Atë ditë drejtorit të Institutit të Kërkimeve Bujqësore në Lushnje, Koço Dhimës, i kishte ardhur në zyrë Sekretari i Parë i Komitetit të Partisë të rrethit për një bashkëbisedim lidhur me masivizimin e veprimtarisë shkencore. Si zakonisht, Koçoja u kishte lënë porosi shefave të sektorëve të kërkimit shkencor bujqësor të qëndronin zyrave të tyre me mendimin se mos, ndoshta, dilte nevoja të tërhiqej edhe mendimi i tyre. Dhe vërtet doli nevoja. Erdhi një çast, që Sekretari i Parë kishte shtruar pyetjen, se a do të ishte e vështirë që eksperimentet shkencore të shtriheshin edhe në disa kooperativa bujqësore, domethënë në një sipërfaqe shumë më të gjerë se sa ajo e vet Institutit të Kërkimeve Bujqësore. Ishin thirrur të ishin pjesë e diskutimit edhe shkencëtarët e mirënjohur Skënder Gozhita, Alfred e Zhaneta Xhomo, Arjan Babo, Elham Manaj, Naun Prifti… Mbas takimit të organizuar në zyrë, Koçoja e udhëhoqi Sekretarin e Parë drejt pemishtes me qershi, që ndodhej në dalje të godinës së institucionit. Ashtu së bashku vazhduan mes pemëve me qershi të pjekura. Ecën disa metro nëpër to, u shtyn edhe ca më tutje dhe…kur i ardhuri nga Komiteti i Partisë pa se askush s’po e ftonte të hante ndonjë kokërr, s’e zgjati më tej:
– Pa t’i provojmë se ç’shije kanë këto qershi, – foli duke e hedhur vështrimin nga drejtori. Dhe çoi dorën të kapte ca kokrra. Zakoni e deshte që drejtori të shprehte diçka, por nuk foli! Nuk folën as specialistët! Madje as që i ngritën sytë drejt degëve të qershive!
Kur pa qëndrimin “serioz” të të zotërove të shtëpisë, i ardhuri nga Komiteti i Partisë të rrethit iu drejtua drejtorit:
– Më latë vetëm?!
Për të mos e konsideruar gjest provokues qëndrimin e mbajtur në ato çaste, Koçoja i drejtohet:
– Janë qershi shumë të mira, të një lloji të veçantë. I vjelim me punëtorët që kemi, i peshojmë dhe i dorëzojmë me dokument në Ndërmarrjen e Fruta – Perimeve. Natyrisht, aty mbase mund të jemi ndër blerësit e parë…
Sekretari i Parë kishte dëgjuar nga të tjerë për “fanatizmin” e drejtor Koço Dhimës, por këtu i kishte ardhur rasti ta njihte më nga afër. Në qoftë se kërkohej që komunisti të karakterizohej nga dhjetë cilësi, drejtori i Institutit të Kërkimeve Bujqësore në Lushnje, Koço Dhima, ishte cilësia e virtyteve më të larta njërëzore. “Ç’më sille si Koço Dhima!” dëgjohej të thuhej gjithandej në Lushnje. Erdhi një kohë që drejtori i Ndërmarrjes Komunale të Lushnjes, Rustem Çarçani, do të dilte në pension. Ishte rasti që të emërohej drejtori i ri. Siç ngjet në të tilla raste, nisën e vazhduan të lëvizeshin shumë gurë. Byroja e Partisë e Ndërmarrjes kishte menduar, madje kishte vendosur, që drejtor të emërohej një shokë. E vërteta ishte, se i preferuari i byrosë së Partisë ishte vërtet një kuadër i përgatitur, me shumë përvojë, me shpirt praktik; edhe aftësitë e organizatorit nuk i mungonin. Mirëpo kolektivi i administratës, pra, organizata e Bashkimeve Profesionale, kishte një tjetër mendim.
– Nuk ia mohojmë aftësitë shokut që propozon byroja e Partisë të ndërmarrjes, – shpreheshin drejtuesit e bashkimeve Profesionale; – shokë i mirë është, organizator është, masovik është, por përse të mos jetë në krye të ndërmarrjes shoqja Lalika Shandro, një shoqe shumë aktive, me vizion të gjerë e, mbi të gjitha, me shpirt praktikë dhe tepër rezultative?! Atyre ditëve në Komitetin e Partisë të rrethit shkoi informacioni, se në Ndërmarrjen Komunale ka krisje të unitetit: kolektivi, domethënë bashkimet profesionale, kanë dalë kundër Byrosë së Partisë së ndërmarrjes! Kur mori të trashur problemi, atëherë në aparatin e Komitetit të Partisë të rrethit ishte menduar ndryshe.
– I sillni të dy kandidaturat në Byronë e Partisë të Rrethit, – ishte dhënë porosia.
Dhe ashtu qe bërë. Në Byro ishin shprehur mendime të ndryshme. Ajo që konsiderohej “shkak” për të mos e emëruar drejtoreshë ndërmarrjeje Lalika Shandron ishte fakti, se, si grua që ishte, nuk do të mund të shkonte dot në bazë, në sektorët që gjendeshin larg e deri shumë qytetit!
– Unë jam me propozimin e shokëve të Bashkimeve Profesionale, që drejtoreshë e kësaj ndërmarrjeje të emërohet shoqja Lalika Shandro, – ishte shprehur Sekretarja e Parë e Komitetit të Partisë, Lenka Çuko. Mbase ishte një nga rastet e rralla kur nuk merrej parasysh propozimi i byrosë së Partisë të ndërmarrjes. Gjatë kohës që drejtoi Lalika, Ndërmarrja Komunale njohu zgjerim të dukshëm dhe përmirësim cilësor të të gjithë llojeve të shërbimeve. Së toku me bashkëshortin e saj, Thomain – një nga ish financierët më të njohur të Lushnjes, Lalika banon në Tiranë. Gjatë një bisede të lirë me ish përgjegjësin e seksionit të Planit të Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të ish rrethit të Lushnjes, Andrea Kote dëgjojmë të na thotë:
– Ndihem tepër i trishtuar kur medoj, se si u shpartallua plotësisht ish Ndërmarrja Ushqimore e Lushnjes. Edhe luftë të ishte bërë, nuk do të qe shkatërruar deri në asgjësim! Dhe të mendosh, se ajo ndërmarrje mbante me bukë qindra familje në qytetin e Lushnjes…
… Kur seksioni i Planit pranë Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit i tërhiqte vëmendjen drejtorit të Ndërmarrjes Ushqimore, Agim Basha, se e kishte rritur pak si tepër fuqinë punëtore në ndërmarrje, ky i përgjigjej me vetsiguri:
– Përse shqetësoheni?! Ju garantojmë realizimin e të gjithë treguesve të planit; rendimentin, koston, cilësinë e prodhimit, asortimentet…
“Epo, ky njëri mendon si kryefamiljar dhe jo si nëpunës shteti” qe shprehur ndokush teksa e pat dëgjuar të fliste për rritje të fuqisë punëtore. Agim Basha tregohej me gisht në Lushnjë për zemërbardhësinë e vet. Ndërsa shikonte që dhjetëra e deri qindra djem e vajza dërgoheshin nga Zyra e Punës për të shkuar me punë në NB “29 Nëntori”, më të shumtën e herës thjesht për të kositur ndonjë barishte e për të marrë ndonjë pagë qesharake, Agimit i punonte mendja si e si të zgjeronte pandërprerë veprimtarinë e Ndërmarrjes Ushqimore.
– Ç’ne këtej nga kooperativa bujqësore, shoku Agim?! – i drejtoheshin zyrtarë të Komitetit të Partisë të rrethit teksa e shikonin që ndodhej në ndonjë fshat.
– U interesova për gjendjen e domateve e të specave, – i përgjigjej Agimi.
Dhe e gjeje shpesh nëpër ekonomitë bujqësore, sikur të ishte specialist i seksionit të Bujqësisë dhe jo drejtor ndërmarrjeje. Vepronte kështu, sepse kishte planifikuar rritjen e prodhimit të salcës së domateve, të llojeve të ndryshme të reçelarve, të llojeve të ndryshme të kompostove, të llojeve të ndryshme të rakisë e të verës, të …
– E mori Ndërmarrjen Ushqimore me më pak se katërqind punëtorë dhe e çoi me rreth shtatëqind punëtorë, – tregon ish përgjegjësi i seksionit të Planit pranë Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit, Andrea Kote.
Prodhimet e Ndërmarrjes Ushqimore të Lushnjes kanë qenë ndër më cilësoret në shkallë vendi. E kush nuk e kujton verën “Kabernet” e, sidomos, “Lushnja”?! E kush e harron rakinë e llojit “Perla”, e lakmuar aq shumë në shkallë vendi? Edhe pse bën vite i ndarë nga jeta, për emrin e nderuar që la pas Agim Basha kujtohet e lakohet shpesh nëpër bisedat shoqërore.