Me përfundimin e Operacionit të Dimrit 1944, në Tiranë, më 29 shkurt 1944 fashistët gjermanë në bashkëpunim me xhandarmërinë shqiptare dhe komandantin e saj, shqiptarin Xhelal Staravecka kapën dhe ekzekutuan me varje në litar luftëtarin Muhamet Gjollesha. Veprimtaria revolucionare e Muhametit njihej në Gjirokastër, Vlorë, Durrës, Berat, Shkodër, Tiranë, Mat dhe i gjithë vendi. Ai punoi e militoi për organizimin e kryengritjes së përgjithshme, duke goditur pa mëshirë pushtuesit e spiunët ballisto-zogistë pa mëshirë, për ta parë Atdheun të lirë. E ku nuk ndihej krisma e revolverit të labit nga Lazarati duke sinjalizur kudo fundin nazifashistëve dhe të bashkëpunëtorëve të tyre. Veprimtari i antifashistit Muhamet Gjollesha i tërbonte tradhëtarët xhandarë Hysni Dema e Xhelal Staravecka, me dijeninë e Prefektit Qazim Mulleti, ta kapnin dhe ta mposhtnin luftëtarin. Muhameti u arrestua në Tiranë kur ishte dërguar nga komanda partizane për punë, por u kap tradhëtisht nga xhandarët që i ishin qepur nga pasë. Fashistët shqiptarë e arrestuan në darkën e 28 shkurtit. Gjatë natës në mënyrë barbare e kriminale që i karakterizonte, pa gjyq, e varën në litar në mëngjes në skelën e një ndërtese që po ngrihej në Pazarin e Ri të Tiranës. Muhamet Gjollesha para litari qëndroi burrërisht dhe heroikisht. Edhe me litarin në fyt ai thërrit “Rroftë Shqipëria e lirë e popullit, poshtë tradhëtarët!”. Muhamet Gjollesh mbajti qëndrim burrëror, përpara asaj skene tragjike. Këtë e panë mirë qytetartë e Tiranës, por dhe tradhëtarët. Muhameti para litarit, me fytyrën e bardhë dhe simpatike, me flokët e verdhë, me veshjen elegante, me shikimin e tij të egër dhe përbuzës, por që zakonisht ishte i ëmbël dhe i butë, me zërin e tij kumbues, bëri që xhelatët shqiptarë të tmerroheshin. Muhameti e donte shumë atdheun dhe popullin, të cilëve u kishte kushtuar gjithë zotësinë dhe energjinë e tij të madhe. Ai ra si bien trimat për lirinë dhe lumturinë e atdheut e të popullit shqiptar. Në shekuj është dhuruar jetë për mbrojtjen e Atdheut. Por këtu ka diçka mistike në respektin e kësaj zemërgjerësie. Antifashistët e donin Shqipërinë jo vetëm të çliruar nga okupatori por dhe të lirë shpirtërisht, ndaj kundërshtimi i tyre na çon larg, te tradita e etërve, zakon i lirisë.
Forimimi i tij si patriot…
Muhamet Gjollesha ka lindur në fshatin Lazarat të Gjirokastrës më 1914. Babai i tij, Bido Latifi, kishte qenë një burrë bujar që nderohej nga fshatarët dhe bashkëqytetarët për ndershmërinë e tij dhe si burrë zakoni. Patrioti zemërmadh Bido Latifi (Gjollesha) shquhej si pjesëmarrës në pritjen e plakut të urtë, patriotit të madh Ismail Qemali më 28 Nëntor 1912, si kryetar i delegacionit të Lazaratit në ditën e madhe të shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, në ditën madhështore të ngritjes së flamurit në Vlorën heroike. Patriotin Bidon e shohim pjesëmarrës me armë në dorë krah Selam Musait me trima të krye të 36 djemve e burrave lazaratas në Luftën e Vlorës 1920, si dhe në 1924 përkrahës aktiv me shumë bashkëfshatarë të lëvizjes demokratike noliste dhe të qeverisë që solli revolucioni demokratiko-borgjez i atij viti. Babai i Muhametit kishte miqësi të ngushtë me Siri Peçin dhe me Shefqet Peçit nga Picari. Këtë miqësi patriotësh babai e kultivoi edhe tek i biri, te ky Promete zemërzjarrtë dhe gojëmjaltë të epopesë së madhe të LANÇ. Aspekti cilësor i këtyre patriotëve konfirmohet te ndershmëria, heroizmi, burrëria, karakteri luftarak, trimëria. Miqësia, vyrtyti kryesor dhe ekuilibri, nota më e dukshme e tyre. Kjo “balancë nderi” është celebrimi i vlerave të tyre. Muhameti në vitin 1929, mbaroi shkollën fillore në Delvinë, dhe nisi studimet në Institutin Teknik Superior në Tiranë, falë përpjekjeve të mundimshme të babait, i cili shikonte tek i biri zgjuarsi, shkathtësi, vullnet, guxim e vendosmëri. Edhe këtë shkollë djaloshi lazaratas e mbaroi me rezultate të larta, në vitin 1936. Në pushimet verore në Delvinë ai i kalonte me shokët e tij të vjetër, ishte shpirti i tyre, i cili me autoritetin e zotësinë dhe fjalën e tij të zjarrtë mundohej ta mobilizonte për vepra atdhetare. Muhamet Gjollesha kur ishte nxënës në Teknikën e Tiranës, ishte një nga nxënësit më të shquar të saj. Ishte i pjekur për moshën, serioz kur fliste mbi çdo gjë, kishte zjarr dhe urrejtje për sunduesit e kohës. Ai ishte një i ri me mendime përparimtare dhe i palodhur për të folur, por me përbuzje për njerëzit e regjimit të vjetër. Ai ishte i sigurt në ato që thoshte, ishte nxënës i rregullt në mësime, ishte i dhënë pas librave, i matur dhe i dëgjueshëm me shokët, por i zjarrtë për të treguar dashuri ndaj të varfërve dhe urrejtje ndaj pasanikëve, grabitqarë, e pushtuesëve. Ai një ditë u bë revolucionar i vendosur. Në vitin 1937, Muhameti emërohet zëvendësinxhinier për Punët Botore në Bashkinë e Beratit, ku tregoi aftësi e kopetenca profesionale.
Muhameti antifashist dhe luftëtar
Pushtimi fashist i 7 prillit 1939 e gjen Muhametin me shumë të rinj të tjerë në ballë të demonstratave që kërkoheshin armë për të pritur pushtuesit fashistë në Durrës, por rezistenca popullore ishte sabotuar me kohë nga mbreti Zog. Në vitin 1939 si inxhinier i talentuar, emërohet në zyrën e Punëve Botore në Shkodër. Edhe këtu zhvilloi më tej veprimtarinë patriotike duke depërtuar në masën e të rinjve ku njihet e bashkëvepron të rinj revolucionarë e antifashistë si Perlat Rexhepi, Branko Kadia etj. Veprimtaria ra në sy dhe duke ndjerë peshën e aktivitetit të tij në masën e popullit liridashës të Shkodrës, Muhametin e transferojnë në zyrën e Botores në Mat. Këtu puna i dha mundësi këtij njeriu të lavdishëm të njihej me shumë njerëz të shtresave e moshave të ndryshme për të thelluar më shumë aktivitetin e tij kundër fashizmit. Ai hyri lirshëm në zemrën e popullit matian, e donte Shqipërinë të lirë, pa pushtues të huaj dhe gjakprirës të popullit. Në këtë zonë Muhameti bëri një punë të madhe për të ngritur popullin në luftë kundër fashizmit dhe luftoi heroikisht me armë në dorë, bashkë me çetat partizane, në Krujë në Qafë Shtamë dhe në Mat. Kështu inxhinieri u bë i penës dhe i pushkës, sepse Muhameti, ishte djalë i popullit me cilësi të rralla, njeri i thjeshtë, energjik, i zjarrtë, i dashur, i ëmbël dhe mikpritës me shokë, i lidhur me masat dhe i kujdesshëm për njerëzit. Me të gjitha këto cilësi të pajisura ai fitoi shumë shpejt respektin dhe simpatinë e popullit të Matit, duke e admiruar “inxhinierin” e ri.
Më 18 korrik 1942 krijohet çeta partizane e Matit, ku Muhameti bëhet një nga anëtarët më aktivë të tyre dhe merr pjesë me guxim në shumë aksione si protagonist i tyre. Me guxim të rrallë informonte vijimisht, duke shkuar dhe në Tiranë, organet qendrore për lëvizjet e armikut, për spiunët e tij dhe prej andej merrte detyra për të goditur më me guxim pushtuesit. Si anëtar i devotshëm dhe i paepur i çetës partizane të Matit, ai dha një kontribut të çmuar në organizimin e luftës popullore të Matit të 31 korrikut 1943 që tronditi thellë pushtuesit fashistë dhe shërbëtorët e tyre. Megjithëse në një këmbë të sëmurë që në fëmijëri nga një infeksion e që mundonte, ai nuk u dha asnjëherë para çdo vështirësie dhe nuk e ndërpreu për asnjë çast aktivitetin në shërbim të LANÇ. Me guximin e largpamësinë që e karakterizonte, Muhameti është ballafaquar disa herë me Abaz Kupi, duke e demaskuar hapur veprimtarinë e tij si bashkëpunues i nazifashistë. Në vijim të veprimtarisë së tij si partizan aktiv i çetës së Matit, merr pjesë së bashku me çetën e Dibrës nën komandën e shokut Haxhi Lleshi në aksionin e çlirimit të qytetit të Krujës. Si bir i Shqipërisë Muhameti kishte një shpirt të pastërt shqiptari i cili pulsoi më fort duke ushqyer flakët e idealit kur atdheu ishte në rrezik.
Në kujtimet e një heroi
Bashkëluftëtari i tij, Heroi i Popullit Shefqet Peçi, në librat e tij për luftës sjell një fragment kuptimplotë për Muhametin ku theksonte se “kishte cilësi të mira, por ai, duke qenë njeri i vendosur, nuk e përfillte punën e armikut… më kujtohet një rast në prillin e vitit 1942 kur me Muhametin ishim në hotel “Adriatikun”. Muhameti filloi siç e kishte zakon, të fliste me zë të lartë, fliste me urrejtje për fashizmin dhe për ata që i shërbenin me zell armikut. Ai fliste e fliste dhe zërin e ngrinte sa më shumë. Dukej sikur do të përpinte fashistë e spiunë. Unë, duke parë se zëri i tij sa vinte e ngrihej, i thashë: -Muhamet, ule pak zërin se këtu në hotel mund të ketë dhe agjentë që përgjojnë dhe mund të na dëmtojnë, se unë pikërisht këtu jam kapur dhe arrestuar në kohën e Zogut, më 1937. Por Muhameti, si gjithnjë, me nënvleftësim për armikun më tha: -Armiku ka filluar tashti ta humbasë torruan dhe përpiqet të ruajë kokën e tij, nuk ka nge të na dëgjojë ne. Unë e këshillova rishtas: -Muhamet, duhet kujdes në këto punë, dhe pikërisht sepse armiku mund të ketë humbur torruan prandaj duhet më kujdes të kemi ne. Muhameti në këtë kohë nxori një fotografi të tij, dhe mbrapa fotografisë shkroi këto fjalë: “Mbaje shok këtë fotografi, mbasi na sot jemi hedhur në fushën e veprimit dhe sakrifica për vumjen e rendit të ri, për shpëtimin e atij, (popullit) që rrota e fatit e ka bërë të shtypur jashtë natyrës. Nuk mund ta kemi jetën me pekule, por si veprim, aksion për të shenjtën liri”. Pastaj më tha: Ruaje këtë kujtim, në shënjë miqësie të pandarë. E mora fotografinë, e lexova dhe qesha duke i thënë: -More Muhamet, megjithëse unë pikërisht për këtë gjë të këshillova të jemi të kujdesshëm, ti veprove sipas dëshirës sate. Po a ka dokument më të mirë për armikun, që të na dënojë pa gjyq fare të dyve, se sa këto që shkruan ti? Pastaj ne u ndamë si dy shokë të dashur me njeri-tjetrin dhe fotografinë e Muhametit e ruajta me kujdes. Ato ditë fashistët më arrestuan, por nuk me kontrolluan edhe fotografinë e fsheha në këpucë, më vonë e nxora nga burgu për ta ruajtur”.
Përjetësia
Populli i Lazaratit, figurën e ndritur të birit të tij, e përjetësoi duke i vënë emrin e tij shkollës së fshatit, ku vendosën dhe një stendë me veprimtarinë e tij në muzeun e fshatit. Në hyrje të shtëpisë së tij të lindjes në Lazarat është vendosur një pllakë përkujtimore. Ditën e rënies së tij, 29 shkurtin, nga bashkëfshatarësia e tij u caktua si “Dita e dëshmorëve të fshatit”. Muhamet Gjollesha është shpallur dëshmor i Atdheut me vendim nr. 65 datë 2 tetor 1971 të Komitetit Ekzekutit të Rrethit Gjirokastër. Në Tiranë ka një rrugë me emrin Muhamet Gjollesha, si dhe në Pazarin e Ri të Tiranës, dukur ishte një lapidar i madh, ndërsa sot gjendet një shenjë që tregon për varjen në litar të Heroit të Popullit Shyqyri Ishmi dhe të dëshmorit Muhamet Gjollesha.