Një pushtetar, sado i aftë të jetë profesionalisht, nuk mund ta kryej kurrë detyrën me ndershmëri e korrektesë, nëse i mungon morali. Përkundrazi aftësia, zotërimi i mirë i detyrës, shpesh herë e kamuflojnë me mjeshtëri moralin e munguar. Është aksiomë e lashtë, se çdo binje buron nga morali. A mund te flasësh për moral të atyre deputetëve që, pasi mjelin mirë e mirë një parti, kalojnë tek tjetra, në emër të pluralizmit politik! Më kujtohen fillimet e demokracisë, kur ish sekretarë të PPSH, u kthyen në të burgosur politik dhe të dënuarit për vjedhje e përdhunime, u vetshpallën të persekutuar politikë!. Janë ata llumra të shoqërisë, të cilët sipas shkollës Berishiste kapën majat e pushtetit dhe u majmën në kurriz të këtij populli të ndershëm, që vazhdon t’u besojë ende. A mund të ketë moral Berisha që flet nga maja e ballkonit, se gjoja i digjet zemra për këtë popull, të cilin e ka vrarë, vjedhur, djegur, sa herë ka dashur dhe opozitarizmin e ka kthyer në një aristokraci partiake. E çfarë raporti moral mund të ketë mes tij dhe një analisti, të cilin dje e quante “i miri i gjyshes” dhe ai ia kthente flakë për flakë “bythëlëpirës” , kurse sot e quan lider demokracie! Çdo mbrëmje, pas akshamit ai shet deklarata opozitarizmi, me hipokrizinë më të madhe duke u shprehur se ” Opozita e dikurshme nuk u persekutua kurrë, sepse për ne, vendi pa opozitë është natë e zezë pa hënë, shkatërrimtar për një komb dhe një vend.” Duke lëpirë kështu partupësisht burgosjen e kryetarit të opozitës, Nano dhe rrahjen e deputetëve dhe gazetarëve në mes të ditës në ’96. Pothuajse të gjithë, ata që lindën nga shkolla e berishizmit, sot janë politikisht të pamoralshëm. Neritan Ceka, atëhere e akuzonte Berishën si “manipulator i madh i zgjedhjeve të 96” dhe se ndaj tij ai “kishte kurdisur atentat” tani shprehet se “Berisha do të mbetet në histori si Skënderbeu!” Tritan Shehun që dje e quajti atë “komunist të pandreqshëm” tani shkon e i përgjërohet poshtë ballkonit e kërkon hartim rezolutash për lirimin e tij! E çfarë morali mund të kenë politikanë si Bardhi, Mediu, që sapo kthehen nga mëngjesi i lutjeve në SHBA, e cila e ka shpallur Berishën non grata, shkojnë e zgjasin kokat të përgjëruar nga fjalët e tij në majë të ballkonit. Gazmend Bardhi, në janar 2022 shprehej se “Berisha mashtrues, nuk e heq dot kryqin e zi amerikan” dhe se “po u zgjodh Berisha kryetar, unë iki nga PD”, kurse sot pohon pa pikën e turpit se “nuk e kam mohuar asnjëherë që Berisha është lider historik i PD-së dhe personi më i fuqishëm brenda PD-së”. Në të njëjtën gjuhë me të është edhe “profesori” Gjekmarkaj, i cili vjet pohonte se “po fitoi linja e Berishës në parti, unë largohem nga PD-ja”, tani si nënkryetar i Berishës kryetar, pohon se “sot nuk ka më ndërmjet! O me opozitën e të ardhmen evropiane,” (për të cilën gjoja luftuaka Berisha kryetar), ose me Qeverinë e të shkuarën tranzitive që na la peng”. Logjikë e bukur prej profesori kjo! Pas tij vjen menjëherë me sharlatanizmin e tij politik Tomor Alizoti. Para ca muajsh shprehej se “nuk mund ta lëmë PD në dorën e ‘Plakut’ (Berishës) dhe nuk mund ta lejojmë “Malokun” (Berishën) ta kthejë PD në një OJF”, e tani e ndërron pllakën duke u shprehur se “Berisha është lider i padiskutueshëm dhe se vulën e ka një grup inekzistent”. Përgjatë këtyre 30 vjetëve pluralizëm, klasa jonë politike e ka shfaqur disa herë imoralitetin e saj, që kanë shkaktuar pasoja madhore për popullin e kombin. Kështu në vitin 1991, mes një kompromisi të fëlliqur, u hartua “Ligji 7501 për Tokën,” cili tjetërsoi pronën private dhe mbolli konfliktet shumë të ashpra, të cilat vazhdojnë të rrinë ndezur e të marrë jetë njerëzish edhe sot, pas 33 vjetësh. Në marsin e 1997, kur Berisha, kryefatkeqësia e kombit, qante në prehrin e këshilltarëve të tij dhe ishte bërë gati për t’ia mbathur, në vend që ta çonin pas hekurave, socialistët pranonin të bënin marrëveshje me të dhe ai “bekonte” Qeverinë e Pajtimit Kombëtar! Në mars 2008, kur ndodhi tragjedia e madhe e Gërdecit, Berisha gjeti prapë mundësinë dhe mes marrëveshjeve të fshehta, u ndryshua Kushtetuta dhe Ilir Meta, i cili atëhere kapërcente vazot për t’u kacafytur me Jozefinën, sot i rri në krah si “aleat i dobishëm opozitar.” Nuk qëndron pas tyre nga imoraliteti edhe marrëveshja e bërë sëfundi mes dy palëve të politikës, pavarësisht se dikush e quan “dialog”e dikush ,” mirëkuptim për mbarëvajtjen e parlamentit”, e cila realisht po faktorizon Berishën non grata. Kur paska qenë kaq i lehtë ky “dialog e mirëkuptim” përse u deshën 6 muaj të ndizeshin flakadanë në parlament, të rriheshin deputetë e gardistë dhe të lyheshin ata me miell. Ata që kërkuan, mbi pesë muaj rresht, “komisione hetimore”, nuk mund të bindin më askënd, se “do të bëjnë opozitarizëm”, se “janë e ardhmja europiane”, sepse janë ngopur gjer në grykë me pushtet e pasuri, kanë abuzuar, vjedhur dhe u shkojnë fukarenjve tek kasollet e tyre për t’u kërkuar votën me makina luksoze. Hidhni sytë e shihni, a gjeni dot një politikan, një zyrtar, një deputet, një shef dikasteri, një ministër të varfër! PS në pushtet, që kur është dashur ka ngritur në këmbë Tiranën dhe Shqipërinë për të mbrojtur demokracinë e vërtetë dhe për të shembur diktaturën Berishiste, me një armatë të madhe idealistësh që e ndjekin, nuk ka pse të lejojë që t’i imponohet kush, e jo më një Berishë i mbyllur në katin e tetë e i menderosur kokë e këmbë. Në situatën e krijuar nuk merret vesh, kush është pozita dhe kush opozita, se vitet e fundit të dyja palët kanë ardhur duke u njësuar. Kjo më kujton thënien e Vraniskit, pas ngjarjeve tragjike të ’97, se “këtu tek ju nuk merret vesh kush është engjëlli dhe kush djalli.” Opozita jonë hiqet herë si nacionaliste dhe herë si europiane, herë si konservatore dhe herë si moderne. A mund të besohet, që një opozitë që hiqet si nacionaliste, të ngrihet në këmbë e të mbro
jë një kriminel si Beleri, i cili premton se “do të punojë për helenizmin e Himarës”, duke shitur hapur interesat e kombit. Apo të rreshtohet pas një Berishe antiamerikani dhe kundërvënësi më i madhi drejtësisë. Ka ardhur koha të ndryshohet rrugë nga pozita dhe opozita, të inkurajohen energji të reja që vendi të quhet i mirëqenur realisht dhe jo në statisika. Mjaft është spekuluar me lirinë dhe demokracinë, duke fshehur pas tyre imoralitetin ata që janë të ngopur me pushtet politik dhe ekonomik. ”Liria ose është morale- shkruan filozofi amerikan Michael Novak-ose s’është asgjë”.