Venanzio Postiglione (Corriere della sera).Nga Herodoti te Sofokliu: shenjtëria e vdekjes, e dhimbjes, e një guri varri, është më e fortë se çdo gjë. Më shumë se një thirrje. Më shumë se një lutje.Një ulërimë. Kjo na thyen zemrat. Nëna e Aleksei Navalny i drejtohet drejtpërdrejt Putinit: “Do të doja të shihja djalin tim”. Kërkon trupin e pajetë ta ledhatojë për herë të fundit.Qytetërimet dhe nekropolet kanë lindur së bashku.“Në paqe, djemtë varrosin baballarët e tyre, në luftë, baballarët varrosin djemtë e tyre”, ka shkruar Herodoti. Një regjim jeton në konflikt të përjetshëm dhe është përgjegjës për jetën e të burgosurve politikë: pa pritur përgjigjen e mjekëve dhe gjyqtarëve. Kush e di se sa do të presë, Lyudmila Navalnaya. Në Iliadë, Akili grek, heroi i pamposhtur (dhe i egër), vret Hektorin, mbrojtësin e Trojës dhe e tërheq zvarrë kufomën rreth mureve.Një skenë mizore. Priami plak largohet më pas nga qyteti, hyn në çadrën e Akilit: i puth duart e gjakosura, i kërkon trupin e Hektorit. Dhe heroi brutal dorëzohet.Ai mendon për të atin dhe qan. Sot ne e quajmë ndjeshmëri dhe flasim për neuronet e pasqyrues: Homeri e dinte këtë mijëra vjet më parë. Iliada mbaron me varrim e lot, armët heshtin.Shenjtëria e vdekjes, e dhimbjes, e një guri varri është më e fortë se çdo gjë.Në tragjedinë e Sofokliut, Antigona kërkon trupin e vëllait të saj Polineikes.Që kishte rrethuar qytetin e Tebës dhe, sipas ligjit, nuk e meritonte varrimin. Dhe ajo lufton, dëshpërohet dhe në fund vret veten për atë kufomë të mohuar. Antigona shpik, pa e ditur, të drejtën universale: ne ende e citojmë atë sot, sa herë që arsyet e njerëzimit mbizotërojnë (duhet të mbizotërojnë) mbi ato të realitetit. Në librin «Rusia e Putinit», 2005, Anna Politkovskaja kishte kuptuar dhe shkruar tashmë gjithçka.Në faqet e para Nina Ivanovna Levurda kërkon gjithashtu një trup.“Ajo është një nënë pa fëmijë. Më keq: është një nënë që nuk e di të vërtetën për djalin e saj”. Ajo do të trokasë në të gjitha dyert, për djalin e vrarë në Çeçeni, duke pyetur deri në lodhje: “A jeni apo nuk jeni qenie njerëzore?”.Anna Politkovskaya u vra më 7 tetor 2006, në ditëlindjen e Putinit.Studiuesi grek Albin Lesky shkroi se takimi midis Akilit dhe Priamit “përfaqëson fillimin e humanizmit perëndimor”.Por ndokund e kemi humbur.Përkthyer: nga Jak Simoni.