asnjë përgjigje, asnjë çertifikatë pronësie. Pyesin noterin. Me të drejtë ai u përgjigjet : Unë i kam dërguar dokumentet.
Ja aplikimi dhe të sqaron me data, numër protokolli etj. Mund të evidentonim me qindra raste të këtyre vonesave, po besojmë se është e panevojshme të rendisim raste pafund. Historiku i secilit është i njëjtë. Apliko dhe prit përgjigje. Zgjidhje jo. Atëherë ku qëndron problematika dhe çfarë duhet zgjidhur nga ASHK për të mënjanuar burokracinë dhe shmangur vonesat? I mbetet institucionit të rishikojë procedurat për t’i dhënë fund sorollatjeve dhe gjetur mekanizmat për zgjidhje të procedurave nga A në ZH. Kërkohet rishikim i procesit. Metodologji të reja kërkojnë të prodhojnë produkt, jo burokraci dhe sorollatje. Po të vazhdohet kështu me të drejtë duhet të besojmë qytetarët se ishim më mirë kur ishim më keq. Nëse duhen ndryshime në strategji dhe përsosje në teknologji,le të bëhen. Në se digjitalizimi nuk është i përkryer le të zgjidhet. Nëse duhen vendosur afate le të vendosen. Kryesorja të zbatohen. Kadastra është ndjeshmëri që i prek të gjithë. Nuk ka shtetas shqiptar, po edhe të huaj, institucion dhe vetë shteti të mos falen në portën e ASHK. Përgjigjen qytetarët e kërkojnë përmes zgjidhjeve të shpejta dhe konkrete. Piramidës drejtuese të ASHK, sigurisht i intereson t’u përgjigjet kërkesave të qytetarëve. Dhe kjo lyp seriozitet, novacion e angazhim serioz. Ndryshe ecejaket, trishtimi apo mosbesimi do lartësohen dhe kadastra do vijojë të mbetet institucioni me njollë të zezë. Ndaj kërkohen zgjidhje urgjente. Mundësitë janë. Besojmë edhe angazhimi. Se një modalitet progresiv siç është heqja e sportelbanakëve dhe aplikimi digjital mund të barazohet me sentencën popullore tanimë të njohur: “Operacioni doli me sukses, po pacienti vdiq!”
Spektakël në koncertin e Noizy-t, reperi surprizon në mënyrë të veçantë fansin e tij, video-ja bën xhiro në rrjet
Reperi mjaft i dashur për publikun, Noizy është gjithmonë në qendër të vëmendjes sa i përket këngëve dhe koncerteve të...
Lexo më shumë