Rrugë e asfaltuar dhe e shkatërruara nga Hec-et që ndërtohen nëpër Mokër dhe të tjera duke u ndërtuar për fushatën elektorale. Disa minimarkete, ndonjëherë edhe supermarket. Disa magazina me materiale ndërtimi, pikë furnizimi me karburant… Mbi 46 fshatra të ngjeshura në gjirin e maleve të Mokrës. Emrat e dikurshëm Sose, Mbaresa, Vajtime i kanë zënë emrat modernë të huaj. Shumica prej fshatrave të braktisur: Zëmca, Jolla, Llënga, Nica dhe shumë të tjera kanë ngelur me nga dy-tre shtëpi që kanë banorë. Dy a tre restorante, kryesisht për dasma . Makineri bujqësore që lehtësojnë ose zëvendësojnë punën e krahut, nuk sheh tek-tuk nëpër ndonjë arë ndonjë traktor i vjetër i kohës së diktaturës, por të shumtit punojnë si në Mesjetë. Fusha të lëna djerr, zilka dhe këmborë bagëtish, më rrëqethëse se të Naim Frashërit tek “Bagëti e bujqësi”. Depo prodhimesh bujqësore dhe blegtorale. Ata të pasurit e demokracisë janë kthyer në fshatrat e tyre dhe kanë ngritur shtëpi të reja, me kangjella të stilizuara, edhe me basene të kaltra të mbushura me troftë. Mbi portat, shqiponja të stilizuara. Shumë makina, Bensa, Toyota, Mitsubisha… Edhe pse është kohë fushate dhe mbjelljesh, të gjithë moshat i gjen para televizorëve që ndjekin telenovelat turke. Me punë ende nuk merret njeri, paret që vijnë nga pjesëtarët e familjes që kanë në emigracion mjaftojnë sa për t’u ushqyer…, ndërsa për rrobat rroftë ‘Gabi’ që vjen një herë në javë në fshat dhe bën panairin e veshjeve të përdorura. Pasdite, me kafe dhe pije përpara, të gjithë në kafene. Vetëm meshkujt, kryesisht moshat e reja. Në kafene nuk ka kurrë femra . Nënat dhe baballarët që zhdëpin njëri-tjetrin me gënjeshtra duke i thënë se çupa apo djali studiojnë jashtë shtetit. E dinë fare mirë se çupa, pasi ka vajtur Itali ca kohë ka bërë selfie për në Fejsbuk dhe një zot e di se me se merret. Ata ose ato bëjnë punë nga më ordineret, pa kujtuar një takëm tjetër që merren me pisllëqe. Të rinjtë dalin nga guska e fshatit dhe janë nisur në drejtim të qytetit. Por ka shumë të rinj që çdo ditë zbresin në qytet që në mëngjes, me veturat e tyre apo me furgona e pafund. Kafeneritë e qytetit janë plot me të rinj, djem dhe vajza që bëjnë muhabete të çartuna për pasurim të shpejtë, për dallavere korruptive, për pazare droge dhe transporti në vendet fqinje, për shumë euro, udhëtime aventuroze, pushime në hotele të shtrenjta, makina të fuqishme, skafe, jahte, telenovela, telefilma, spektakle televizive me femra me lëkurë të stukuar që të mos duken prej mishi por prej mermeri, dhëmbë porcelani e sy të shqyer, nga cigaret e hashashit.
-Mundohemi, thotë një i moshuar në Mokër, që të bëjmë me fëmijët tanë një kompromis, por ky kompromis ka një vijë të kuqe se përndryshe shkelet dinjiteti i secilit. Ti e merr në telefon e ai nuk ta ngre telefonin me muaj të tëra.
-Jeta i paska të tëra, thotë një nënë e moshuar. – Ka rënkime, ka lot, ka e ndonjë buzëqeshje kur dëgjon ndonjë lajm për fëmijët apo të dërgojnë diçka të ngrysësh netët e vështira nga varfëria… Jeta qenka një provë për të fortët… eh dashuria për fëmijët larg atdheut na është kthyer në një ndëshkim. E ardhmja, profesioni, kurrkund s’duket, as në horizont. Ky është, shkurt, fshati apo qyteti i sotëm shqiptar. Kush nuk e beson, nuk ka sy ta shikojë celularë, selfie, operacione kozmetike, tymosje hashashi, statuse të rrejshme në Fejsbuk për ta rrafshuar identitetin, ndonjë kafe, po teproi ndonjë lekë ja jep me ndonjë birrë a pije energjike nga ato që t’i zmadhojnë sytë dhe ta çakërdisin mendjen. Denatyrimi monstruoz po shkakton zbrazjen me shpejtësi të fshatrave drejt qyteteve dhe të krejt Shqipërisë drejt Perëndimit… Të gjithë e kanë mendjen tek data kur del lotoja amerikane… Të ikim nga sytë këmbët, hemorragji vdekjeprurëse që po na frikëson të gjithë pasi po futemi në kombet me moshë mesatare më të lartë, kur dikur ishim kombi më i ri. Rinia po ikën, intelektualët dhe njerëzit e mençuar janë të vetmit që mund të bëjnë diçka për evitimin e kësaj humnere liberale, që po na sjell një katastrofë… Politika është bërë bajate, askush nuk do të dëgjojë më për politikë apo për zgjedhjet që po afrojnë… Njerëz të zhgënjyer që ndjejnë neveri për klasën tonë politike… Deri kur kështu me një vend që drejtohet nga të paditurit dhe drejtësia vendoset nga më të pandershmit…