Falë rrethanave politike, që u krijuan në fund të shekullit të 20-të, e fillim shek. 21, në vendin e shqiponjave, lindi dhe u ngjiz miti i “engjëllit shpëtimtar amerikan” për Shqipërinë dhe shqiptarët. “Revolucioni” i ashtuquajtur demokratik i vitit 1990 në vendin tonë, pati si thirrje kryesore “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”. Por me kalimin e disa ditëve, turma entuziaste e rrugës, por edhe e politikës shqiptare, u ç’vendos drejt Amerikës, ku thuhej se është qendra e demokracisë botërore. Viti 1999, që shënon çlirimin e Kosovës, ku rolin kryesor e pati SHBA, mitin e “engjëllit shpëtimtar amerikan” për Shqipërinë, e çoi në lartësi të paimagjinueshme. Puna arriti deri aty sa vetë ne shqiptarët, jo vetëm u bëmë nga më proamerikanët në Botë, por dhe definuam në konkluzionin se “po të mos kishte qenë SHBA, Shqipëria nuk do të ekzistonte as si komb e as si shtet . . .!” Për çdo shqiptar që ka lexuar të paktën historinë e klasave të nëntëvjeçares, konkluzioni i mësipërm, që fatkeqësisht ushqehet dhe nga politika jonë pragmatiste, duket tepër absurd. SHBA, janë themeluar në vitin 1776, plot 248 vite nga sot. Para kësaj date, kontinenti amerikan sundohej nga kolonizatorët europian (kryesisht anglez e spanjollë), të ndarë në disa koloni. Përpara kolonizatorëve, kontinenti banohej nga popuj e fise tribu, të cilat u bënë edhe pré e kolonizatorëve spanjoll (1515), etj, çka i ka të dokumentuara historia e lashtë dhe e re. Ndërsa shqiptarët e sotëm, trashëgimtarët e padiskutueshëm të Ilirëve, e patën shtetin e tyre, madje mbretëri, të paktën qysh në vitin 230 para lindjes së Krishtit, me Mbretëreshën e famshme ilire, Teutën. Po ashtu, gati një shekull para se spanjollët të zbulonin “lëkurëkuqtë” e Amerikës, pasardhësit e Ilirëve, Arbërit, patën shtetin e Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, një nga shtetet më moderne të kohës. Për të sjellë në kujtesë shtetin socialist të Enver Hoxhës, i cili, si nga identiteti, nga përmbajtja dhe nga rezultatet që arriti, ishte një nga shtetet më moderne të rajonit e më tej tij. Atëherë, vetëm nga këto dy-tri fakte të thëna tepër shkurt, a mund të mendohet e të artikulohet konkluzioni se “Po të mos ishin SHBA, Shqipëria dhe shqiptarët nuk do të egistonin si vend e si komb?!” Stihia e ngjizjes së këtij “supermiti”, mori vrull në vitin 2020, kur politikanët e të dy shteteve, të Shqipërisë dhe SHBA, u kujtuan për 100 vjetorin e marrëdhënieve SHBA – Shqipëri, e cila, siç deklarohet, do të vijojë edhe me 100 vjetorë të tjerë. Pa diskutim, askush nuk e mohon faktin se marrëdhëniet e popullit shqiptar me SHBA, zyrtarisht nisën në vitin 1920, kur Shqipëria e pranua në Lidhjen e Kombeve. Gjatë kësaj periudhe prej mbi njëqind vjeçare, ka patur edhe momente pikante të këtyre marrëdhënieve, por ama, edhe plot gropa të zeza në mes tyre. Është fakt se në vitin 1919, kur në mbarim të Luftës së I Botërore, do të zhvillohej Konferenca e Paqes në Paris, Presidenti i SHBA, Woodrow Wilson mbrojti Shqipërinë nga copëtimi që i kishte përgatitur “Traktati i fshehtë i Londrës” i vitit 1915. Por fatkeqësisht, apologjetët e sotëm të borgjezisë e të kapitalizmit, harrojnë se një vit më parë, dhe pikërisht në vitin 1918, pas fitores së Revolucionit Socialist të tetorit 1917, Kryetari i Shtetit të parë Sovjetik, Vladimir Iliç Lenin, pati demaskuar në sy të botës planin e fshehtë të “Traktatit të Londrës të viti 1915”, që e shuante me gomë çeliku hartën e Shqipërisë. Demaskimi hapur i këtij plani nga Lenini në vitin 1918, së bashku me qëndrimin e Wilsonit në vitin 1919 në mbështetje të fatit të Shqipërisë, do të ndizte në kulm ndjenjat kombëtare të shqiptarëve, që çuan luftën e Vlorës të vitit 1920, dhe po atë vit edhe në Kongresin e Lushnjës e në krijimin e shtetit shqiptar, i cili do të vijonte pa shkëputje gjer në ditët e sotme. Në vitin 1999, presidenti i SHBA, Klinton, duke mbështetur çlirimin e Kosovës, ose më saktë të Dardanisë, nga pushtuesit serbo-sllav, ua dyfishoi shqiptarëve hartën e trojeve që Lenini e Wilsoni ua kishin mbrojtur në vitet 1918 e 1919. Këto momente janë historike, ndaj dhe janë regjistruar në memorien e çdo shqiptari. Megjithatë, për të qenë realist, nuk mund të pranohet kurrsesi që vetëm këto dy apo tri momente, sado pikante qofshin, ndodhur në harkun e 100 viteve, të përcaktojnë SHBA si “engjëll shpëtimtar” të Shqipërisë për gjithë historinë e saj dy apo tremijë vjeçare. Aq më tepër kjo, kur në 100 vjet marrëdhënie kalendarike me SHBA, 70 vite, ose kanë qenë indiferencë totale, ose për më keq, janë shoqëruar me veprimtari subversive të mikut të madh, ndaj vendit të vogël në buzë të Adriatikut. Duke kapërcyer vitet e nakatosura me subversione politike e ushtarake, diktuar këto nga “lufta e ftohtë”, e cila pasoi Luftën e II Botërore, le të cekim shkarazi këto tridhjetë vitet e fundit, ku miqësia shqiptaro-amerikane pretendohet të ketë arritur majat, gjer në formimin e mitit për “engjëllin shpëtimtar”, që e shënuam më lart. Përjashtuar muajt e parë të vitit 1990, kur po “gatuhej” revolucioni demokratik, e ku dominonte parulla “drejt Europës”, e gjithë koha tjetër prej 33 vitesh është menaxhuar e komanduar plotësisht nga SHBA dhe organet e saj speciale. Tani le të radhisim të mirat dhe të këqijat e kësaj periudhe, të cilat janë të dukshme për çdo qytetar. Për të parën herë në vitin 1991 në vendin tonë erdhi Sekretari i shtetit të SHBA, Bejker, i cili , pos fjalëve të bukura për demokracinë, na dhuroi edhe një çek prej 2 milion dollarësh. . . Në vitin 2007 në Shqipëri, për herë të parë në histori, do të kishim mik presidentin e SHBA, Xhorxh Bushin. Pas kësaj vizite historike, Shqipëria në vitin 2009 do të pranohej në NATO dhe në vijim mori dhe statusin e kandidates për në BE. Dhe ajo më kryesorja, në vitin 1999, me ndihmën e SHBA u çlirua Kosova (Dardania) shqiptare. Pa diskutim arritje sinjifikative të një ndihme konkrete nga miku i madh i përtej Atlantikut.
Po, cili ishte haraçi i këtyre arritjeve?!
Nga viti 1990 gjer në vitin 1994, turmat naziskine me inicialin “PD”, të prirë prej Arturo-Uit shqiptar, Sali Berisha, e të mbështetur nga ambasadori amerikan, Rajerson, dogjën e shkretuan si “komuniste” gjithë asetet e pasurisë së shqiptarëve, vënë me djersë e me gjak në gjysëm shekulli të kohës së socializmit. Po me praninë dhe ndihmën e ambasadorëve pasardhës amerikanë dhe europiane, kemi gjëmën e ’97-ës, ku Shqipëria u plandos përdhé, duke bjerrë plotësisht ekonominë, ushtrinë, shtetin, e mbi të gjitha lirinë dhe pavarësinë. Po me miratimin e SHBA, kësaj gjëme të pakrahasueshme të ’97-tës iu vu mbulesa e “amnistisë”. Një vit më pas, kur shqiptarët arritën të kapnin në flagrancë, Arturo –Uin, Berisha, po SHBA na urdhëroi ta lironim, dhe madje me ndërhyrjen e tyre e rikthyem edhe në pushtet në vitin 2005. Gjatë pushtetit të tij të dytë, Berisha, ky manekin i SHBA, na “realizoi” dy katastrofa të tjera kombëtare, “bombën e Gërdecit”, dhe vrasjet në bulevard të 21 janarit 2011. Ashtu si dhe herët e tjera, edhe këto dy gjëma të reja, falë “dorës së ngrohtë “ të SHBA, Berisha i kaloi pa u lagur. Më në fund, para dy vitesh, SHBA e shpallën Berishën “Non-grata”, me akuzën e krimit e të korrupsionit, çka na u ngjall shpresa se më në fund do të shkonte “haka tek i zoti”! Por nuk paskësh qenë e thënë të realizohej kjo paravolë e jona. Ajo që na tronditi më shumë ne shqiptarëve të thjeshtë, e na zhgënjeu pa kthim, ishte vizita e fundit e Sekretarit të Shtetit, Blinken në vendin tonë, vizitë, të cilën e prisnim me shumë shpresa. Prej gati dy muajsh, “non-gratën” me emrin Berishë, të shpallur nga sekretari Blinken, e kemi “fiksuar” tek dritarja e pallatit të tij, si “Ariun Silva”, që të mund ta shohin edhe miqtë kur të na vijnë për vizita. Besuam se Blinkeni, autori i “dekoratës non-grata”, qoftë edhe për faktin se i “damkosuri në dritare” e ka paditur në Gjykatën e Francës, do t’ia thoshte nja dy fjalë, çka do t’u jepte fund ligjëratave nga ballkoni, të cilat në Shqipëri kanë qenë e mbeten vendi dhe zakoni i grave. Por Blinkeni, e kaloi “ballkonin” pa e kthyer kokën andej, duke na lënë ne qytetarëve me gisht në gojë. I njëjti zhgënjim na ndodhi edhe me Ramën, për të cilin mendonim se amerikani Blinken, do të thoshte ndonjë fjalë, qoftë dhe ndonjë batutë diplomatike thumbuese për shkallën e krimit e të korrupsionit galopant në qeverisjen e tij, e veçanërisht për “rekrutimin e komprometimin” e kryezbuluesit amerikan, McGonigal. Përkundrazi, Sekretari Blinken, e quajti Ramën “një kryeministër të mirë” dhe një “lider të shkëlqyeshëm”. E njëjta gjë po ndodh edhe me vëllezërit tanë në Kosovë, ku shtetarët amerikanë, ndonëse e dinë mjaft mirë se kush është Serbia, kësaj të fundit i zgjatin “karotën”, ndërsa Albin Kutit dhe qeverisë së tij i tregojnë shkopin, gjë kjo e paperceptueshme, kur kujton veprën e tyre madhore të vitit 1999. Është e tepërt të zgjatemi më tej për këtë çështje që duket sheshit. Miti i “engjëllit shpëtimtar” midis vendeve e kombeve nuk ekziston. Kombet e shtetet lidhin marrëdhënie, miqësi e aleanca, duke ndihmuar njëri-tjetrin me aq sa u lejon kërçiku i forcës. Por kurrsesi i nuk mund të bëhen “ombrellë shpëtimtare” e shoshoqit. Ombrella shpëtimtare e çdo kombi, janë resurset njerëzore, pasurore e morale, që ai ka në dispozicion. Ndaj zvarritja pas “miteve” të rreme të të ashtuquajturit “engjëllit shpëtimtar”, nuk bën gjë tjetër, vetëm e vendos veten në letargji e në gjumë të thellë. Por kombet që flenë gjumë, thotë Ismail Qemali, vdesin!