Nga Gjon Neçaj
Shumë është shkruar e thënë këto kohë për moralin në përgjithësi, por veçmas për moralin në politikë. Politikani i suksesshëm duhet të udhëhiqet sipas parimeve morale. Skena jonë politike më tepër u përngjan telenovelave që kanë mbushur ekranet shqiptare, sesa politikë-bërjes serioze. Intrigat, dredhitë, përbaltja e kundërshtarit politik kanë përparësi ndaj analizave politike dhe strategjive zhvillimore serioze. Kalimi nga njëra parti te tjetra, kandidimi i pamoralshëm për të qenë përfaqësues i sovranit që nuk pyet fare pas hipjes në fron, shfrytëzimi i padrejtë i pozitës shtetërore, konsiderohen veprime normale të një shoqërie të pakënaqur. Dalëngadalë në shoqërinë tonë po paraqiten dy lloje të moralit që s’kanë asgjë të përbashkët. Morali i politikës dhe jetës publike nga njëra anë dhe morali i njeriut të thjeshtë nga ana tjetër. Morali i njeriut të thjeshtë synon të arrijë idealet në infinit, duke zbatuar porositë, detyrat dhe obligimet që ia përcakton shteti, kurse përfaqësuesi i këtij shteti, në kontrast krejt të ndryshëm dhe të përçudnuar, vepron kundër interesave të tij dhe shtetasit. Shoqëria shqiptare në mbarë hapësirën e saj duhet detyrimisht t’i çrrënjosë tashmë kulisat e ndërthurura të lidershipit dhe politikanëve, që të zhvishen nga dozat e tepruara të moralit politik e të jenë të barasvlershëm me shoqërinë, se ajo është tepër përpara, shumë e shumë më përpara se udhëheqësve partiakë dhe kuvendarëve. Por e vërteta në mes të gënjeshtrave është krejt ndryshe. Mendojmë se forcat politike në pushtet duhet të përcaktojnë dualitetin shtet-pushtet, në zbatim të ligjeve kushtetuese. Demokracia të mos prodhojë konflikte të panevojshme mes politikanëve, pushtetarëve dhe partive, por me vizionin përcaktues të hartojnë strategji të reja për zbutjen e varfërisë, që kurba e papunësisë të ulet, dëshirojmë që të ketë energji elektrike dhe ujë për çdo ditë, të ketë sa më pak sharje në Parlament e sa më shumë të ardhura për të varfrit, drejtësi për të gjithë, të mos ketë vrasje, vetëvrasje, krisma tritoli, kërcënime, përdhunime, as keqpërdorime dhe bindjet politike të mos përdoren për interesa të ngushta vetjake, siç ka ndodhur dhe ndodh rëndom. Duke dialoguar me vetveten, deshifroj thënien e një rilindasit tonë të madh, se Shqipëria është e shqiptarëve, e të gjithë jemi përgjegjës ndaj atdheut, ndaj kombit. Secili prej nesh ka një pjesë fajësimi që t’i nderojmë njësoj heronjtë e kombit, të kemi ekonomi të intensifikuar, tokë sa më shumë të punuar, pyje të gjelbëruara, ara të punuara, lumenj të pastër dhe një Shqipëri kryezonjë siç e kanë ëndërruar rilindasit këtu e para një shekulli. Milionat e eurove, duart e mbushura me orë të florinjta, zinxhirë, varëse qafe të gjyqtarëve, pushtetarëve e kuadrove drejtues të shtetit, po kaluam infinitin e përsëritur të korrupsionit, sovrani do të kthehet idhshëm ndaj tyre e do ua zënë frymën me varëset milionëshe të këtyre njerëzve, që në emër të popullit po montojnë një demokraci mjerane. E sovrani pret e pret jo vetëm reformën e thellë në sistemin e drejtësisë, por krejt kupolën ligjvënëse e qeverisëse. U godit rëndë përfaqësimi si gur themeli i demokracisë, u futën listat e mbyllura të kryetarëve për deputet. Argumenti ishte për të sjellë elitat në Parlament, për të mos qënë përfaqësues ata që janë të fortë e kanë xhepa të thellë dhe pastaj u detyruan të miratojnë ligjin e dekriminalizimit, pasi hynë të papërshtatshëm. Parlamenti i Shqipërisë nuk ka përfaqësues të popullit, por thjesht punëtorë me mëditje të kryetarëve të partive. Ata për votën në Parlament marrin ofiqe prej kryetarëve kur vijnë në qeverisje, madje dhe kur mbesin në opozitë si tendera, punësime të pamerituara të njerëzve të tyre etj. Shikoni administratat shtetërore, ato doganore e tatimore, pushtetin gjyqësor, bordet e rëndësishme lokale e qendrore, agjencitë shtetërore e deri tek funksionet më të rëndomta, të mbushura me të afërm të deputetëve të të gjitha partive. Aspak më shumë se dhjetë për qind e tyre nuk i kanë merituar dhe nuk i meritojnë këto funksione. Ky është privatizimi i Kuvendit dhe i administratës shtetërore nga kryetarët e partive, të cilët asnjëherë nuk cenojnë të afërmit e palës tjetër, por shtojnë radhët. Kjo ka bërë që të kemi jo vetëm administratën më të dobët në Evropë, por dhe më të fryrën për mijë banorë. Deri më sot opozita nuk ka artikuluar shkallmimin e sistemit të përfaqësimi, këtë sistem që lind autokrat, arrogant e bajraktar të tipit feudal.
E papritur/ Ndahet çifti i shumëpërfolur i Big Brother Vip 3
Pas mbarimit te BBV, u ve re mes nje afrimiteti mes Drini Zeqos dhe Dea Vierit. Shpesh ne rrjet u...
Lexo më shumë